Garë e fortë, Obama e Romnej baraz në sondazhe

Nov 3, 2012 | 15:10
SHPËRNDAJE

SHBA, Romnej duhet të përmbysë rezultatet në 5 shtete për fitoren .

Rritet numri i të punësuarve, lehtësim për Presidentin.

Ndërsa fushata presidenciale në SHBA ka hyrë në ditët e saj të fundit, sondazhet kanë treguar se gara është shumë e fortë, me një përparësi të lehtë për Presidentin Obama.  Llogaritjet e fundit me mesataren e të gjitha sondazheve së bashku treguan se Obama ka 47.4 për qind mbështetje në rang kombëtar, ndërsa Romnej 47.1 për qind. Megjithatë, në shtetet e betejës së fortë Obama ka pak avantazh, aq sa është i mjaftueshëm për t’i dhënë fitoren. Në këto shtete një kandidati i duhen 270 vota plus. Me vetëm katër ditë nga votimi final, organizatorët e sondazheve janë në gatishmëri të plotë, sepse çdo ngjarje mund të lëkundë votuesit e pavendosur dhe të ndryshojë statistikat.  Pothuajse të gjitha sondazhet i japin përparësi në rang kombëtar Presidentit Obama me përjashtim të dy prej tyre. Rasmussen dhe Gallup i japin avantazh të ndjeshëm sfiduesit republikan, por të dhënat e tyre janë publikuar përpara se të godiste uragani “Sandy”. Megjithatë, duke llogaritur të gjitha sondazhet, asnjë prej kandidatëve nuk mund të quhet fitues i sigurt. Obama vazhdon të drejtojë nga dy në katër pikë në katër shtete të rëndësishme: Ohajo, Ajoua, Nevada dhe Uiskonsin, që duke u llogaritur me shtetet e tjera ku ai kryeson, i japin 277 vota elektorale avantazh, shtatë më shumë nga sa i duhen një kandidati për të fituar. Në katër shtete të tjera të rëndësishme, ai kryeson me më pak se dy për qind, duke siguruar 55 vota elektorale: Kolorado, Nju Hempshajër, Virxhinia dhe Florida. Për të fituar zgjedhjet, Romnejt i duhet të përmbysë rezultatet e deritanishme në të katërta këto shtete, plus të marrë Ohajon ose dyshen Nevada-Ajoua. Nga përkrahësit që deri tani kanë mbështetur Romnejn, rreth 11 për qind thonë se ka mundësi të ndryshojnë mendje deri ditën e votimit, sipas Reuters. Ndërsa nga ata që kanë mbështetur deri tani Obamën, 8 për qind mendojnë se deri më 6 nëntor mund të mbështesin Romnejn. Një tjetër faktor që ndikon mirë për Obamën katër ditë para zgjidhjeve, ishte publikimi i të dhënave nga Departamenti i Punësimit. Papunësia është rritur me 0,1 për qind, por numri i të punësuarve është më i madh, të dhënat shkojnë në proporcion të zhdrejtë, sepse duke pasur më shumë optimizëm për hapjen e vendeve të reja të punës, më shumë amerikanë kanë kërkuar punë në zyrat e punësimit. Nëpunësit kanë shtuar 171 000 vende pune gjatë muajit tetor, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Punës. Sipas qeverisë, rreth 84000 vende të reja pune më shumë nga sa ishin parashikuar u krijuan në gusht dhe shtator. Shkalla e papunësisë tani është 7.9 për qind, por kjo për shkak se punëtorët po kthehen në forcën e punës. Të dhënat e fundit janë lehtësim për Presidentin Obama, ndërsa Romnej po sulmon, duke deklaruar se 171 mijë vende të reja pune nuk tregojnë se papunësia është ulur. Dy rivalët po përpiqen të kapen secili në të dhënat e papunësisë për të rritur mbështetjen ndaj vetes. Gara mbetet shumë e fortë.

Te dhenat
Agjencitë      datat    Të anketuarit    Obama     Romnej

PPP     30.10-1.11     1200    49        48

IPSOS/
Reuters     28.10-01.11     4556    47        46

ABC/W.Post    28.10-31.10    1293    49        48

Rasmussen    29.10-31.10    1500    47        49

Zogby/
Newsmax    29.10-31.10    1030    47        47

UPI/CVOTER    25.10-31.10    1112    48        48

Foxnews    28.10-30.10    1128    46        46

HP universit    22.10-30.10    805    46        43

YouGOV/
Econimist    27.10-29.10    668    48        47

National
Journal     25.10-28.10    713    50        45

ARG    25.10-28.10    1200    48        48

Pew Research    24.10-28.10    1495    47        47

Gallup    22.10-28.10    2700    46        51

IBD/TIPP    22.10-27.10    942    45        44

GWU/Politico    22.10-25.10    1000    49        48

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura