FOTO/ Pronarët braktisën takimin, Rama: Asnjë keqardhje, grupi drejtohej nga trashëgimtari i Parkut e Teatrit Antik të Butrintit

Jul 17, 2015 | 17:31
SHPËRNDAJE

Shoqatat e pronarëve kanë braktisur dje takimin për prezantimin e ligjit të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në shenjë proteste ata u larguan nga salla, duke e cilësuar mbledhjen një shfaqje me të cilën s’mund të bëheshin palë.

Dje qeveria bëri prezantimin publik të reformës, me anë të së cilës synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës në vend. Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Pronave, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. 

Largimi i pronareve nga takimi i Rames per Reformen e Prones

AKTIVITETI
Çelja e aktivitetit u bë nga drejtoresha e AKKP-it, Sonila Qato, e cila prezantoi edhe shtyllat bazë të draft-ligjit të ri të pronave. Në fund të fjalës së mbajtur, Qato bëri me dije edhe axhendën e aktivitetit, ku nuk ishte planifikuar mendimi i grupeve të interesit. Në këto momente, ndërhyn përfaqësuesi i pronarëve, Toro: “Po ne do të flasim, pse na keni thirrur kur s’na jepni fjalën?”.

Qato tha se ky ishte një takim prezantues i draftit dhe jo një dëgjesë me grupet e interesit. Propozimet dhe vërejtjet e këtyre të fundit do të dëgjoheshin në një tryezë të posaçme, e planifikuar për t’u mbajtur më 21 korrik. Por kjo ngjalli pakënaqësi në radhët e pronarëve të pranishëm, të cilët vendosën të largohen demostrativisht nga takimi. Kjo situatë e vuri jo pak në siklet Kryeministrin Rama, i cili nuk nguroi të komunikonte me disa prej tyre. Tentativë kjo për të shmangur atë që në fakt ndodhi. Pronarët nuk u kthyen.

QËNDRIMI I RAMËS
Largimi i shoqatave të pronarëve nga mbledhja, një çerek ore pas nisjes së saj, la një shije jo pak të hidhur te Kryeministri Rama. Kjo u duk nga fjalimi që ai mbajti, të cilin e nisi me një sulm personal drejtuar sekretarit të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro.

“Si fillim nuk shpreh keqardhje për shkëputjen nga salla të një grupi të drejtuar nga trashëgimtari i Parkut dhe i Teatrit Antik të Butrintit, sepse besoj që, për të pasur një dialog serioz lidhur me këtë çështje me rëndësi historike dhe kombëtare, jo vetëm për ata që sot jetojnë, por për të gjitha gjeneratat e tjera, na duhet një partneritet serioz me të gjitha grupet e interesit pa dyshim, por absolutisht na duhet dhe një vijë e prerë ndarëse midis logjikës dhe absurdit. E gjithë historia që lidhet me pronën e Shqipërisë së re është historia e një absurdi që ka pasur dy palë, nga njëra anë individë që kanë arritur të trashëgojnë edhe amfiteatrot e antikitetit dhe nga ana tjetër, një shtet dhe një qeveri që ka arritur të bëjë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm, në gjithë historinë e raporteve me pronën mes shteteve dhe individëve”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ligji i ri “Për trajtimin e pronës dhe kompensimin përfundimtar të pronarëve” sjell një formulë të re që do të aplikohet për vlerësimin e pronës së konfiskuar në kohën e regjimit totalitar. Ndërsa e cilësoi formulën si realiste, Rama u kujtoi pronarëve se nuk mund të kërkojnë veç pronës që iu mor, edhe vlerën e shtuar të saj.

“Sot nuk mund të vijë dikush dhe të pretendojë përveç pronës që iu mor në 1945-n, edhe vlerën e shtuar mbi të, që është kontribut i gjithë shoqërisë. Kjo e para është e padrejtë, e dyta është e pamundur. Është e pamundur, siç është e pamundur të dialogosh me njerëz, të cilët thonë se dialogu fillon nga abrogimi i ligjit 7501 dhe nga abrogimi i çdo ligji dhe procedure për legalizim. Aq më tepër që na dolën të gjithë pronarë dhe po t’i hymë historisë, ajo na tregon gjëra shumë të ndryshme. Siç na tregon se kullotat, ku kulloteshin delet dhe me lejen e turqve dhe turqit merrnin rentat e tyre, nuk është domosdoshmërisht që të konsiderohen prona, apo siç na tregon se prona të shpronësuara një herë nga Mbreti Zog, të shpronësuara nga qeveria e Italisë fashiste janë rimarrë, pra, mbasi ua kanë marrë tri herë lekët”, ironizoi më tej Kryeministri, i cili shprehu vendosmërinë për ta çuar deri në fund reformën e ndërmarrë. 
ADA HAZIZOLLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura