GJKKO e shpalli të pafajshëm, SPAK ankimon vendimin, kërkon dënim për ish-kryebashkiakun e Pogradecit

Nov 29, 2023 | 8:36
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila shpalli të pafajshëm ishkryebashkiakun demokrat të Pogradecit, Eduart Kaprin, i cili akuzohej nga prokuroria për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë.

kapri

Prokuroria kërkon dënimin e tij me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike. SPAK kishte mbyllur hetimet për këtë dosje dhe akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.

Mirëpo, me një vendim të marrë më 4 korrik 2023, nga GJKKO, Kapri u lirua nga akuzat “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim detyre”. Po u shpallën të pafajshëm edhe 5 ish-vartësit e tij, Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ishkoordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec.

Kapri dhe ish-vartësit sipas SPAK, jo vetëm abuzuan me një tender por në 28 qershor 2019 në tri shkolla dhe një kopsht janë kapur në flagrancë nga policia duke mbyllur me çelës tri shkolla të miratuara si qendra votimi prej KQZ-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura