FOTOT/ Erosi në ekspozitën e nudove të Eva Sulës

Feb 9, 2016 | 8:04
SHPËRNDAJE

Ekspozita në fotografitë nudo “Muza e Zbuluar’ të fotografes Eva Sula, përpara se të vendosej në Shkodër, erdhi edhe në Tiranë. Fotografitë u ekspozuan në Qendrën Rinore në Tiranë, siç nuk kishte ndodhur më parë. Eva, në fakt, është e para femër që sjell një ekspozitë të këtij lloji në Shqipëri.

Eva Sula
Eva Sula

Për të realizuar gjithë këtë, fotografja ka zgjedhur tri modele, me të cilat ka realizuar 40 fotografi, apo, siç i quan ajo vetë, shkrime me dritë. I janë dashur thuajse dy vjet për të përzgjedhur punët më të mira e për të përfunduar idenë që kishte në kokë. Muza, sipas saj, gjendet pikërisht te trupi i zhveshur i femrës. Kjo është ideja fillestare e kësaj ekspozite që në datën 5 shkurt do të çelet edhe në qytetin e Shkodrës.

Sigurisht që sot nuk flet më kush për thyerje tabush, jo artistët të paktën. Sidoqoftë, janë pikërisht këta të fundit që thonë se për të mbajtur tabutë të rrëzuara duhet një vazhdimësi dhe, në këtë kontekst, punët e Eva Sulës janë një kontribut me vlerë. “Femra është eros dhe erosi është delikat”, këtë mendon dhe këtë ka dashur të përcjellë Sula në fotografitë e trajtuara krejt me delikatesë, brishtësi. Mund të dalloni aty, hera-herës, edhe ‘njolla’ dhune, por asgjë që të kthehet në vulgaritet.

Punë të tilla i duhen këtij vendi, ky ishte komenti i vizitorëve që mundën të shijojnë në atë pak kohë ekspozitën e nudove të Eva Sulës. Për të tjerët që nuk i kanë parë, punët do të jenë së shpejti në Shkodër.

nudo-1

Me ç’ide nisi puna për realizimin e fotografive nudo?

Kjo nuk ishte puna ime e parë me nudot, e kam bërë edhe më parë, madje ato janë gjithnjë në fokusin e aparatit tim. Kështu që, realizimi i kësaj ekspozite me fotografi, nudo ishte vijimi i idesë dhe punës së parë, për të plotësuar me hapjen e dytë të një ekspozite të tillë që shumë shpejt do të marrë trajtën e një cikli që sapo ka nisur. Nudot gjithmonë kanë pasur impakt të fortë te njerëzit dhe shumë shpesh është abuzuar me këtë gjë, sepse e kanë kthyer në pornografi e imazhe abuzive, por unë jam përpjekur të ruaj trajtën artistike duke luajtur me misterin dhe fshehtësinë. Shpresoj që t’ia kem arritur dhe sipas fjalëve që thanë ata që i kanë parë, apo siç mund ta shihni edhe ju vetë përmes fotografive, nuk është asgjë abuzive. Nuk dua të dal asnjë moment jashtë kontekstit artistik.

nudo 2

A është gjithmonë e sigurt se një fotografi nudo do të tërheqë vëmendjen, pra ka brenda njëfarë suksesi ende pa u ekspozuar?

Mundet të jetë e vërtetë, por ky nuk është qëllimi i atij që i realizon, jo i imi të paktën. Ndoshta sepse nuk është punuar shumë me të në fotografi, nudoja ende tërheq vëmendjen, por kjo ndodh më shumë jashtë. Në Shqipëri nuk ka ende vëmendjen e duhur dhe nëse dalim jashtë një rrethi të caktuar që di ta vlerësojë e kuptojë, mundet që ende të gjykohet. Megjithatë, kjo nuk duhet të ndikojë në punën e atij që i realizon.

Edhe për shkak të kësaj që thatë më sipër, a janë ende sot modelet të vështira për të pranuar të tilla propozime nga fotografi, piktori etj.,… si ka qenë në rastin tuaj?

Për sa kohë që është ky realitet, do të reflektohet te të gjithë. Modelet, deri diku, kanë qenë të kompleksuara, por fakti që fotografoheshin nga një femër, i bëri të jenë më të lirshme dhe ta pranojnë më lehtë propozimin. Nuk di çfarë reagimesh kanë kur fotografohen nga një mashkull, sado që mendoj se nuk duhet të kishte ndonjë ndryshim. Na duhet ende kohë për ta trajtuar e pranuar këtë gjë. Siç mund ta shihni, portretet e modeleve nuk se janë të dukshme, por gjithsesi pengesa është e brendshme.

 

nudo 3

Në projekte të mëparshme, ç’ka qenë në fokus të aparatit tuaj?

Ky ka qenë interesi im fillestar dhe do të vazhdojë të jetë. Në Eva Sula fokus kam pasur gjithmonë nudon. Këto fotografi janë vetëm të dytat në ciklin që do të vijojë në faza të tjera.

Si u prit kjo ekspozitë? A u përçua mesazhi dhe ideja që kishe pasur?

Ekspozita u prit shumë mirë, së pari, sepse arrita të shpreh atë që doja unë. Erotikën që buron nga çdo pore e femrës. Dhe po t’i kthehemi pyetjes së mëparshme, kur në këto fotografi abuzohet shpesh, në këtë rast, ajo që u vlerësua ishte arti dhe jo zhveshja.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura