Gramoz Pashko, në kujtimet e miqve 5 vjet pas vdekjes

Jul 21, 2011 | 10:49
SHPËRNDAJE

“Kur të jesh në errësirë, ndiz një kandil”.Kjo thënie e Nënë Terezës do ta udhëhiqte në jetën e tij të prerë në mes. Ai e kishte kuptuar se në këtë botë të dalldisur, njerëzit kishin nevojë t’u ndrinte rrugën një kandil dashurie. Dhe këtë mesazh ai na e përcolli dje, edhe pse u bënë vite që nuk jeton më. Miq, kolegë, politikanë të majtë dhe të djathtë përkujtuan dje një nga figurat më të rëndësishme në historinë e demokracisë shqiptare, prof.dr. Gramoz Pashkon, i cili u nda nga jeta në një aksident tragjik 5 vjet më parë, së bashku me të birin, Rubenin. Përgjatë këtij takimi përkujtimor, për ta sjellë sërish në sytë e të dashurve të tij, u shfaq një dokumentar i shkurtër, “Mes nesh përgjithmonë”, ku kalonte me të shpejtë jeta e Pashkos, që në fëmijëri, tek ngjarjet e bujshme të ndërrimit të sistemeve, ku ai ishte një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Në ato ditë ankthi, ai do të ishte në ballë. Në bodrumin e shtëpisë së tij, mbushur me libra, do të hartohej programi i parë demokratik. Siç do të thoshte kryeministri Sali Berisha, selia e parë e PD-së u bë shtëpia e Gramoz dhe Mimoza Pashkos. Fjalime, debate, hartime strategjish… Veç kryeministrit Berisha, do të sillnin kujtime nga njohja e tyre me të edhe Fatos Nano e Helena Kadare. Nano do të sillte një episod të vitit 1988, kur Shqipëria ishte ende nën diktaturë dhe ai me Pashkon, në të njëjtin bodrum-seli, do të hartonin një traktat ekonomik e më pas do të hidhnin propozime të guximshme për kohën, në një Konferencë Ballkanike për Bashkëpunimin Ekonomik. Ndërsa Helena Kadare do ta kujtonte atë si një njeri të pasionuar pas leximit dhe më së shumti pas muzikës klasike. “Nuk kam njohur njeri që ta njohë aq mirë muzikën klasike”, tha Kadare. Pas këtij dokumentari, i cili u mbyll me një tufë lulesh të bardha të hedhura në ujërat e Adriatikut, emocionuese ishte një përshëndetje e shkurtër e së bijës, Fjonës, e cila në aksidentin e 16 korrikut 2006, humbi dy nga njerëzit më të dashur, babanë dhe vëllain. “Njerëzit bien e ngrihen si gjethet e vjeshtës, por ca njerëz nuk harrohen kurrë. Qysh sa shfaqej në derë, ai vinte si një furtunë e gëzueshme. Ai për mua ishte një mik i ngushtë që më mësoi ta doja jetën e të përballesha me të mirat dhe të këqijat e saj”, tha ajo, duke shtuar se vajza e saj do t’i njohë këta dy njerëz përmes kujtimeve pa fund dhe fotografive që kanë mbushur muret e shtëpisë së saj. Më tej, një mori kujtimesh solli kryeministri Berisha, i cili e konsideroi Pashkon si intelektualin më liberal që kishte njohur ndonjëherë, arkitektin e programit demokratik të ekonomisë së tregut në Shqipëri. “Për mikun nuk flitet me gjuhën e fjalëve, por të mendimit dhe zemrës. Sot ndihemi krenarë që patëm një mik dhe njohëm një personalitet si Gramoz Pashko”, tha Berisha, teksa rrëfeu se si preferonte që të gjitha momentet e vështira, me të cilat u përball në fillimet e demokracisë, preferonte t’i ndante me të dhe se kur vinte fjala për çështje ekonomike, askush nuk guxonte të jepte një mendim, pa pyetur më parë Gramozin. “Ç’të bënim, duhet të ngrinim një sistem të ri, ku përveç të drejtave themelore të njeriut, nuk dinim asgjë tjetër. Pashko u bë arkitekti i programit të ekonomisë së tregut të opozitës shqiptare pas vitit ’90″, tha Berisha.

Aksidenti i 16 korrikut

Gramor Pashko humbi jetën pesë vite më parë, në një aksident tragjik, së bashku me të birin e tij 24-vjeçar, Rubenin. Në korrik të vitit 2006, Pashko ndodhej me pushime në një nga plazhet e Himarës, ku edhe pësoi një aksident, teksa lahej në det. Në gjendje kritike, Pashko u nis drejt Tiranës e në mbrëmje u vendos të dërgohej në Itali për kurim më të specializuar. Për shkak të motit të keq, helikopteri u rrëzua, duke shkaktuar një tragjedi, ku humbën jetën plot 6 vetë. Bashkë me Pashkon dhe të birin, në aksidentin e 16 korrikut humbën jetën edhe pilotët Temush Heba, Vangjel Kondi, inxhinieri Qemal Koni dhe mjeku Aleksandër Bualoi.

Salla me emrin e Pashkos

Një sallë leksionesh në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës do të mbajë emrin e prof. dr. Gramoz Pashkos. Këtë e bëri me dije dje, gjatë ceremonisë përkujtimore, rektori i UT-së, Dhori Kule. Sipas tij, emri i Gramoz Pashkos është pa dyshim i lidhur me Fakultetin Ekonomik. Me vendim të Senatit u vendos që salla e leksioneve 201 A të marrë emrin e tij, për kontributin që ka dhënë në zhvillimin dhe modernizimin e këtij Fakulteti, përfaqësimin e tij të denjë kudo në botë, por dhe demokratizimin e Shqipërisë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura