Goleadorët e derbeve, Skuka “kërcënon” Sukajn. Dibrani një rrjetë larg rekordit të shkodranit

Apr 25, 2024 | 9:36
SHPËRNDAJE

Partizani dhe Tirana përplasen të dielën për derbin e fundit të sezonit të rregullt, që mund të përcaktojë shumë mbi fatet e të dyja skuadrave sa i përket “Final 4”.MixCollage-25-Apr-2024-09-30-AM-653

Tirana kërkon “të betonojë” pjesëmarrjen në katërshe, ndërsa Partizani të parakalojë Vllazninë në garën për vendin e dytë, që në “Final 4” të jep avantazhin e barazimit. Goleadorët janë ata që mbahen mend më së shumti në të gjithë historinë e derbeve. Në 10 vitet e fundit kanë qenë të shumtë lojtarët që kanë shënuar emrin e tyre në listën e golashënuesve, teksa tashmë është krijuar edhe një garë për sulmuesin e dekadës në derbi.

Nëse te Tirana, Bathës vetëm një çmenduri do t’ia hiqte fronin e goleadorit më të mirë, te Partizani Sukaj duhet të ndihet i kërcënuar. Xhuliano Skuka, beniamini i tifozëve të Partizanit është shënuesi më i mirë në derbi, që luan aktualisht. Dibrani ka tundur tri herë rrjetën në këto beteja, teksa Tiranën e ka ndëshkuar edhe kur ishte pjesë e Dinamos dhe Korabit. Në total ai i ka shënuar 5 herë bardhebluve. Në këtë betejë të radhës, dibrani do të sulmojë rekordin e dekadës, të vendosur nga Xhevahir Sukaj.

Edhe pse tashmë i larguar nga futbolli i luajtur, shkodrani mban ende petkun e golashënuesit të kuq më të mirë në derbi për Partizanin me 4 rrjeta të shkundura. Por me vetëm 1 rrjetë më pak, Skuka me siguri do të ketë një motiv më shumë për të ndëshkuar Tiranën dhe për tu bërë goleadori i dekadës. Me dopietë Xhulio do të qëndronte i vetëm në krye. Ironia e fatit qëndron edhe në faktin se inicialet e të dy sulmuesve janë të njëjtë, si dhe mbiemrat kanë mjaft ngjashmëri.

GOLEADORËT E TJERË – Tedi Cara nuk kishte shënuar prej vitesh në derbi, por e bëri vitin e shkuar, teksa edhe në derbin e fundit gjeti rrugën e rrjetës së bashku me Skukën. Në kuotën e dy golave, kavajasi është një tjetër lojtar, që mund të vërë emrin mes goleadorëve të mëdhenj të derbeve. Duhet thënë se Cara mban edhe kurorën e golashënuesit më të mirë të dekadës së fundit te Partizani. Të tjerë shënues të derbit në skuadrën aktuale të të kuqve janë Mba, Maget, Mensah dhe Keko. Te Tirana nga skuadra aktuale kanë mundur të shënojnë në derbi Latifi, Hoxhallari dhe Deliu.6 7

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura