Gjergj Leka dhe një duet i pazakontë me yjet e muzikës botërore

Jun 15, 2022 | 21:12
SHPËRNDAJE

gjergj lekaNë vitin 2007, gjatë një koncerti në Las Vegas, Celine Dion do të ngjallte Frank Sinatra-n e madh. Jo vetëm që solli këngën e tij “All that Way”, por e këndoi bashkë me të.

Dhjetë vite më vonë, u ngjit në skenë me legjendën e rock and roll-it, Elvis Presley. Por ylli kanadez nuk ishte e vetmja që realizonte duet kaq të pagjasë, me legjendat e ndarë nga jeta prej vitesh. Michael Buble me Bing Crosby, Nataly Cole me Nat King Cole…

Një talent i ri shqiptar me Andrea Bocelli-n, një tjetër me Dalida apo Dulce Pontes…Janë trembëdhjetë të rinj, të përzgjedhur nga producenti dhe kantautori Gjergj Leka, që do të ngjiten në skenë me duete të pazakonta me më të mëdhenjtë e muzikës botërore.

Një spektakël që premton magji e që publiku do të ketë mundësi ta ndjekë mbrëmjen e 18 qershorit, në kanalin News24, në orën 22:00, po ashtu edhe në Balkanweb dhe Radio21. Spektakli do të drejtohet nga vetë ai, Gjergj Leka.

“Ëndrra e çdo talenti të ri që nis karrierën në art, pa më të voglin dyshim është të interpretojë në skenë si idhujt që kanë”, rrëfen kantautori. Për ata që presin të shohin imitime, sado të patëmeta dhe pranë origjinalit, Leka sqaron se është bërë një punë e gjatë përgatitore, që të rinjtë të mos imitojnë, por të kenë por të kenë individualitet vokal, interpretativ e skenik.

“Menduam t’iu japim mundësinë e kësaj përgatitje artistike si dhe interpretimin final në skenë 13 artistëve të rinj, përzgjedhur nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova të cilëve natyra u ka dhënë talentin, por jo përgatitjen artistike e skenike”, vijon më tej ai.

Të rinjtë e përzgjedhur studiojnë kanto lirike dhe disa edhe instrumente “por kurrë nuk e kanë pasur mundësinë të kenë një përgatitje artistike komplete për një spektakël modern! Të rinjtë do të përgatiten në perlat e këngës botërore”.

IMG-20220615-WA0005-600x337

Por jo vetëm kaq. Ata do të përballen vokalisht, por edhe në detaje të tjera interpretuese e skenike me jo më pak se…idhujt e tyre. Jo vetëm duke ri interpretuar kryeveprat e tyre, por edhe duke duetuar , në mënyrë virtuale me ta.

Çdo këngë e romancë botërore e përzgjedhur në këtë spektakël , u riorkestrua dhe u soll në kohë, për t’iu përshtatur edhe të rinjve, në interpretim,

“Për këtë qëllim u ngrit një studio televizive speciale ku brenda saj janë edhe strukturat e nevojshme të përgatitjes, nga pianoja, ambientet e intervistave me të rinjtë e deri tek studioja e regjistrimit muzikor që, përveç regjistrimeve muzikore dedikuar të rinjve…”, zbulon Leka.

Jo vetëm këngë e romanca, perla të muzikës botërore por, edhe shkollë talenti e spektakli.

Këta trembëdhjetë talente, tashmë pjesë e një shkolle përvoje dhe jete nga kantautori Gjergj Leka, do të promovohen në të gjitha eventet koncertale, të rëndësishme deri në fund të këtij viti. Dhe prej mbrëmjes së kësaj të shtune, fundjavat do të jenë plot me muzikë të mirë, nga ajo që as vjetrohet e aq më pak vdes. Promovimi i këtyre të rinjve, në koncertet e organizuara nga Leka vijnë si mbështetje konkrerte për talentet e reja, ata që dinë të shkëlqejnë në mes të amullisë së tregut muzikor, që drejtohet nga tallavaja dhe rryma komerciale. Spektakli, i cili erdhi pas një pune të gjatë përgatitore të 13 talenteve, u organizua në sallën “Tonin Harapi”, në Liceun Artistik.

Projekti u ideua e u drejtua nga producenti muzikor Gjergj Leka ne bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ne kuadër të shpalljes së kryeqytetit si Tirana Youth Capital. Me emisionin e tij të përjavshëm “Na ishte njëherë muzika”, Gjergj Leka arriti të zgjonte nostalgjinë dhe të tërhiqte audiencë, duke treguar se publiku nuk kërkon vetëm “fast food”, por di të shijojë e tretë muzikë gourmet dhe një verë të vjetruar mirë. Jo vetëm “na qe njëherë”, por përmes të rinjve që duetojnë me më të mëdhenjtë e skenës botërore, muzika e vërtetë “është dhe do të jetë gjithmonë”. Nuk do të jetë çudi që radiot të nisin të transmetojnë këto duete të talenteve shqiptarë me yjet që i duam shumë./Liberale.al

IMG-20220615-WA0006 IMG-20220615-WA0007 IMG-20220615-WA0008 IMG-20220615-WA0009 IMG-20220615-WA0010

© Panorama.al

Te lidhura