Flaka në Galerinë Kombëtare, kalon në heshtje prezantimi

Sep 7, 2018 | 9:03
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje”, është titulli i ekspozitës së artistes kosovare Flaka Haliti, që hapet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pas ekspozitës retrospektive të piktorit Edi Hila, e hapur në muajin maj, ky është aktiviteti i dytë që ndodh në GKA që pas ardhjes në pozicionin e drejtorit të këtij institucioni të Erzen Shkolollit, kuratorit nga Kosova, ish-drejtor i GKK.

flaka

Dje u organizua edhe një konferencë për shtyp me rastin e hapjes së ekspozitës, por ftesat për mediat qenë të limituara. Për shkaqe që nuk dimë t’i themi, mediat kryesore vizive e të shkruara nuk u njoftuan të ndjekin konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm artistja, kuratorja Leonie Radine dhe drejtori i GKA, Shkololli. Ky i fundit ka zgjedhur si “strategji” të vetën të mos komunikojë me mediat.

Ditën kur u prezantua nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Shkololli premtoi se pasi të njihej me institucionin, do të bënte të njohur vizionin e tij mbi të. Të njëjtin premtim dha edhe kur u hap ekspozita e Hilës në muajin maj. Të njëjtin premtim i dha edhe gazetës “Panorama” kur i kërkoi një intervistë.

Asnjëra nga këto premtime nuk është mbajtur ende dhe, pavarësisht se tashmë jemi në muajin shtator, askush nuk di asgjë për planet dhe projektet 4-vjeçare që do të udhëheqin Galerinë Kombëtare të Arteve, tanimë Muze i Arteve. Kjo politikë e ndjekur nga drejtori aktual i shkon më së shumti një drejtuesi të një galerie private, i cili mund të zhvillojë çfarë aktivitetesh të dojë dhe po ashtu është i lirë të ketë preferenca se kë do të ftojë ose jo në aktivitetet e veta, pse jo, të zgjedhë edhe gazetarët e “oborrit”, por jo një drejtuesi të një institucioni shtetëror.

Duke përjashtuar nga konferencat gazetarët që kanë shprehur gjatë kësaj kohe interes të flasin me të, për kalendarin artistik, për platformën me të cilën ai fitoi në konkursin për drejtor, për konceptin e tij për linjën muzeale apo fytyrën e re, që do të marrë ky institucion pas miratimit të ligjit të ri “Për Trashëgiminë”, për tenderin për rikonstruksionin e godinës, etj., Shkololli eliminon edhe mundësinë e pyetjes dhe përgjigjes publike, në lidhje me çështjet e mësipërme.

Prej vitesh, Galeria Kombëtare e Arteve, pavarësisht problematikave të vazhdueshme, që herë vinin nga keqmenaxhimi, herë nga mungesa e fondeve apo vizioneve, ka qenë një institucion relativisht i hapur, për të ofruar informacion.

Tanimë, informacioni nga ky institucion është zero, madje edhe faqja zyrtare on line nuk ofron më asnjë gjë për aktivitetin e ardhshëm të institucionit. Institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor informimin e mediave dhe publikut, në lidhje me aktivitetin e tyre, në momentin që paguhet nga taksapaguesit.

Nëse drejtuesi aktual i GKA nuk dëshiron të flasë me mediat, duke lënë “punën të flasë”, do të duhej të informonte mediat, qoftë edhe për t’i kryer shërbimin e informimit të publikut. Në të kundërt, nëse nuk të bie rruga nga pedonalja apo në qendër, zor se do ta mësojë dikush që në galeri ka ra Flaka.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura