Flet i ati: Ju rrëfej për divorcin e Kikës, e shoqja donte të rikthehej, por s’e pranuam ne

Mar 22, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Aver Husaj rrëfen për aventurat e të birit, nga kandidimi për kryetar Bashkie të Pejës, deri tek akuzat për mitmarrje

Në foto: Kika i “BB8”
Kreshnik Husaj, djaloshi nga Peja, që prej hyrjes së tij në “BB” zgjoi interes të veçantë te publiku. Për të është shkruar dhe komentuar shumë deri më tani, por kurioziteti mbetet ende i madh për të mësuar më shumë mbi një personazh interesant si ai. Ne kemi realizuar një intervistë me të atin e tij, Averin, i cili zbulon shumë të vërteta rreth të birit.
Si e pritët lajmin që djali juaj vendosi të bëhet pjesë e lojës së “Big Brother”?
Unë dhe familja lajmin e kemi marrë pasi ai është pranuar në “BB8”. Si të them, ai i kërkon sfidat, kështu që le ta provojë edhe këtë.
Deri tani që po e ndiqni, si ju duket loja e tij, e keni përkrahur vazhdimisht?
Kreshniku e luan lojën e vet, provokon, sjell atmosferë, bën humor, por në temat serioze është i përkushtuar seriozisht. Besoj se po luan mirë, edhe pse nganjëherë nuk e duron ngacmimin serioz e sidomos të personalitetit të tij dhe ndaj familjes. E përkrah deri aty ku nuk cenon veten, shokët brenda dhe familjen e tij e të tyre.

Çfarë tip fëmije ka qenë ai, mund të na e përshkruani?
Është fëmija i madh në familjen time, ka qenë i gjallë, me shumë vetëbesim, i hareshëm, sentimental, i sjellshëm, i zellshëm dhe nxënës i mirë.
Kika e ka sprovuar veten në disa fusha, ku mendon se ia ka dalë më mirë?
E thashë edhe më lart, ka natyrë luftarake dhe i do sfidat. Ka përfunduar fakultetin, është gazetar dhe prezantues i mirë, njeri me famë në gjeneratën e tij.
Ishte kandidat për kryetar Bashkie të Pejës në zgjedhjet e fundit, si doli me rezultat dhe pse mendon se nuk fitoi?
Ka qenë pretendent, po kurrë nuk është përballur drejtpërsëdrejti në cilësinë e kandidatit për qytetarin e parë të Pejës.
Po me agjencinë e modës dhe organizimet e spektakleve të bukurisë si i shkon puna?
Është organizator i mirë, ka modelë shumë të mirë dhe gëzon autoritet në familjet e tyre.
A është e vërtetë që gjatë verës së kaluar ka vuajtur dënim me burg për akuzën e trafikimit të miseve?
Kreshniku është akuzuar për mitmarrje në një simulim që e ka përgatitur Policia e Kosovës.
Disa meshkuj që kanë qenë pjesë e organizimeve të tij, e kanë akuzuar për ngacmim seksual, çfarë përgjigje u jep atyre?
Çdo prekje në trupin e tjetrit mund të merret si ngacmim seksual.
Po e vërteta rreth martesës, ka qenë Kreshniku i martuar dhe më pas është divorcuar?
Po, ka qenë i martuar dhe është ndarë me marrëveshje. Megjithëse ish-gruaja ka tentuar të kthehet, nuk e kemi lejuar ne të familjes.
Tani a është në lidhje me ndonjë femër dhe çfarë prisni nga ai në të ardhmen?
Si çdo i ri me pëlqimet e veta ka një aventurë që është jashtë shtëpisë dhe ne komunikojmë me të, por propozimi i martesës drejtuar Marinës besoj se është serioz. Këtë na e ka thënë para se të hyjë në “BB”, por çka është e vërteta, zgjedhja e tij ka kushtin që të mos cenohet morali i familjes sime. Kreshniku s’mund të dalë nga kornizat e sukseset që ka familja e tij, nga stërgjyshi e deri tek ai.

Së shpejti një film me skenar të Kikës
“Para se të bëhej pjesë e ‘Big Brother’, ai ka punuar si gazetar, moderator dhe organizator spektaklesh. Po ashtu ka përfunduar skenarin e një filmi, i cili do të transmetohet së shpejti”, pohon babai i tij.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura