Gjatë shtatzenisë, zbulohen dy foshnja me SIDA, i infektuan nënat

Jun 25, 2012 | 12:12
SHPËRNDAJE

Nënat nga Vlora e mësuan sëmundjen pas lindjes së fëmijëve, nuk kryen analizat gjatë shtatzënisë. ISHP: 28 raste të reja me SIDA.

Nuk e dinin për sëmundjen. E mësuan pas lindjes së foshnjave

Instituti i Shëndetit Publik: Nuk kryhen analizat gjatë shtatzënisë. Alarm për çiftet e reja.

Kanë mësuar se janë infektuar nga virusi HIV vetëm pasi kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre. Nga 28 rastet reja me SIDA, të zbuluara 6 muajt e fundit, të paktën dy foshnjat mund të ishin shmangur.
Drama familjare ka rastisur që në të dyja rastet t’i përkasë qytetit të Vlorës. Lajmin e konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Janë çifte të reja të grupmoshave nga 25-30 vjeç. Nënat nuk kishin kryer asnjë nga analizat, të cilat lehtësisht mund të evitonin sjelljen në jetë e fëmijëve të infektuar. Nuk dihet nëse kanë qenë ato që ua kanë transmetuar partnerëve, apo anasjelltas”, thanë burime nga ISHP. Sipas tyre, për shkak të mungesës së sensibilizimit për marrëdhënie seksuale të mbrojtura, çiftet e reja rrezikojnë jo vetëm veten, por edhe pasardhësit.
Për këtë problem një pjesë e fajit i referohet edhe sistemit shëndetësor, i cili ka jashtë protokollit të analizave të shtatzënisë ato të domosdoshme për virusin HIV. Ata madje theksojnë se ndërhyrjet në ligj do të ishin një hap shumë i mirë për të shmangur këtë fenomen.
“Aktualisht, vetëm 5% e grave shtatzëna kryejnë analizat për virusin HIV gjatë shtatzënisë. Mungesa e tyre ka bërë që të lindin jo pak fëmijë të infektuar gjatë këtyre viteve. Ndonëse kryerja e analizave nuk është e detyrueshme, vetë nënat e reja duhet të ndërgjegjësohen për t’i kryer ato”, shprehen specialistët e ISHP-së.
Edhe pse sot në të gjitha rrethet e vendit ekzistojnë qendra ku ekzaminimet kryhen falas, numri i personave që shkojnë vullnetarisht është tepër i ulët. Rreth 3% e popullsisë mund t’i ketë kryer, ndërkohë që numri i të infektuarve është disa herë më i lartë se shifrat zyrtare. Instituti i Shëndetit Publik sqaron se koha kur virusi sillej nga emigrantët ka kaluar. “Tani sëmundja qarkullon brenda vendit, ndaj sidomos të rinjtë duhet të bëjnë kujdes dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Vetëm kështu mund të shmangin infektimin jo vetëm nga SIDA, por edhe nga dhjetëra sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme”, thonë specialistët e ISHP.
Rreth 71% e rasteve të reja me SIDA mësojnë rastësisht për sëmundjen. Ata drejtohen në spital për shqetësime të tjera me shëndetin dhe pas analizave rezulton se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Vetëm 7% e rasteve paraqiten vullnetarisht pranë ISHP-së apo spitalit infektiv.

Statistika
26 fëmijë
92% e të infektuarve e kanë marrë sëmundjen
në rrugë seksuale

81% e kanë marrë virusin në rrugë
heteroseksuale dhe 11% homo-biseksuale

65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45
vjeç, një grupmoshë seksualisht aktive

70% e rasteve janë meshkuj dhe 30% e tyre
janë femra

53% e rasteve janë diagnostikuar në stadin
AIDS, fakt ky që thekson edhe një herë për një
diagnostikim të vonshëm të kësaj sëmundjeje

3 për qind e popullsisë ka kryer analizat për
virusin HIV. Ndërkohë, mungon ndërgjegjësimi për
kryerjen e analizave

Rruga seksuale
Në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, në total 92%, ku 81 % i përket rrugës heteroseksuale dhe 11 % homo-biseksuale. Rreth 65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45 vjeç, një grupmoshë seksualisht aktive. Për sa i përket shpërndarjes totale sipas gjinisë, 70% e rasteve janë meshkuj dhe 30% e tyre janë femra. Gjatë dy viteve të fundit shihet se ka një rritje të përqindjes së femrave të infektuara, e cila shkon në 34%.

Reagimi ndaj virusit
Përgjigja imune ndaj virusit HIV nga trupi i njeriut është e ngadalshme. Ajo merr deri në gjashtë muaj në mënyrë që trupi do të siguroje një prodhim të antitrupave anti-HIV që mund të zbulohet me siguri nga testet diagnostike për HIV. Në këtë fazë, një person do të jetë në gjendje të zbulojë nëse është infektuar me HIV pas një testi të gjakut. Megjithatë, personi i infektuar mund ta transmetojnë virusin te të tjerë gjatë “periudhës dritare”, kur antitrupat e HIV ende nuk mund të zbulohet në gjak.

ZIRINA LLAMBRO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura