“Gazment Bardhi nuk ka paraqitur asnjë kallëzim”- Rrëzoi padinë e vëllait të kryeministrit ndaj kreut të Grupit të PD-së, zbardhet vendimi i prokurorit të SPAK

Apr 25, 2024 | 15:05
SHPËRNDAJE

Është zbardhur vendimi i prokurorit të SPAK që rrëzoi padinë e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, ndaj kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi për kallëzim të rreme.

SPAK

Sipas vendimit të argumentuar nga prokurori Elvin Gokaj, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së nuk ka bërë kallëzim penal ndaj Olsi Ramës.

“Pas verifikimeve të kryera, nuk rezulton që shtetasi Gazment Bardhi, të ketë depozituar ndonjë kallëzim penal ndaj shtetasin Ols Rama. Pra, nuk rezulton që nga ana e shtetasit Gazment Bardhi apo ndonjë përfaqësues i tij të jetë depozituar kallëzim penal pranë prokurorisë apo oficerit të policisë gjyqësore, që të konsiderohet se është paraqitur kallëzim”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorit, “nëse Gazment Bardhi do të kishte depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose policisë gjyqësore, atëherë do të ishim para faktit për të rregjistruar procedim penal mbi kallëzimin e shtetasit Ols Rama për të hetuar nëse ishim ose/jo para figurës së veprës penale të “Kallezimit të rremë”.”

66

SPAK argumenton se për shkak se Gazment Bardhi nuk ka depozituar kallëzim ndaj Olsi Ramës, atëherë nuk mund të provohet që ai ka kryer “kallëzim të rremë”, akuzë për të cilën e paditi edhe vëllai i kryeministrit.

“Në këto kushte, përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk provohet si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale.

Përsa më sipër, referuar akteve dhe verifikimeve të kryera, arrijmë në konkluzionin se nuk jemi përpara elementëve te veprës penale të “Kallëzimi i rremë”,”, thuhet në vendim.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura