Greqi, mediat kërkojnë hetim për “Listën Legarde”

Nov 3, 2012 | 14:53
SHPËRNDAJE
Numri i “Hot Doc” me “Listën Legarde”

Pas skandalit të krijuar në Greqi nga publikimi i “Listës Legarde” nga gazetari Kostas Vaksevanis, media të tjera prestigjioze kanë drejtuar vëmendjen nga funksionimi i sistemit të taksave në Greqi. Vëmendjen e tyre e tërhiqi arrestimi i gazetarit ditën e diel, një ditë pasi revista e tij “Hot Doc” publikoi listën me 2059 emra të grekëve, të cilët kishin llogari bankare në Zvicër. Megjithëse të kesh llogari në bankat e Zvicrës nuk quhet shkelje e ligjit, qëllimi i dërgimit të tyre jashtë mund të jetë, nëse rezulton se është bërë për mospagesë taksash. Fshehja e kësaj liste nga dy ish-ministra të Financës ka krijuar skandal. Secili prej emrave të listë duhej të hetohej nëse kishte kryer evazion fiskal, por në listë kishte emra politikanësh, që besohet të jetë arsyeja pse lista mbeti e fshehur nëpër sirtarë. Gazetari Vaksenvanis u lirua nga akuzat për shkelje të ligjeve të privatësisë dhe tani është i lirë, por çështja po trajtohet nëpër mediat e mbarë botës. Prestigjiozja “Financial Times” po bën presion në Greqi për hetimin e dy ish-ministrave të Financave. FT, bazuar në mendimin e ekspertëve juridikë, duke ngritur pyetjen pse dy ish-ministrat grekë të Financave nuk e përdorën listën me emrat e grekëve për të parë nëse ishin kryer transaksione të paligjshme financiare, thekson se ish-ministrat Jorgos Papakonstantinu dhe Evangelos Venizelos mund të përballen me akuzën për neglizhencë, nëse Parlamenti kërkon gjykim. Ndërsa gjermania “Der Spiegel”, shkruan se “Grekët e pasur u shmangen taksave, ndërsa shtresa e mesme e vendit vazhdon t’u nënshtrohet masave të rrepta shtrënguese”. Sipas “Spiegel”, “Të pasurit, mjekët, avokatët dhe inxhinierët në Greqi vazhdojnë t’u shmangen taksave dhe studimet e fundit tregojnë se 7 në 10 grekë vazhdojnë të bëjnë evazion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura