“Gjendja në fondin e Galerisë alarmante, rrezikon të humbasë”

Mar 5, 2015 | 20:43
SHPËRNDAJE

“Gjendja e fondit në Galerinë Kombëtare është një emergjencë, e cila mund të quhet edhe kombëtare, si përmbytjet”.

Organizatori Vincent Van Gerven Oei

Kështu thotë Vincent Van Gerven Oei, organizator i ekspozitës së hapur së fundmi nga Departamenti i Shqiponjave në bashkëpunim me GKA. Gjatë përgatitjes së ekspozitës që titullohet “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”, ai ka pasur mundësinë që të futet në fondin e GKA dhe është përballur me një gjendje, sipas tij “alarmante”. Një zë më shumë për të sensibilizuar opinionin publik dhe pushtetarët, u shtohet gjithë domethënieve që ofron ekspozita, e cila tashmë nuk është vetëm një mënyrë për të dëshmuar realitetin, por edhe për të protestuar kundrejt tij.

EKSPOZITA

Realitete paralele të shfaqen sapo hyn në sallën e ekspozitave. Nëpër kavalete, njëra pas tjetrës janë vendosur vizatime të kohës së socializmit, nxjerrë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ka atje partizane me pushkë në dorë, punëtorë në fonderi, mes turbinash, nëpër trase me karroca dore… E plotësojnë më tej këtë hov revolucionar të ndërtimit të socializmit, një grup skulpturash. Portrete të ashpra punë- torësh që derdhin çelik, me lopatën supeve, me syzet e saldatorit mbi kokë… Janë vepra të Fuat Dushkut, Kristaq Ramës, Muntaz Dhramit, Sotir Kostës, Thoma Thomait, Zef Shoshit, Anastas Kostandinit etj. Dhe paralelisht me to, vendosur nëpër mure një seri fotografish, që të kujtojnë Shqipërinë e diktaturës, me pushkë e yje me pesë cepa, por që në fakt janë pamje që i përkasin ndërtimit të një shteti të ri në Kurdistan. Kuratori i ekspozitës Mihnea Mircan ka vendosur pranë njëra-tjetrës dy realitete të ngjashme, por që u përkasin kohëve të ndryshme. Veprat e kohës së realizimit socialist janë vënë përballë atyre të artistëve bashkëkohorë, si Irwin, Armando Lulaj, Ciprian Muresan, Santiago, Jonas Staal, Sarah Vanagt. Për Vincent Van Gerven Oei, nxjerrja e veprave të realizmit socialist dhe vendosja e tyre në një kontekst të ri është mënyra më e mirë për t’i ekspozuar ato.

Sipas tij, konteksti në të cilin ato vepra janë realizuar, nuk ekziston më. Kujtimi i asaj kohe ka mbetur nëpër telajo, si ajo e Sali Shijakut “Zëri i masave”. E megjithatë, për organizatorin e ekspozitës, ato përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme, unike për gjithë rajonin, e cila rrezikon të shkatërrohet, të humbasë, për shkak të mungesës së investimeve, të mënyrës se si ruhen. Sipas tij, dëmi do të jetë i pakthyeshëm dhe për këtë përgjegjësia i mbetet pushtetit të sotshëm, i cili duhet të investojë për ruajtjen e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Gjatë viteve të diktaturës, termat “klasë punëtore” dhe “realizëm socialist” ishin shumë të lidhur. Përmes ekspozitës suaj ju na thoni se punëtorët tashmë kanë dalë nga studioja, madje nuk shohin as realizëm socialist, ku ndodhen ata tani?

Titulli i ekspozitës i referohet filmit të parë në historinë botërore, që titullohet “Punëtorët dalin nga uzina”. Në këtë moment inaugurohet një realizëm që nuk ekzistonte më parë. Ky moment në historinë e kinematografisë ka qenë dramatik për artet pamore, sepse tashmë prezantimi i realitetit bëhej në një mënyrë jashtëzakonisht reale. Të gjithë artistët ishin në krizë, se si mund të ballafaqoheshin me realitetin, nëse kishte një kopje aq të saktë të tij. Ndërsa nëntitulli “Duke mos parë më realizëm socialist” i referohet faktit që punëtorët kanë dalë nga studioja.

Në galeri ekziston një pikturë e Sali Shijakut “Zëri i masave”, e cila tregon punëtorë në një studio, duke diskutuar mbi veprën e artistit, ndërsa ky i fundit është në një cep duke dëgjuar. Por ky moment nuk ekziston më. Ata kanë dalë, ata punojnë diku tjetër, por jo më bashkë me artistin për të paraqitur ndonjë realitet, qoftë ai socialist apo diçka tjetër. Kjo është një referencë më shumë historike se sociale. Ishte një kohë këtu në Shqipëri, kur kishte një lidhje shumë të ngushtë mes artistëve dhe klasës punëtore dhe kjo lidhje nuk është më. Në atë kohë, kjo lidhje ishte një mënyrë e përfaqësimit të realitetit, ndërsa sot patjetër duhet të ketë lloje të tjera lidhjeje.

Është kjo ekspozitë një mënyrë për të gjetur forma të reja shprehjeje?

Kjo ekspozitë është një përpjekje për të gjetur mënyra të ndryshme, se si mund të përfaqë- sohet realiteti dhe që në ndonjë mënyrë mund të krahasohen me atë të socializmit.

Përveç veprave të nxjerra nga fondi i GKAsë, ekspozita ofron një tjetër linjë paralele, që përbëhet kryesisht nga fotografi. Të kujtojnë vitet e diktaturës shqiptare, por nuk janë realizuar në Shqipëri…

Në disa prej veprave ka një paralelizëm shumë të pastër: përfaqësimi i ndërtimit të socializmit dhe ndërtimit të një shteti të ri, tani, në këtë moment në Kurdistan. Para hapjes së ekspozitës patëm një takim me piktorin Anastas Kostandini, i cili është përfshirë në ekspozitë. Pa pasur asnjë kontekst fillestar dhe asnjë koncept kuratorial në dorë, ai e kuptonte menjëherë, drejtpërdrejt, se cila ishte përpjekja e kuratorit në këtë paralelizëm. Ishte një moment shumë i rëndësishëm, që tregon se duhet të hapet një dialog me artistët. Këto vepra duhet të ekspozohen, por mënyra e ekspozimit të asaj kohe nuk mund të kthehet më. Duhen vendosur në një kontekst të ri. Pa këtë ato nuk do të mbijetojnë. Konteksti origjinal në të cilin ato janë krijuar, nuk ekziston më. Punëtorët kanë dalë nga studioja dhe kjo mungesë duhet të plotësohet me diçka tjetër. Mund të ftohen artistë të tjerë bashkëkohorë, që mund të bëjnë krahasime apo të sjellin punët e tyre. Këto janë mënyrat, sipas të cilave mund të bëhet një dialog dhe mund të krijohet një kontekst i ri, që nevojitet për mbijetesën e këtyre veprave.

Goditja e menjëhershme, sapo hyn në GKA, janë katër makinat e ndezura, që ndodhen në holl, cila është simbolika e tyre?

Kjo është një punë, e menduar fillimisht për një ekspozitë në Karakas, në Venezuelë në vitin 2007, nga artisti Santiago Sierra, në një kontekst krejt tjetër. Duke menduar për këtë ekspozitë, e pamë të udhës t’ia përshtasnim realitetit shqiptar. Katër makina të zeza, të ndezura, jashtë, nuk janë asgjë e çuditshme. Ne jetojmë në një nga qytetet më të ndotura në botë, prandaj fokusi mbi aspektin ndotës të këtyre makinave, që gjatë ekspozitës ndosin ambientin, mund të jetë një mënyrë përmes së cilës mund të përfaqësohet realiteti i Tiranës. Por mund të ketë edhe një kuptim tjetër. Këto makina mund të jenë si një metaforë për veprat që janë brenda fondit të galerisë, për të cilat ka njerëz që mendojnë se janë “ndotëse” dhe përfaqësojnë një epokë të historisë shqiptare që duhet fshirë, sepse ndosin diskursin publik dhe dalin jashtë në një mënyrë të paprekshme si tym. Pra, një vepër që nuk ishte konceptuar për këtë institucion, gjatë kohës së përgatitjeve për ekspozitën, akumuloi domethënie të reja dhe mund të vazhdojë ta bëjë këtë.

A ka me të vërtetë vepra “ndotëse” në art?

Patjetër. “Ndotëse” në shumë mënyra. Mendoj se gjatë periudhës komuniste veprat e periudhës moderniste konceptoheshin si “ndotëse”. Varet nga konteksti, nga koha, çfarë quhet e huaj, e çuditshme, e ndaluar, toksike…

Për të përzgjedhur punët që i përkasin realizmit socialist, sipas konceptit tuaj, duhet të keni hyrë në fondin e GKA-së, çfarë zbuluat atje?

Po, kemi hyrë në fond. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, që është jashtëzakonisht i pasur dhe unik në rajon, vihet re një mungesë e thellë investimesh, mungesë buxheti. Besoj se kjo është përgjegjësia e pushtetit të sotëm, që të hedhë para për këtë. Ka diçka unike në këtë fond. Në institucion ka njerëz që e dinë se si duhen trajtuar këto vepra, në mënyrë që të ruhen edhe për brezat e ardhshëm, por në momentin që nuk ka buxhet, nuk mund të bëhet asgjë. Kjo është një situatë, besoj unë, alarmante. Është një emergjencë, e cila mund të quhet edhe kombëtare, si përmbytjet.

Në këtë rast nuk përmbyten qytete dhe fusha, por një pasuri e jashtëzakonshme, që mund të humbasë përgjithmonë. Nëse kjo do të ndodhë, nëse kjo pasuri do të humbasë, do të ishte përgjegjësia e pushtetit të sotshëm, sepse ata e kanë njohurinë, kanë një Kryeministër artist, që ka vepra brenda Galerisë dhe ai duhet ta dijë se si është situata. Dhe jam i bindur që ai e njeh situatën. Emergjencat e tjera ekonomike, bujqësore etj., patjetër që janë shumë të rëndësishme, por nëse kjo pasuri do të humbasë, nuk mund të rikthehet prapë. Mund të rindërtohet një uzinë, një shtëpi, por nuk mund të rindërtohet kurrë ky fond.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura