“Fuqia e zërit im live bëri diferencën”- Shqiptari tregon si u përzgjodh për të përfaqësuar Zvicrën në Eurovision dhe zbulon dëshirën për të prezantuar vendin e tij

Apr 14, 2021 | 16:47
SHPËRNDAJE

Gjon’s Tears është këngëtari i parë shqiptar që do të përfaqësojë Zvicrën në festivalin e madh europian të këngës, Eurovision.

22-vjeçari Gjon Muharremaj do performojë në Roterdam këngën “Tout l’Univers” dhe kjo eksperiencë për të është unike, si edhe do e ndihmojë shumë në rrugëtimin drejt botës së muzikës.

“Jam ndjerë shumë krenar dhe me fat se është eveniment shumë unik dhe do më japi shumë eksperiencë në artin tim,”- tha i riu në një intervistë për “Telegrafi.com”.

Teksa tregoi arsyen përse ishte pikërisht ai që u përzgjodh për të përfaqësuar Zvricrën në Eurovision 2021, Gjon’s Tears u shpreh se “kishte diferencë të madhe me të tjerët në fuqinë e zërit dhe bukurinë e temës që trajtonte teksti i ‘Répondez-moi’”.

“Kënga “Répondez-moi” është kompozuar tek një “Writting camp” në Cyrih me një duet zviceran qe quhen Aliose. Në atë moment që lindi kjo këngë që fliste për origjinë, identitet dhe vet pyetje të jetës, u binda të provoja të merrja pjesë tek konkursi ku ishin 600 këngë të regjistruara. Diferenca më e madhe qe kisha me të tjerët, më thanë televizioni i Zvicrës, ishte fuqia e zërit tim live dhe bukuria e temës që trajtonte teksti,”- tha këngëtari.

Teksa foli për prejardhjen shqiptare ai u shpreh: “Unë jam lindur në Zvicër nga prindër që kanë imigruar. Babai im është nga Suhareka në Kosovë dhe mamaja nga Tirana në Shqipëri. Jemi një familje e madhe, kështu që vija çdo vit të shikoja kushërinjtë e mi dhe familjen e gjerë. E kemi pas si traditë në pushimet e verës dhe të dimrit.”

Ndërsa pyetjes nëse do të kishte dëshirë që në të ardhmen ta përfaqësonte Shqipërinë ose Kosovën në “Eurovision”, 22-vjeçari iu përgjigj: “Pse jo. Me gjithë qejf.”

Gjon’s Tears komentoi edhe këngën “Karma” të Anxhela Peristerit, që do përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në festivalin e muzikës.

Ai u shpreh se i ka pëlqyer shumë kënga dhe se Anxhela Peristeri është një artiste me shumë talent.

“Më ka pëlqyer shumë. Besoj me të vërtetë që është një këngëtare me shumë talent dhe kemi folur së bashku disa here,”- shtoi Gjon Muharremaj.

Ndërsa refuzoi të japë detaje nga performanca që do japë në natën e dytë gjysmëfinale në skenën e Rotterdam, duke theksuar se: “Për momentin është shumë herët për të dhënë sekrete të performancës time, por shpresoj që do t’ju pëlqejë dhe i besoj bashkëpunëtores Sacha Jean-Baptiste për atë.”

Gjon’s Tears mori famë kur u bë pjesë e spektaklit “Albanian’s Got Talent”, rreth një dekadë më pare, ku i impresionoi të gjithë me zërin e tij.

Në këtë kompeticion, këngëtari arriti deri në finale, ku u rendit në vendin e tretë.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura