Haxhinasto: Kinezët nuk janë tërhequr nga rruga e Arbrit

Oct 10, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

Më 15 tetor do të hapet gara për kompaninë fituese, e cila do të marrë me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Pas kësaj, çdo automjet që do të përshkojë këtë autostradë do të taksohet 5 euro. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, foli dje edhe për Rrugën e Arbrit, për të cilën pati zëra për tërheqje të bankës nga projekti.

haxhinasto
Gjatë inspektimit të punimeve në Unazën e Madhe në kryeqytet, Haxhinasto përjashtoi çdo mundësi për zmbrapsje nga ana e kompanisë kineze që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, duke shtuar se vonesat e paraqitura janë të lidhura me rishikimin e vlerave të prezantuara për projektin.

“Nuk ka asnjë tërheqje nga ana e bankës apo e kompanisë. Janë paraqitur disa ndryshime në vlerat e projektit”, tha ministri. Një tjetër projekt infrastrukturor me rëndësi është ai për ndërtimin e autostradës që lidh Tiranën me Elbasanin.

Mbi problematikat e shfaqura për përfundimin e kësaj rruge, Haxhinasto apeloi edhe njëherë tjetër kompaninë e kontraktuar, që t’u përmbahet kushteve, për të cilat kanë rënë dakord. Sakaq, lidhur me ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës mësohet se projekti është shtyrë me një vit. Shkak për këtë, pranoi ministri, janë bërë jo vetëm cilësia e projektit, por edhe problematikat e dala nga shpronësimet.

“Ky është një segment shumë i rëndësishëm me një gjatësi prej 1,5 kilometrash, me një vlerë investimi 1,9 miliardë lekë të rinj. Ka problematikën e shumë projekteve të sektorit të rrugëve, që janë shpronësimet, cilësia e projekteve, të cilat ne po përpiqemi t’i zgjidhim. Konkretisht, kjo kontratë është shtyrë për të përfunduar në tetor të vitit 2016″, tha më tej ministri Haxhinasto.

Përfundimi i Unazës së Re do të bëjë të mundur, veç të tjerash, edhe lehtësimin e trafikut në kryeqytet. Projekti final ka marrë në konsideratë edhe kërkesën e banorëve për ngritjen e një mbikalimi që mundëson aksesin e banorëve në të dyja anët e unazës, për të kaluar në krahun tjetër dhe për të qarkulluar normalisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura