Gjirokastër, policia finalizon 2 aksione antidrogë

Aug 31, 2012 | 20:10
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER- Afro 147 rrënjë kanabis janë shkatërruar nga Policia e Gjirokastrës mëngjesin e sotëm në fshatin Zhej të Komunës Zagorie, ndërkohë që kultivuesit, u arrestuan një orë më vonë.

Kanë qenë gjithsej 147 gropa të mbushura me pleh organik ku në çdo prej tyre, kishte të mbjellë nga një rrënjë hashashi. Policia e Gjirokastrës, krahas shkatërrimit të sasisë së marijuanës gati për t’u mbjellë, nuk ka arritur dot të kapë në moment kultivuesit pasi u larguan menjëherë, sapo vunë re prezencën e uniformave blu në zonë. Menjëherë në ndjekje të tyre janë vënë forcat e policisë dhe pas një ore, është bërë e mundur, kapja e tyre.

Dy kultivuesit kanë qenë nga fshatrat e Zagories dhe konkretisht Kostandin Kasneci, 22 vjeç dhe Sotir Kristani, 28 vjeç, banorë të fshatrave Zhej dhe Hoshtevë të Zagories. Pas marrjes në pyetje të kultivuesve të hashashit, njëri prej tyre Sotir Kristani, u vërtetua se ishte përsëritës në këtë akt pasi dy vjet të shkuara, kishte kultivuar në fshatin e tij Hoshtevë, 170 bimë kanabis ndërkohë që për këtë rast, ai nuk ishte dënuar nga gjykata.

Policia e Gjirokastrës në një tjetër aksion antidrogë të koduar “Pasarela”,  ka sekuestruar76 kg marijuanë, ndërkohë që ka arrestuar njëripn prej trafikantëve.

Marijuana prej 76 kg, po dilte nga Lazarati në drejtim të Përmetit me destinacion përfundimtar, Greqinë. Policia e Gjirokastrës, pohon se tre banorë të Fierit, patën blerë marijuanën në Lazarat një ditë më parë të cilën më pas do ta transportonin në drejtim të Përmetit e më pas për të kaluar përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë.

Landi Zoi, 43 vjeç nga Frakulla e Madhe e Fierit, është njëri prej transportuesve, i cili është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës. Zoi rezulton si person i dënuar më parë me pesë vjet burg në Greqi, për trafik të qënieve njerëzore. Policia është vënë në ndjekje të dy personave të tjerë që janë pjestarë të trafikut të lëndës narkotike të cilët janë gjithashtu nga Fieri.

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura