Halimi, kërkesë në KLD: U gjetën me shkelje, të ndëshkohen 8 gjyqtarë

Apr 3, 2012 | 10:36
SHPËRNDAJE
Ministri i Drejtësisë, Halimi

TIRANE – Ministria e Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor të tetë gjyqtarëve. Bëhet fjalë për gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë të shtatë rretheve të ndryshme të vendit, përfshi Tiranën dhe Durrësin. Gjyqtarët e “shënjestruar” janë gjetur me shkelje të rënda nga ana e inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të KLD-së, shkelje që kanë të bëjnë me dalje pa leje jashtë vendit, dhënie vendimesh gjatë kohës që kanë qenë jashtë Shqipërisë, si dhe zvarritje procedurash që kanë çuar në dështim të proceseve të rëndësishme. Masat disiplinore e kërkuara nga Ministria kundër gjyqtarëve variojnë nga “vërejtje” deri në “shkarkim nga detyra”.  Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave, tetë kërkesat për procedim janë depozituar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë ka depozituar ditët e fundit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë tetë kërkesa për procedimin disiplinor të tetë gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Kavajë dhe Kukës”, njoftoi zyrtarisht Ministria e Drejtësisë. Burimet nuk bënë të ditur identitetet e gjyqtarëve, me argumentin se publikimi i emrave do të dobësonte besimin te palët në dosjet që këta gjyqtarë po shqyrtojnë aktualisht. Sipas burimeve, shkeljet e evidentuara nga inspektimet e KDL-së dhe Ministrisë së Drejtësisë janë dalje të gjyqtarëve jashtë vendit pa marrë leje. Referuar të dhënave të sistemit TIMS, ka rezultuar se gjatë kohës që kanë qenë jashtë vendit është firmosur në Shqipëri prej tyre. Po sipas burimeve, shkelje tjetër e rënë e gjyqtarëve të propozuar për masë disiplinore është zvarritje e procedurave gjyqësore prej tyre, që ka çuar në dështimin e disa ekstradimeve. U mësua se masat disiplinore të kërkuara kundër gjyqtarëve janë në përputhje me shkeljet e kryera prej tyre. “Llojet e masave disiplinore të kërkuara nga ministri i Drejtësisë janë në raport të drejtë me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve dhe variojnë nga masa ‘vërejtje’ deri tek ‘shkarkimi nga detyra’”, pohuan burimet zyrtare. Procedimet disiplinore të kërkuara bazohen në gjetjet e inspektimeve të zhvilluara nga inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më 30 nëntor 2011, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë raportin e një inspektimi që kishte gjetur me shkelje gjashtë gjyqtarë në gjykata të ndryshme të vendit. Inspektimi i atëhershëm kishte gjetur me shkelje gjyqtarët Dhurata Bilo, gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës, Fida Osmani, gjyqtare në rrethin gjyqësor Tiranë, Arban Lera, gjyqtar në rrethin Gjyqësor Korçë, Luan Lusha, gjyqtar në rrethin gjyqësor Kavajë, Ilir Pashaj, gjyqtar në rrethin gjyqësor Elbasan dhe Mimoza Magjeka, gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës.                                ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura