Flloko: Ku shkelen liritë e individit, janë shtrigat e Salemit

Mar 24, 2011 | 10:36
SHPËRNDAJE

Janë rregullimet e fundit. Timo Fllokos i duhet të provojë litarin e trekëmbëshit. Duhet pak më i shkurtër… Eva Alikaj nuk e ka për të parën herë që shkel në skenën e teatrit, madje së fundi ka qenë më shpesh e pranishme. Megjithatë, duket se emocioni është shumë i fortë. Mbase sepse edhe vepra është e tillë. “Kemi punuar shumë. Nuk ka pse të mos jetë e mirë, por ndonjëherë Zoti e di…”, thotë ajo, duke ngritur sytë lart, sikur Zoti të ishte duke e përshëndetur së larti… Sot është premiera e dramës së Artur Milerit, “Shtrigat e Salemit”, një vepër e fortë, pjesë e repertorit të të gjithë teatrove të mëdhenj europianë sot. “Po tentojmë drejt dramaturgjisë së vërtetë dhe kjo vepër e Milerit është tregues”, thotë drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Drama është shkruar në vitet ’50, i referohet shekullit XVII, por e gjen aktualitetin e saj në çdo kohë. Për të luajtur rolet kryesore regjisori Duni ka përzgjedhur aktorët Timo Flloko, Eva Alikaj e Elia Zaharia. Përpara premierës, Flloko, në rolin e Xhon Proktorit, na tregon për shfaqjen, përgatitjen dhe karakterin e personazhit të tij.
Jeni para premierës, cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë vepër, ndjesitë?
Kemi punuar shumë në një kohë të kufizuar. Për vepra të mëdha duhet një kohë më e shtrirë, por, në këtë intensitet të punëve tona në Shqipëri, është brenda parametrave. Kemi punuar fort dhe shpresojmë të japim një rezultat sa më të mirë. Por është spektatori ai që vendos. Në premierë vjen publiku profesional, që është edhe publiku më i vështirë, sigurisht. Por është një kërcim që duhet ta hedhë e gjithë trupa. Pa dyshim, mund të ketë ato ngërçet normale që ka premiera, sforcimi, përgjegjësia për të matur pulsin e shfaqjes, suksesin, nëse do të jetë. Suksesi nuk projektohet dot, nuk mund ta parashikosh dot. Por kemi të bëjmë me një autor të madh si Artur Miler, me një trupë aktorësh dhe një regjisor të afirmuar të teatrit tonë, e cila ka bërë një punë serioze.
Qyshkur u prezantua ky projekt, regjisori e shpalli atë si një vepër të përjetshme. Nëse në kohën e ngjarjeve luftoheshin magjitë, në të Milerit idetë përparimtare, sot ku gjenden “shtrigat e Salemit”?
Këtë vepër Mileri e shkroi kundër ideve të mekartizmit në vitet ’50, në SHBA, që ishte kundër ideve përparimtare për kohën. Mekartizmi ka qenë një periudhë e errët për Amerikën dhe Mileri, si një intelektual dhe dramaturg i dimensioneve të mëdha, e pasqyroi këtë krizë të identitetit amerikan dhe të mungesës së lirisë dhe ideve demokratike tek individi. Unë them që është e përjetshme si vepër, ashtu siç është “Makbethi”, apo “Mbreti Lir”, sepse bëhet fjalë për temën e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor në kushte të shtrënguara, që vihet në pikëpyetje me forcën e shtetit dhe të ligjit. Kushdo mund të heqë paralele tematike me kohën që jetojmë, me aktualitetin, por jo specifikisht dhe në mënyrë vulgare. Kudo ku ka shkelje të lirisë dhe idealeve njerëzore të individëve, të personalitetit njerëzor, aty janë edhe shtrigat e Salemi. Aty është lufta kundër ideve dhe personalitetit njerëzor, që përpiqet të sfidojë kufijtë dhe vargonjtë që i vë shoqëria.
Ju shohim rrallë në teatër. Jua shton përgjegjësinë ky fakt?
Trajektorja ime është jo shumë e shpeshtë në skenën teatrale. Vij rrallë, kam qenë selektiv, kam luajtur dramaturgji dhe role që mendoj se mund t’u përshtatem. Ndjesia është si para premierës. Kam punuar fort dhe e kam të qartë atë se çfarë dua të arrij si karakter, pastaj të tjerat varen se si do ta presë publiku. Kjo është edhe më e rëndësishmja. Pa pasur një sallë plot, nuk mund ta dish si e ke shfaqjen dhe rolin.
Disa vite më parë jeni ngjitur në këtë skenë me një tjetër vepër të Milerit. Ku ndryshojnë Edi Karbone dhe Xhon Proktor?
Edi Karbone është një emigrant italian, me ato karakteristika dhe tipare të një mesdhetari, më dinamik në veprimet e tij, me një mentalitet mesdhetar, më ekspresiv në të gjitha pikëpamjet deri në gjestikulacion dhe ndjesitë e brendshme, ndjesitë e trazuara të karakterit të tij. Është më i pastabilizuar. Ndërsa Xhon Proktori është më i qartë në veprimet e tij. Është një karakter më tragjik, sepse lufton për një çështje më të madhe të personalitetit njerëzor, ndërsa Edi Karbone bie në kurthin e vet, në ndjesitë e trazuara të personalitetit të tij, që as ai vetë nuk i kupton. Xhon Proktori, përkundrazi, përpiqet që atë vrull pasional, atë ndjenjë që ka ndaj Abigeilës dhe flirtit që bën me të, ta kalojë me vullnet, ta mposhtë dhe të drejtohet në ridimensionimin e dashurisë për gruan dhe familjen e tij. Mua më është dashur të krijoj një karakter të përmbajtur, një anglosakson, një irlandez që ka shkuar në Amerikë herët, me një psikologji ndryshe, jo aq ekspresiv sa Edi Karbone. Është më i kursyer. Kur më kanë bërë vërejtje se Edi Karbone flet me duar e këmbë, u thashë se Edi Karbone është mesdhetar. I kam njohur italianët në Bruklin, i kam parë si lëvizin, si sillen dhe nuk është se dua unë të sillem ashtu, por karakteri.
E vështirë t’i qaseshit karakterit të Xhon Proktorit?
Aktori e ka të vështirë ta gjej karakterin, sepse shkon aktori te karakteri, dhe jo anasjelltas. E kam pasur të vështirë, por gjatë punës së bërë me të, jo vetëm gjatë provave, por edhe gjatë shfaqjeve (roli nuk përfundon me premierën), kam përftuar ato elemente të karakterit dhe të psikologjisë së tij. Në rolin e Xhon Proktorit unë qëndroj më shumë mbi dy këmbë.
Kjo justifikon edhe qëndrimin e tij kundrejt tundimit femëror?
Në të dyja rastet ka një tundim. Në rastin e parë tundimi është subkoshient, kurse këtu i realizuar. Edi Karbone nuk shkon me mbesën e gruas, nuk ka incest, por Edi nuk kupton se çfarë ndodh me të. Shumë gjëra nuk i realizon dot. Ndjen një xhelozi sa njerëzore, aq edhe atërore, kurse Xhon Proktori është koshient për mëkatin që ka bërë dhe përpiqet ta superojë, dhe këtë e bën me fuqinë e vullnetit.
Mund ta quani një rol sfidë?
Çdo rol është sfidë për aktorin. Të shohim, të kapërcejmë premierën, sepse kjo është “dita e gjykimit”. Por shpresoj që spektatori ta pëlqejë shfaqen dhe do të jemi me fat nëse do të ndodhë kështu.
Ju kemi parë vetëm në role dramatike, nuk ju tërheq komedia?
Kam shumë dëshirë të luaj edhe role komike… Por, po ka edhe një prirje të timen ndaj këtyre roleve. Por edhe një rol dramatik ka komiken brenda. Si në rastin e Edi Karbones, që e ka një prerje qesharake që ia imponon karakteri, apo marrëzitë që thotë e bën. Proktori i ka më të pakta, sepse nuk vendoset në ato situata, por çdo rol ka komiken e vet dhe e kundërta. Është si vetë jeta…
Si ishte bashkëpunimi me aktoren Eva Alikaj?
Eva Alikaj është një aktore shumë e mirë. Kam luajtur në film me të, por në teatër është hera e parë. Është një aktore me një ndjeshmëri të lartë, me një lojë realiste, është e thjeshtë në komunikim, sfidante si partnere dhe të vë në pozitë. Jemi përpjekur të ndërtojmë një komunikim brenda karaktereve që të jetë i vërtetë dhe i besueshëm.

Drama: “Shtrigat e Salemit”

Autori: Artur Miler
Përktheu: Rudi Erebara
Regjisor: Spiro Duni
Interpretojnë: Timo Flloko, Eva Alikaj, Elia Zaharia, Drita Pelinku, Fatos Sela, Vasian Lami, Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, Eni Janin, Mir Sina, Naum Shundi, Flaura Kureta etj.
Skenografia: Bashkim Ahmeti
Kostumografia: Anila Zajmi Katanolli
Ditët e shfaqjes: 24, 25, 26, 27 mars, ora 19:00.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura