Forumi i CEO-ve të “AmCham”, Mete: Ekonomia e Shqipërisë po kalon në një moment të mirë, detyrimet e prapambetura kanë zbritur në nivelin më të ulët

Mar 26, 2024 | 17:41
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Ervin Mete në Forumin e CEO-ve të “AmCham”, është shprehur se ekonomia e vendit po kalon në një moment të mirë dhe se vlerësimi në Bankën Botërore nga Agjencia Ndërkombëtare “Standard&Poor’s” do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë tonë.

ervin mete

Mete tha po ashtu se se detyrimet e prapambetura në dhjetor 2023 zbritën në nivelin më të ulët që nga nisja e monitorimeve nga Ministria e Financave në vitin 2016, në afro 1% të totalit të shpenzimeve.

Gjithashtu, u shpreh ai, në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave dhe në mënyrë që këtë momentum të mirë që po kalon ekonomia ta përkthejmë në një shpërndarje më të drejtë të mirëqenies për qytetarët, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën”, tha ndër të tjera ministri i Financave.

Fjala e plotë e ministrit Mete:

Të nderuar drejtues të Dhomës Amerikane të Biznesit,

Të nderuar drejtues të bizneseve anëtare të AmCham

Zonja dhe Zotërinj,

Ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë forum me drejtuesit e AmCham dhe anëtarët tuaj, si një mundësi shumë e mirë për të forcuar më tej urat e komunikimit dhe bashkëpunimit, në përpjekjen e përbashkët për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

Pak ditë më parë, morëm lajmin e mirë se Agjencia Ndërkombëtare “Standard&Poor’s” rriti për herë të parë vlerësimin për Shqipërinë në BB-, vlerësim ky i përpjekjeve tona për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e financave publike.

Vlerësimi, besoj se do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë e vendit, kjo si në kuadër të investimeve të huaja, ashtu edhe sa i përket kushteve më të lehtësuara të huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, si edhe transaksioneve në tregun vendas.

Ekonomia e vendit po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi edhe Standard&Poor’s, ashtu siç kanë bërë më herët edhe institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, si edhe duke rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike.

Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitin e kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara ditën e djeshme nga Banka e Shqipërisë.

Po ashtu, vlen të theksohet se detyrimet e prapambetura në dhjetor 2023 zbritën në nivelin më të ulët që nga nisja e monitorimeve nga Ministria e Financave në vitin 2016, në afro 1% të totalit të shpenzimeve. Gjithashtu, në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Sigurisht që ka hapësira për përmirësime të mëtejshme dhe këto takime janë shumë të vlefshme për të mbajtur një komunikim sa më të hapur me biznesin dhe për të diskutuar mbi aspekte që kanë nevojë për t’u rregulluar më tej.

Të gjitha tematikat e parashtruara nga ana juaj, për të cilat do të diskutojmë më tej në këtë forum, mendoj se janë me rëndësi, pasi janë çështje me të cilat përballet biznesi në përditshmërinë e tij dhe që pastaj kanë impakt edhe në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në shndërrimin e Shqipërisë në një vend edhe më tërheqës për investimet e huaja.

Për të forcuar më tej komunikimin dhe për të patur një ndërveprim sa më të madh me biznesin, jemi aktualisht në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe gjej rastin të ftoj edhe njëherë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Biznesit të aplikojnë për t’u bërë pjesë aktive e këtij Këshilli.

Jemi gjithashtu në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal.

Mbështetja e kapitalit njerëzor dhe rritja e aftësimit për një punësim sa më cilësor është kthyer në sfidë besoj jo vetëm për Qeverinë, por edhe për bizneset. Në këtë drejtim, po avancojmë me reformën domethënëse të pagave, ku brenda muajit prill parashikojmë të detajojmë rritjen për të gjitha kategoritë e parashikuara të punonjësve në sektorin publik, rritje e cila do të bëhet efektive duke nisur nga 1 korriku i këtij viti.

Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave dhe në mënyrë që këtë momentum të mirë që po kalon ekonomia ta përkthejmë në një shpërndarje më të drejtë të mirëqënies për qytetarët, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën.

Avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe plani i rritjes i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor presim të shërbejë si mbështetje në këtë drejtim. Aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave (SEPA) është një nga mundësitë që i ofrohen vendit tonë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e këtij plani. Përfshirja në SEPA, për të cilën Shqipëria po përgatitet të aplikojë në muajin qershor, ul ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Për më tepër, anëtarësimi në SEPA na jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane, do të rrisë atraktivitetin tonë edhe si destinacion investimi.

Momenti i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si edhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë tonë për të thelluar ritmin e reformave, ku avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian do të shërbejë si një ankorë e rëndësishme për realizimin e këtyre objektivave, për të synuar një rritje më të lartë ekonomike, për punësim cilësor, si edhe  përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe investimeve të huaja.

 

Shumë faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura