Gjykata e ktheu në burg, por Policia s’po e gjen dot ‘baronin’ durrsak të drogës. Ai është arratisur…

Jul 28, 2017 | 14:45
SHPËRNDAJE

I ashtuquajturi “Baroni i drogës”, Alket Hatija do të duhet të arrestohet sërish.

Gjykata e Apelit në Durrës ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar masën e sigurisë për 45- vjeçarin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar me 20 vite burg në Itali. Pas arrestimit të tij, më 11 korrik, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi Hatijën dhe vendosi detyrim paraqitjeje për 45-vjeçarin.

alket-hatija-400x226

Organi i akuzës iu drejtua Gjykatës së Apelit Durrës duke kërkuar riarrestimin e të akuzuarit në pritje të ekstradimit të tij në Itali, për të vuajtur dënimin me 20 vite burg, të marrë për trafikim droge dhe pjesëmarrje në bandë kriminale.

Në ankimimin e saj, Prokuroria e Durrësit argumenton se vendimi i Shkallës së Parë, që vendosi lirimin e menjëhershëm të 45-vjeçarit, është i padrejtë dhe në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë këtë aspekt ndërmjet shteteve në procesin penal.

Në këto kushte, Gjykata e Apelit në seancën gjyqësore të mbajtur ka hedhur poshtë vendimin e Shkallës së Parë, duke vendosur si masë sigurie atë të “arrestit në burg” për “Baronin e drogës”, i cili akuzohet nga autoritetet italiane për trafikimin e 350 kilogramëve heroinë.

Në vendimin e marrë, Gjykata e Apelit i kërkon Policisë arrestimin e 45- vjeçarit, adresa e të cilit nuk dihet. Policia e Durrësit e ka shpallur në kërkim dhe po punon për gjetjen e vendndodhjes së 45-vjeçarit dhe më pas arrestimin e tij, që më pas pritet të ekstradohet drejt Italisë për të kryer dënimin nga Gjykata e Milanos.

hatija

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e argumentoi lirimin Hatijës mbështetur në kërkesën e avokatit të të akuzuarit, sipas të cilit 45-vjeçari ishte dënuar një herë më parë në Shqipëri për këtë vepër me të njëjtat fakte, dënim të cilin e ka shlyer. Hatija rezulton se është dënuar në vitin 2008 dhe më pas është liruar në vitin 2014, pas pretendimeve se bashkëshortja i vuante nga sëmundje kronike.

Sipas autoriteteve italiane, Alket Hatija është një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai ishte shpallur prej vitesh person në kërkim, por për të kishte shumë pak të dhëna.

Mësohet se për herë të parë Hatija mbërriti në Itali në vitin 1997. Ai jetonte në komunën Campomarino, në provincën e Campobassos, në një banesë në rrugën “Kennedy”, ku kishte punuar për pak kohë në bujqësi.

Policia italiane ka vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004-s, Alket Hatija kishte trafikuar në 59 raste në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro. l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura