Fullani: Qytetarët s’po blejnë, kanë më pak para

Nov 1, 2012 | 14:21
SHPËRNDAJE
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Konsumi i brendshëm vijon të mbetet shqetësim për Bankën e Shqipërisë. Guvernatori Ardian Fullani, gjatë konferencës që dha pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, sqaroi arsyet se pse kjo kërkesë ka vijuar të mbetet e ulët dhe pse ritmi i rritjes nuk ka arritur të jetë as në shifrat e një viti më parë. Për kreun e BSH-së, qytetarët janë të pasigurt, por faktorë të tillë si problemet në tregun e punës, por edhe të pasurit të më pak të ardhurave në dispozicion, detyrojnë këtë sjellje konservatore. “Ecuria e këtij komponenti të kërkesës së brendshme vijon të ndikohet nga pasiguria e perceptuar, nga mungesa e dinamizmit në tregun e punës dhe, së fundi, edhe nga ngadalësimi i treguesit të të ardhurave të disponueshme. Të përballur me një kërkesë të ulët finale për produktet e tyre, si dhe prani të kapaciteteve të pashfrytëzuara dhe të kushteve relativisht të shtrënguara të kreditimit, edhe investimet private kanë mbetur të ulëta”, tha Fullani. Në situatë disi më të mirë paraqitet kërkesa e jashtme. Pavarësisht krizës, tregjet e huaja kanë rritur kërkesën për prodhimet shqiptare, duke përmirësuar kështu edhe balancën në deficitin tregtar. Një tjetër pikë ku u ndal guvernatori Ardian Fullani ishte edhe ajo e kreditimit. Sipas tij, në tremujorin e tretë është vënë re një rritje e dukshme e depozitave, por krejt e kundërta ka ndodhur me kreditimin. Kështu, problemi për huamarrjen qëndron te të dyja palët, si te kërkesa, edhe te oferta. Për guvernatorin, kërkesa për kredi ka qenë e ulët, ndërkohë që edhe oferta ka rezultuar e shtrënguar nga ana e bankave, e lidhur kjo me pasigurinë. “Lehtësimi i kostove të financimit nuk ka gjetur përçim të plotë në segmentin e kredive për sektorin privat gjatë muajve korrik-gusht. Në veçanti, kostot shtesë që bankat kërkojnë për akordimin e kredisë së re mbeten ende të shtrënguara, në përgjigje të pasigurisë së perceptuar dhe mekanizmit reagues të tyre për reduktimin e rrezikut në procesin kredidhënës”, tha ai. Banka e Shqipërisë, pas uljeve të njëpasnjëshme të normës së interesit për të nxitur kreditimin dhe norma të favorshme, duket se tashmë ka hequr dorë. Edhe pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mbikëqyrjes, norma e interesit të lekut ka mbetur  e pandryshuar, në 4 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura