Gjykata: “Ben Qimja” do ekstradohet në Itali

May 9, 2014 | 11:50
SHPËRNDAJE

Arben Isufaj (Ben Qimja )
Gjykata e Tiranës vendosi dje të ekstradojë në Itali biznesmenin fierak Arben Isufaj. Për drejtësinë e vendit fqinj, biznesmeni i njohur edhe si “Ben Qimja” është i dyshuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Vendimi në ngarkim të Isufajt u shpall në orët e mëngjesit nga gjyqtarja Fatime Decolli. Sipas verdiktit përfundimtar, gjykata pranonte kërkesën e organit të akuzës për ekstradimin e Isufajt. “Pranimin e kërkesave të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Miratimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit shqiptar Arben Isufaj nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës së Italisë, sipas kërkesës së autoriteteve gjyqësore italiane”, thuhej në dispozivin e vendimit të gjykatës. Vendimi i shpallur dje është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit brenda një afati 10-ditor. Burime pranë mbrojtësve të Isufajt konfirmuan se vendimi do të apelohet. Në seancën e parafundit, e zhvilluar të martën, gjykata u njoh me pretendimet përfundimtare të palëve. Në atë seancë, përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi lejimin e ekstradimit të të arrestuarit Isufaj. Sipas prokurorit, ekzistonin të gjitha kushtet ligjore që biznesmeni të ekstradohet drejt vendit fqinj.
Avokati
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i të arrestuarit Isufaj kërkoi refuzimin e ekstradimit. Gjatë betejës gjyqësore të Isufajt në Shkallën e Parë, mbrojtësi i tij ka paraqitur pretendime për shkelje procedurale, të cilat fillojnë që me momentin e arrestimit të biznesmenit. Arben Isufaj u arrestua në Fier më 9 mars të këtij viti, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij nga autoritetet e drejtësisë në Itali. Saktësisht bëhet fjalë për një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos më 22.06.2010 ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Isufajt për veprën penale “pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Më 11 mars Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Kjo masë u ndryshua në Apel, i cili vendosi që ajo të kishte një afat 30-ditor. Më 7 prill, dy ditë para përfundimit të afatit 30-ditor, Gjykata e Tiranës pranoi një tjetër kërkesë të Prokurorisë dhe riktheu në fuqi “arrestin në burg” pa afat për Isufajn.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura