Hap pas hapi, si ndodhi vrasja barbare e dy grave në Devoll/ I arrestuari tregon kronologjinë e krimit: Isha i dehur, shkova në shtëpinë e tyre sepse…

Mar 9, 2022 | 10:07
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Ali Zili, vrasësi i dy grave në fshatin Progër të Devollit, është përballur me Gjykatën për t’u njohur me masën e sigurisë.

I qetë dhe thuajse pa asnjë reagim, ai ka pranuar krimin, duke deklaruar se ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike, ndërsa Gjykata e ka lënë në masën e sigurisë arrest në burg. “Më kishin lek borxh. Kam qenë i dehur kur shkova t’u kërkoja lekët, por ato refuzuan të m’i jepnin.

Më pas nuk mbaj mend çfarë ka ndodhur. sepse kam qenë i dehur. Më kujtohen shumë pak gjëra”, ka deklaruar autori i dyshuar. Në seancën gjyqësore që u mbajt me dyer të mbyllura, organi hetimor ka parashtruar edhe një herë dinamikën e plotë të ngjarjes, duke iu referuar dëshmive të autorit dhe personave të tjerë që ai i ka takuar gjatë lëvizjeve të tij pas krimit tronditës.

DINAMIKA E NGJARJES

Sipas autorit të krimit, rreth orës 20:30, Ali Zili fillimisht është afruar te porta e jashtme e shtëpisë, e cila ka qenë e mbyllur, ka trokitur, por nuk iu përgjigj njeri dhe ka kapërcyer murin rrethues të banesës dhe ka hyrë në pjesën e verandës së banesës. Më pas ka trokitur te dera që të fut në ambientet e brendshme të banesës dhe pohon se aty ka dalë Fatmira, e cila i ka thënë se çfarë donte. Kur Aliu i ka kërkuar paratë e druve, ajo i ka thënë të ikte sepse nuk kishte.

Në këtë moment, Aliu ka treguar në Polici se e ka gjuajtur me pëllëmbë në fytyrë dhe ajo është rrëzuar. Pas këtij veprimi, ka dalë me shkop në korridorin e banesës vjehrra e Fatmirës, Bukurije Bami, dhe ka tentuar ta godasë me shkop në kokë. Aliu ia ka rrëmbyer shkopin nga dora dhe me të ka filluar t’i gjuajë të dyja gratë, duke i gjuajtur edhe me dru zjarri, të cilat ndodheshin të stivuara në pjesën e verandës së banesës, duke i lënë të shtrira në tokë.

Avokati mbrojtës i Zilit, Denion Shehu, në përfundim të seancës ka deklaruar se vepra është tejet e rëndë. “Pavarësisht ngjarjes që ka bërë bujë në opinionin shoqëror ku unë jam i caktuar kryesisht, ne kemi kërkuar një ekspertizë të shëndetit mendor. Për momentin, ai nuk është një person i kartelizuar, por në vijim do të shohim nëse kemi të bëjmë me një person të përgjegjshëm në momentin e kryerjes së kësaj vepre penale.

Ai ka dhënë shpjegimet e sakta, por mbetet për t’u përcaktuar nëse ai është një person i përgjegjshëm para ligjit referuar edhe veprës tejet të rëndë që parashikon një dënim 15, 25 vite apo deri në burgim të përjetshëm. Ai ka deklaruar se viktimat i kishin borxh shumën prej 6000 lekë të rinj sa u takon druve, që nuk ia kanë shlyer dhe ka pretenduar se ka qenë i dehur”, përfundoi ai.

KRIMI

Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur të enjten, ndërsa është zbuluar nga Policia ditën e shtunë, pasi një fqinje ka shkuar rastësisht në shtëpinë e viktimave. Pas krimit, autori është larguar nga banesa dhe ka gjetur një taksi, me të cilën ka udhëtuar drejt qytetit të Korçës.

Taksixhiu ka parë njollat e gjakut në rrobat e tij, për të cilat 36-vjeçari i ka thënë se njollat kishin ardhur pasi nëna e tij ishte rrëzuar, ndaj i ka kërkuar taksixhiut që ta lërë në afërsi të spitalit të Korçës, duke menduar se kështu nuk do t’i linte dyshime atij.

Pas kësaj, Zili ka ndërruar rrobat dhe ato që ishin një provë për krimin makabër ia ka dhënë një endacaku, duke menduar se kjo do të bënte që ai të humbte gjurmët dhe t’i shpëtonte Policisë.

Për gati 2 ditë, ai ka qëndruar në Korçë dhe më pas është kthyer në banesën ku jetonte, së bashku me prindërit dhe vëllain. Ndërkohë që ai ishte larguar pas krimit dhe kishte dy ditë që nuk kthehej në shtëpi, familjarët, të shqetësuar, kishin nisur ta kërkonin dhe vëllai i tij i ishte drejtuar edhe Policisë, teksa askush nuk e kishte zbuluar ende krimin tronditës. Pas arrestimit, hetuesit kanë pikasur hematoma dhe enjtje në duart e tij, pasi ka goditur viktimat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura