Grupi i kokainës, Genci Xhixha transaksione miliona euroshe në Kubë, Panama dhe Kanada

Apr 21, 2015 | 18:29
SHPËRNDAJE

Policia e shtetit dhe drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave duket se kanë referuar në prokurori një material të ri voluminoz për shtetasin Genci Xhixha, person i dyshuar si financues i laboratorit të kokainës që u zbulua në Xibrakë më 14 janar të këtij viti.

Genci Xhixha

Materiali i referuar në prokurori thuhet se ngre dyshime për shtetasen Maria Xhavara, e identifikuar si nëna e Genci Xhixhës. Dyshimet kryesore janë se shumat e lëvizura kanë origjinë të paligjshme.

Sipas të dhënave kjo shtetase rezulton se ka tërhequr shuma të mëdha parash të dërguara nga jashtë shtetit prej shtetasit Genci Xhixha nëpërmjet agjencive të transfertave monetare.

Genci Xhixha sipas të dhënave është me qëndrim prej vitesh në Kubë, por dërgesat e tij financiare e kanë pasur origjinën nga tri zona: Kanadaja, Kuba dhe Panamaja.

Dërguesi i parave shtetasi Genci Xhixha tashmë i kërkuar pas arrestimit të nëntë personave të implikuar në trafikun e kokainës nga Xibraka, mendohet se i ka justifikuar transaksionet financiare me ndërtimin e një spitali në Panama.

Më herët nëpërmjet fotove në rrjetet sociale ky shtetas nga Tirana është mësuar se ka bërë një jetë me shpenzime të mëdha që nga makinat e luksit dhe deri tek pushimet në zonat më të shtrenjta turistike botërore.

Në një foto të vitit 2012, Genci Xhixha shfaqet bashkë me Ermal Hoxhën, nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, i arrestuar për trafik kokaine nga laboratori i Xibrakës në Elbasan. Ermal Hoxha thuhet se ka tërhequr në disa raste shuma parash të dërguara nga jashtë shtetit prej të dyshuarit Genci Xhixha. 

Prokuroria ka thënë se pas verifikimit dhe vlerësimit të materialeve të referuara do të vendosë në lidhje me një sekuestro të mundshme të pronave dhe llogarive bankare të Genci Xhixhës dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të tij.   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura