“Gati për çdo sfidë elektorale”, zbardhen porositë e Gjiknurit për krerët e PS: Të jemi gati në çdo moment të përballojmë…

Oct 27, 2021 | 10:06
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste po përgatit strukturat e saj për zgjedhje të pjesshme në 6 bashki, aty ku vendi i kryetarit mbetet ende vakant prej disa vitesh. Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, është duke punuar me strukturat e kësaj partie për këtë qëllim.

gjiknuri

Përmes një statusi të bërë dje në “Facebook”, Gjiknuri lajmëronte qëllimin e riorganizimit të brendshëm të PS-së, me objektiv elektoral që mund të ndodhin, sipas tij, në çdo moment.

“Durrës – Bashkë me Blendin dhe Etjenin zhvilluam një takim me kryetarët e Partisë Socialiste të 61 bashkive të vendit. Në fokus të takimit ishte ecuria e analizës postzgjedhore, njëkohësisht dhe ecuria e regjistrimit online të anëtarësisë, procese tepër të nevojshme për vetë fazën intensive të riorganizimit që ka hyrë Partia Socialiste.

Përmbyllja e këtyre proceseve do të konkludojë me përgatitjen e një platforme të mirëfilltë elektorale organizimi, sikurse është regjistri dixhital, dhe konsolidimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste për të qenë gati në çdo moment të përballojmë me sukses çdo sfidë elektorale”, shkruan Gjiknuri për takimin e djeshëm me krerët socialistë në 61 bashki.

Burime pranë Partisë Socialiste thanë dje për gazetën “Panorama” se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit pritet që Presidenti Meta të dekretojë datën e zgjedhjeve të pjesshme për 6 bashkitë të cilat drejtohen ose me kryetarë të komanduar, por jo të zgjedhur, ose me ish-kryetarin, por pa mandat, siç është rasti i Shkodrës ose me nënkryetarët.

Vakancat kanë ardhur pas dorëheqjeve për shkak të ligjit të dekriminalizimit, apo proceseve penale ndaj kryetarëve të zgjedhur në vitin 2019.

VAKANCAT

Shkodra ishte bashkia që do të krijonte precedentin e parë të drejtimit pa kryetar. Në zgjedhjet lokale të qershorit 2019, për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga marrja e detyrës.

Ndaj, në krye të Bashkisë vijon të jetë Voltana Ademi, mandati i së cilës ka përfunduar prej 2 vitesh. Saga e bashkive pa kryetar do të vazhdonte më pas me Durrësin. Pas një deklarate të pamatur, pak ditë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit kryetarja Valbona Sako dha dorëheqjen nga posti, për t’u zëvendësuar me Emirjana Sakon.

E radhës do të ishte Bashkia e Vorës, ku shkak do të bëhej sërish ligji i dekriminalizimit, i cili do të prekte kryetarin e saj, Agim Kajmaku. Ky i fundit u zëvendësua nga Gentian Picari.

Ndarja nga jeta e kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla, do të vendoste në krye të këtij institucioni nipin e këtij të fundit, Edision Memollën. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, do të garonte për deputet, ndaj karrigen e tij në krye të Bashkisë e zuri Shkelqim Murrja.

I fundit që do të mbyllte sagën e bashkive pa kryetar ishte kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i cili u shkarkua nga Kryeministri Rama, pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK. Vendin e tij e zuri nënkryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura