Hapja e plotë e ekonomisë, e domosdoshme

May 26, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

PROF. DR ARBEN MALAJ arben-malaj-1

Duke kërkuar thënie inspiruese për periudhën e pandemisë, përpara më doli kjo thënie e Albert Kamysë, e cila na ndihmon të kapërcejmë dimrin e ashpër të Covid-19. Kjo pandemi vlerësohet një rrezik global, por bashkëpunimi global rezultoi i dobët duke ushqyer disa pasiguri, që janë faktori më i rëndë i efekteve negative të Covid-19. Parapërgatitja për sinkronizimin me hapjet e vendeve partnere duhet të jetë një prioritet i diplomacisë ekonomike.

Shqipëria vlerësohet pozitivisht për qasjen e trajtimit të Covid- 19. Pas rreth 80 ditëve distancim social, ndodhemi në një fazë të rënies së numrit të viktimave dhe të numrit të të prekurve. Hapja në nivel global do të kërkojë më shumë kohë. Prandaj, shumë vende kanë filluar lehtësimin e masave shtrënguese dhe hapjen e ekonomive të tyre.

Hapja e ekonomisë së vendit tonë ka filluar, por ajo ka jo pak kufizime specifike. Kufizime për të cilat kërkohet një strategji më e mirë komunikimi dhe ndërgjegjësimi ndaj grupimeve shoqërore, të cilat detyrohen me penalitete t’i zbatojnë ato.

Bazuar në treguesit pozitivë të rënies së numrit të viktimave dhe të shkallës së përhapjes së pandemisë, bazuar në mesazhet publike të mjekëve shqiptarë, si edhe duke ndjekur vendet e tjera, qeveria nuk duhet të pengojë/vonojë hapjen e gjithë ekonomisë. Kjo hapje lehtëson mbingarkesat psikologjike nga pesimizmi, deri te depresioni. Ato pengojnë rritjen ekonomike në të gjithë vendin, ushqejnë falimentimet apo tkurrjet e bizneseve, rrisin papunësinë dhe varfërinë duke rënduar stabilitetin e financave publike, si nga rënia e të ardhurave buxhetore (pasi përllogaritet që mund të ketë rënie ekonomike nga – 5 % deri në – 9 % e PBB-së, edhe nga rritja e deficitit dhe borxhit publik që mund të vijë nga rritja e pagesave për të papunët, të varfrit, por edhe humbjet nga garancia sovrane, pasi përfituesit n.q.s. nuk kanë një pritshmëri pozitive për rritjen ekonomike, do ta kenë të vështirë të arrijnë fitimet që duhen për të kthyer kredinë.

Efektet negative psikologjike, sociale, ekonomike e buxhetore që sjellin mbylljet e vendeve për shkak të pandemive mund të reduktohen vetëm nëpërmjet një strategjie kombëtare e bashkëjetesës me pandemitë. Aftësia e qeverisë nuk duhet të jetë zgjatja e masave shtrënguese, por një strategji zhvillimi të integruar, duke bashkëjetuar me pandemitë që mund të shfaqen dhe rishfaqen herë pas here.

Fatmirësisht, Shqipëria në këtë periudhë me një klimë që e dobëson përhapjen e pandemisë mund të rikuperojë një pjesë të humbjeve, sidomos në sektorin e turizmit, i cili shumëfishon efektet e tij pozitive në bujqësi, agroturizëm dhe shërbime.

Hapja e plotë e ekonomisë/ekonomisë së brendshme krijon më shumë besim në opinionin publik dhe tek agjentët ekonomikë. Ata nuk duhet të humbasin asnjë ditë më shumë nën kufizimet shtetërore. Hapja e plotë nuk do të jetë e lehtë, por rruga tjetër, “mbyllja afatgjatë” është vrastare, nga sëmundjet dhe kostot e rënda humane dhe financiare të traumave të njerëzve që kanë humbur besimin për të ardhmen.

Tendenca për zbatim strikt të të gjitha rregullave duket se nuk po gjen zbatim as edhe në vendet më të zhvilluara. Shembujt janë shumë, por një rast konkret vjen nga Gjermania, ku më 7 maj 2020, kur u hapën këndet e lojërave për fëmijët, distanca e detyrueshme ligjore 1.5 metra midis tyre u reduktua në 1.5 cm. Në disa vende turistike, distancimi social në hotele e restorante është reduktuar nga 2 në 1 metër, duke shtuar mundësinë e tyre për më shume aktivitet dhe të ardhura.

Hapja totale e ekonomisë sonë dhe menaxhimi i risqeve potenciale është lehtësuar edhe nga mësimet e marra nga Covid-19, mësime që do të jenë më të qarta dhe do të plotësohen pas studimeve më të plota për çdo aspekt të menaxhimit të Covid-19, por disa leksione vlejnë edhe për ne:

1. Hartimi i strategjisë së parandalimit të përhapjes së pandemive. Qartësimi i protokolleve mjekësore, investimeve të nevojshme, kostot dhe burimet e mbulimit;

2. Qartësimi i bazës ligjore dhe institucionale të menaxhimit të pandemisë;

3. Përbërja, madhësia dhe kanalet efektive të paketave ndihmëse;

4. Çdo paketë antipandemi duhet të fillojë me ndihmën për të papunët dhe të varfrit;

5. Kohezioni dhe solidariteti social janë jetike për të bërë funksionale çdo strategji antikrizë;

6. Politikat monetare dhe fiskale për lehtësimin e kostove dhe rritjen e investimeve kushtëzohen nga përgjegjshmëria e menaxhimit të tyre para krizave/pandemive;

7. Politikat dhe instrumentet e ndarjes se risqeve për garancitë sovrane bëhen efektive duke i ndërtuar në bashkëpunim me biznesin dhe bankat. Ato duhen testuar edhe në kohë normale;

8. Bizneset duhet të kenë skenarë të përballimit të goditjeve nga krizat e jashtme;

9. Transparenca për paketat, përfituesit dhe efektet e tyre në ekonominë reale kushtëzojnë efektshmërinë e tyre dhe ndikojnë në perceptimin publik lidhur me besimin te qeveria dhe integritetin e qeveritarëve;

10. Ndërgjegjësimi për rregullat e distancimit social dhe rregullat e përdorimit të maskave duhet të vazhdojnë;

Çdo hapje pjesore dëmton bërjen efektive të ekonomisë në tërësi. Aktualisht, nga tri pushtetet (parlamenti, drejtësia dhe qeveria), gjykatat vazhdojnë të mbyllura duke krijuar kosto shtesë për individët, familjet dhe bizneset.

Hapja sa më parë e ekonomisë krijon mundësi reale për ristrukturimin e bizneseve dhe qartësimin e politikave ekonomike përballë çdo risku potencial për rikthim të pandemisë. Jacques Attali na këshillon se “Ne do t’i shpëtojmë ato (bizneset) vetëm duke i ndihmuar të gjejnë klientë. Dhe për këtë, ne duhet t’i nxisim që të prodhojnë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse konsumatorët janë tani më të gatshëm të shpenzojnë shuma marramendëse, për aq kohë sa kanë mundur të kursejnë këta muaj. Kjo do të thotë të orientosh prodhuesit drejt asaj që unë i quaj ‘industri të jetës’”. Vonimi i hapjes totale të ekonomisë së brendshme ushqen pasiguri, pesimizëm dhe depresion. Ekonomia duhet të hapet pa vonesë. Lëvizja midis qyteteve duhet të jetë e lirë. Kufizimet e orareve të funksionimit të të gjitha bizneseve dhe lëvizjes së lirë duhen eliminuar. Fillimi i punës dhe mundësia e lëvizjes së lirë për punë dhe pushime krijon pritshmëritë pozitive, që janë armët më efektive kundër pandemive

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura