Hapet Zona e Lirë Ekonomike në Tiranë, Veliaj: TEDA do të ofrojë 5-7 mijë vende pune!

Apr 18, 2024 | 13:40
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana).

ec57a541-3f1d-489d-9234-2a0ce1e0bc28

Zona e Lirë Ekonomike do të hapet mes Kasharit dhe Vaqarrit, ndërsa raportohet se ka rëndësi strategjike për bizneset e huaja që duan të investojnë në Tiranë, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e automjeteve dhe turizmit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se TEDA do të gjenerojë rreth 7 mijë vende të reja pune.

“Nëse nuk pengojmë njeri-tjetrin, po ju turrëm kësaj pune me energji të mirë, dhe duke inkurajuar secilin proces, ne mund të bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne konkurrojmë sot me Shkupin, Greqinë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe Malin e Zi. Në këtë sens, do duhet të tregojmë pse Tirana është “nona” dhe pse Tirana është vendi ku duhet të investojmë. Mos u shqetësoni për zhurmën. Ne duhet të funksionojmë si orkestër që prodhon muzikë. Sigurisht, dikush është violinë e parë, dikush tjetër është në fund, sipas detyrave, por secili ka misionin e tij, në një vend që prodhon zhurmë dhe që zhurma merr më shumë vëmendje. Besomëni ka një minorancë të zhurmshme që do të marrë gjithë vëmendjen dhe e merr, si një kloun që del në cirk për ta duartrokitur kalamajtë. Por, asnje nuk voton një kloun që të drejtojë punët e ekonomisë dhe punësimit, shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Puna që po bëni mund të mos jetë puna më e lëvduar, dhe më e klikuar, por është puna që do i mbetet vendit dhe do prodhojë muzikë në vend të zhurmës”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi se projekti për krijimin e një zone të lirë ekonomike, do të frymëzojë edhe shumë bashki të tjera.

“Me të gjitha muhabetet që keni dëgjuar me sharje publike të ca personazheve që deri dje kanë drejtuar vendin dhe që Shqipëria u ka dhënë gjithçka, ne kuptojmë se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës. Në finale do mbeten veprat! Sheshi Skënderbej do të jetë aty edhe për 100 vite të tjera. TEDA është një projekt që do t’i mbetet këtij qyteti dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë një zonë të lirë ekonomike. Duke qenë se po e shkelim ne të parët, do vëmë edhe sinjalistikë që, kushdo që ta shkelë pas nesh, të dijë ekzaktësisht hapat sib ëhet dhe nesër të jetë një qytet tjetër që mund ta bëjë, si Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, etj”, tha Veliaj.

Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nënvizoi se kjo zonë përfaqëson një nismë strategjike, që duhet të shërbejë si një katalizator inovacioni, investimesh dhe zhvillimi të qëndrueshëm.

“Nëpërmjet ofrimit të infrastrukturës moderne, ku ndihmon edhe Bashkia e Tiranës, ku natyrisht do ndihmojnë edhe aktorë të tjerë të lidhur me infrastrukturën dhe proceseve të thjeshta rregullatore, të lehtësuara dhe një mjedisi të favorshëm të biznesit, do të arrihet që të kemi një pol të prodhimit dhe të zhvillimit, që do të jetë një model në rajon dhe në të gjithë vendin”, tha ministri Gonxhja.

Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë krijuar një stacion ku kompanitë ndërkombëtare mund të paraqiten tek enti zbatues dhe të bëhen pjesë e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura