“Gjobiten me pa të drejtë, përgjegjës shteti”/ Hackerimi i ‘e-Albania’, ja sa shtyhet afati për dorëzimin e bilanceve të 2021 për bizneset

Jul 26, 2022 | 9:09
SHPËRNDAJE

Hackerimi i “e-Albania” ka cenuar aktivitetin e shumë ndërmarrjeve, të cilat nuk kanë arritur të marrin shërbimet në kohë.

shtyrje afati konfindustriaa

Kjo ka detyruar qeverinë të shtyjë afatin e dorëzimit të pasqyrave financiare për një javë, për aq kohë sa portali qeveritar nuk funksionoi plotësisht.

Të gjitha bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë, kishin afat ligjor deri në 31 korrik për të dorëzuar pasqyrat financiare, por për shkak të mos funksionimit të portalit qeveritar “e-Albania”, që ka mbledhur në një platformë të vetme të gjitha shërbimet, ata nuk arritën ta përmbyllnin procesin në kohë. Janë mbi 20 mijë subjekte, të cilët duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë bilancet vjetore për 2021-shin, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.

Në rast se nuk e bëjnë sipas kuadrit ligjor, ata gjobiten me 60 mijë lekë, 4-fish më shumë nga viti i kaluar.

MINISTRIA E FINANCAVE

Afati për dorëzimin e bilanceve të bizneseve për vitin e shkuar do të shtyhet me të paktën një javë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ndaj rreth 20 mijë subjekteve që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet gjoba e parashikuar në vlerën e 60 mijë lekëve.

“Duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar ‘e Albania’, Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.

Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar ‘e-Albania’.

Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare, do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, njoftoi ministria.

KONFINDUSTRIA

Vetëm pak minuta para se Ministria të njoftonte vendimin, ishte “Konfindustria” ajo që përmes një njoftimi për mediat i kërkonte qeverisë ta ndërmerrte këtë hap. “Mbështetur në të dhënat e ardhura pranë ‘Konfindustrisë’ nga bizneset, është plotësisht e pamundur teknikisht depozitimi i pasqyrave financiare. Në vazhdimësi, në vite vështirësitë e paraqitjes në sistemet elektronike të ‘e-Albania’ kanë qenë të pranishme dhe shqetësimet e biznesit kanë qenë të mëdha. Tashmë është krejtësisht e pamundur. Gjithçka ndodh pa asnjë shkelje nga ana e bizneseve, por përgjegjësi e plotë e platformave qeveritare elektronike”, thuhet në njoftimin e “Konfindustrisë”, e cila i kërkon ekzekutivit, që njëkohësisht me aktin normativ në fjalë, të fillojë edhe rishikimi i plotë i përmirësimit të procesit të fiskalizimit, nisur edhe nga problematikat e sistemeve qeveritare të teknologjisë së informacionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura