“Fundi i një epoke, iku Krajka, po kush mbeti?!”/ Zhani Ciko: Ishte besnik i këngës shqiptare! U fut në festival për…

Mar 3, 2021 | 12:18
SHPËRNDAJE

Në morinë e lajmeve të hidhura në këtë kohë pandemie, ndarja nga jeta e Agim Krajkës ka qenë nga ato lajme që nuk mund të linin indiferent, aq më tepër për të gjithë ata që kanë punuar me të, që kanë kënduar këngët e tij apo janë rritur me to.

krajka-zhani cikoPor aq më tepër të kolegëve, që kanë ndarë me të momente të bukura e të vështira.

“Agim Krajka u fut në muzikën shqiptare në momentin shumë të rëndësishëm, kur për herë të parë u shpalos Festivali i Këngës në RTSH. Ai hapi derën e festivalit e u fut atje për të qenë një nga bashkudhëtarët e suksesshëm të këngës shqiptare. Ndryshe nga të tjerë, nuk u prezantua vetëm në këngë, por bashkë me poetin dhe këngëtaren. Ai kishte menduar mirë, ishte besnik i këngës shqiptare, u mbështet në vokalitetin e një këngëtareje si Vaçe Zela dhe kishte dhe një poet që u shkonte me temën e tyre rinore shqiptare, Haxhi Ramën”, thotë maestro Zhani Ciko.

“Kur mësova lajmin e humbjes së Agim Krajkës, m’u kujtua një fjali e huazuar nga Ernest Koliqi që ka thënë, ‘Një krua melodie, që u tha’. Ai e shndërroi muzikën e tij normale, në një kohë jonormale. Për këtë arsye me largimin e tij, krijimtaria e Krajkës merr një përmasë tjetër, pasi nuk duhet harruar që pjesa më e madhe e muzikës së tij është bërë para viteve ’90. Ai arriti në këtë nivel për shkak të talentit, por dhe për shkak të profesorit të tij Çesk Zadeja, që i frymëzonte studentët që të shkruanin muzikë, duke u mbështetur te tharmi kombëtar”, shprehet muzikologu, akademik Vasil Tole.

Gati një vajtim mesazhi këngëtarit Sidrit Bejleri, i cili ndjen keqardhje jo vetëm për ikjen e Krajkës, por edhe pasardhësit e munguar të tij. “Iku dhe Agim Krajka… Por na la shumë këngë dhe vepra që do vazhdojnë të dëgjohen dhe këndohen: ‘Djaloshi dhe shiu’, ‘Kënga e gjyshes’, ‘Lemza’, ‘Nuk e harroj’ e shumë këngë të tjera të muzikë së lehtë shqiptare, kolona zanore dhe vepra të tjera të shkruara nga ‘Nderi i Kombit’, Agim Krajka. Po ikin korifenjtë e artit shqiptar, po kë po lenë prapa? Zoti e pastë në Mëshirën e Vet!”, shkruan Bejleri.

Për poetin Sadik Bejko, vdekja e Krajkës ishte mbyllja e një epoke që nisi nga hiçi. “Një lajm i hidhur. U nda nga kjo jetë Agim Krajka. Vdekja e Krajkës sjell fundin e një epoke për muzikën e lehtë shqiptare, mbyll perden e një trashëgimie muzikore më se gjysmëshekullore që u ngrit nga hiçi, kulmoi dhe bie në fashë, tani me ikjen përgjithmonë të Krajkës. Ndez një qiri për shpirtin e tij. Ishte një talent që i vuri vulën gjithë periudhës kohore kur jetoi. Qe i pëlqyer dhe i adhuruar nga të rinjtë e kohës së tij. Nga këngëtarët. Në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare kanë zënë vend përjetësisht një duzinë nga meloditë e krijuara prej tij. Ishte virtuoz në fizarmonikë. Ishte një drejtues artistik (realisht) i orkestrës dhe jo vetëm i saj, i gjithë atij formacioni të quajtur Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Ngushëllime muzikantëve nga brezi i Krajkës. Ata humbën një korife. Ngushëlloj familjen, miqtë”, shkruan poeti e studiuesi Sadik Bejko.

“Lamtumirë, maestro Krajka. Mjeshtëria, eleganca, gjenialiteti ishin ato kualitete që të shoqëruan në të gjithë jetën. Ne mezi prisnim fundvitin të ndiqnim çfarë Krajka i madh ka kompozuar këtë vit në festival. Faleminderit për gjithçka që na fale”, shkruan kompozitori Shpëtim Saraçi.

KOMPOZITORI I DASHURISË

Do të mbetet i përjetshëm imazhi i Agim Krajkës me fizarmonikën e hedhur supeve e me kokën e mënjanua, teksa gishtat luajnë në tastierë. Dukej sikur për një njeri si Kajka mosha nuk kishte asnjë rëndësi e peshë. Krijimtaria e Agim Krajkës shtrihet nga muzika e lehtë, në muzikën popullore, klasike dhe kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë.

Krijimtaria e Krajkës përfshin qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suitë me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike.

Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve ’70-‘80. Disa nga veprat më të njohura të kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj., nuk do të ishin të njëjtat pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.

Në vitin 1963, Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime, mes të cilave shumë të dyta, pasi Krajka ishte tepër modern për të fituar vendin e parë, që ishte gjithnjë i partisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura