Gishtoja

Dec 15, 2019 | 10:37
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja (1)

E kush nga fëmijët e sotëm shqiptarë nuk e njeh Gishton, këtë figurë të përrallave të moçme shqiptare, që ka vëllezër në disa vende të Europës si Franca, Greqia, Gjermania, Rumania e Rusia!

Zoti Internet na mëson, duke iu referuar “Fjalorit të mitologjisë e të demonologjisë shqiptare”, se në përrallat shqiptare, ashtu si edhe te varianti i vëllezërve Grim, Gishtoja – i njohur në viset tona edhe me emrat Cinxamiu, Koçomiu, Kokërrmeli etj., – është një personazh i shkathët e i zgjuar: Edhe pse i vogël pikërisht sa një gisht, për të mashtruar kusarët, ai futet në veshin e kaut, në barkun e ujkut dhe, pasi shpëton bagëtitë e disa barinjve, kthehet shëndoshë e mirë pranë prindërve të tij.

Po të kisha qenë sot fëmijë, do të isha habitur përse ky personazh, bashkë me një tjetër – atë që, në njërën prej përrallave të Andersenit, kur pa mbretin lakuriq, tha: “Po ky qenka lakuriq!”, ndërkohë që tërë oborrtarët shprehnin me fjalë e me gjeste admirimin e tyre të pakufishëm për rrobat e reja të Madhërisë së tij –, pra, përse ky personazh ende nuk ka ardhur mes nesh! Po, po, e dashur lexuese dhe i dashur lexues, do të isha habitur, besomëni!

Gishtoja ynë po vonon të vijë për t’i vënë me shpatulla pas muri kusarët që po na mashtrojnë, vjedhin e rrjepin prej disa dekadash duke na premtuar mrekullira, por të cilëve tërmetet e 21 shtatorit e të 26 nëntorit ua çorën maskën dhe ua nxorën bojën e lakrat në shesh. Megjithatë, para disa ditësh ndodhi diçka që më shtyn sot të mendoj se Gishtoja ynë është shfaqur më në fund edhe në Tiranë. Është shfaqur në një moment pak si të çuditshëm dhe në një hapësirë ku nuk do ta prisja kurrë.

Është shfaqur, pra, në çastin kur Kryeministri Rama, në sheshin gungaç “Skënderbej”, po gatitej të ndizte dritat e Bredhit gjigant të Vitit të Ri xhuxhmaxhuxh shqiptar, që së shpejti do t’ia marrë stafetën mjerane Vitit të Vjetër, i cili na solli dhuratë, ndër të tjera, dy tërmetet në fjalë dhe pasojat e tyre në jetë njerëzish e në shkatërrime tronditëse të banesave të tyre. Pikërisht në atë moment fatkeq për Kryeministrin Rama, disa zëra nga të pranishmit e qerasën atë me një “Rama ik!” dhe jo me ndonjë gotë Ramazotti.

Oh, e kuptoj që në krahasim me turmën e tifozëve kuqezi që, në stadiumin e përçudnuar “Air Albania”, gjatë ndeshjes ShqipëriFrancë, sokëlliu fuqishëm “Rama ik!”, ata zëra guximtarë nuk ishin të panumërt, por çudia ndodhi: Pikërisht në atë çast, u shfaq Gishtoja! Po, po, pa diskutim që ishte Gishtoja, veçse jo ai që kam njohur kur isha i vogël! Lexueset e lexuesit e mi të shtrenjtë, mos pandehni se kam lajthitur, ndonëse qysh nga koha kur lexoja përrallën e Gishtos, lajthitë më shijojnë jashtë mase, por kjo që sapo lexuat është e vërtetë.

Disa dëshmitarë pamorë m’u betuan se në çastin kur, pak metra para Kryeministrit Rama, u dëgjua qartas togfjalëshi “Rama ik!”, u shfaq pikërisht Gishtoja, por i zvetënuar, aspak me tiparet e Gishtos së fëmijërisë sime e të moshatarëve të mi. Dëshmitarët në fjalë dhe të pranishmit e tjerë aty rrotull vunë re sesi, një gisht, por me “g” të vogël dhe pa “o” në fund, një gisht arrogant e i paturpshëm prej mishi e kocke, pra, gishti i mesit, ishte shfaqur, sigurisht pa dijeninë e Kryeministrit Rama, pra, ishte shfaqur instinktivisht, në njërën dorë të tij, i tendosur në shenjë reagimi fyes ndaj atyre që, të rrethuar nga fëmijët, kishin guxuar ashtu si tifozët kuqezi, ta sfidonin me parullën e hedhur nga qindra mijëra njerëz gjatë dhjetë protestave të organizuara para disa muajsh prej opozitës shqiptare. Oh, sa zhgënjyes m’u duk, më duket e do të më duket gjithnjë, sa herë që ta kujtoj, ky lloj gishtoje me “g” të vogël!

Po, zhgënjyes, krejt zhgënjyes, sepse një dyshim më gërryen e do të më gërryejë vazhdimisht: Ndërkohë që Gishtoja ynë popullor, për t’i luftuar kusarët futej, kur e gjykonte të nevojshme, edhe në veshin e kaut apo në barkun e ujkut, po gishti i mesit kryeministror ku kërcënonte të futej? Në ndonjë vrimë? Nëse po, në cilën vrimën? Gjithsesi, e keqja nuk ka fund! Vërtet, nuk ka fund!… Nuk ka fund, sepse Kryeministri Rama mund të kishte ngritur madje, përherë instinktivisht, njërin prej parakrahëve të tij me dorën e mbledhur grusht!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura