Fjalët e fundit të klerikëve të vrarë: I fal ata që më dënuan

Sep 24, 2014 | 14:01
SHPËRNDAJE

Populli i tiranes duke pritur te akuzuarit e gjyqit te at anton harapit, shkurt 1946
Historia e martirizimit të klerit në ekspozitën “Besim”

Sepse ata besuan aq shumë, saqë ishin gati të vdisnin për të. Sepse ata besuan, në fjalën e fundit i falën ekzekutorët, sepse besuan e vdiqën me në buzë thirrjen: Rroftë Krishti Mbret!
Pikërisht “Besim” titullohet ekspozita, e cila është hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me MHK, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. I kuruar nga artistët Edi Hila dhe Zef Paci, “Besim” është shembull i bashkëjetesës dhe mbijetesës. Aty rrinë krah për krah edhe priftërinjtë katolikë, edhe ata ortodoksë, edhe hoxhallarët, edhe baballarët bektashinj, edhe kishat, edhe xhamitë, edhe teqetë… “Besim” është një historik i shkurtër përmes fotografish, dokumentesh dhe veprash arti i besimit në Shqipëri, që në kohët kur ai ishte një mënyrë jetese, te ndalimi me dhunë dhe ringritja pas viteve ’90. Përmes fotografive vijnë objekte kulti, të cilat nuk ekzistojnë më, të shkatërruara gjatë marrëzisë antifetare, kremtime fetare, ku mijëra njerëz mbushin oborret e kishave e xhamive….
Dëshmitë
Por pjesa më e dhimbshme e ekspozitës është “qela” e dëshmive, një korridor i ngushtë i mbushur me fotografi të klerikëve martirë, me urdhra të udhëheqjes së lartë komuniste, vetë Enver Hoxhës, për shtrëngimin e masave kundër fesë, prishjen e objekteve të kultit e sekuestrimit të pasurive. Vendime dënimesh me vdekje të klerikëve, fjalët e tyre të fundit, telegrame e letra që priftërinj nga famullitë më të largëta të Shqipërisë ia nisnin Enver Hoxhës, me shpresën se ai do të t’i ndihmonte për të shpëtuar kishat nga shkatërrimet, që të mos ktheheshin në garnizone ushtarake, apo për hapjen e xhamive, të paktën për festa… Ka mes tyre edhe letra e telegrame urimi, drejtuar Enver Hoxhës me rastin e Krishtlindjeve e Bajramit nga shtetas të huaj. Një syresh vjen nga një vajzë amerikane nëntëvjeçare dhe një tjetër nga Pakistani, ku letërshkruesi i drejtohet Enver Hoxhës si “vëlla në islam” dhe i kërkon të futet mik te Çu En Lai, që të mund të marrin vizën…
Ndonëse nuk është një ekspozitë shteruese, ajo do të ndihmonte këdo të kuptonte atë çka shqiptarët kanë kaluar në gjysmë shekulli diktaturë. Përzgjedhja e materialeve është bërë me ndihmën e komuniteteve kryesore fetare ne Shqipëri: Mysliman, Katolik, Ortodoks dhe Bektashi. Për realizimin e kësaj ekspozite kanë dhënë ndihmesën e tyre Muzeu Historik Kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Fototeka Marubi, Arkivi i RTSH, Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, Studio Nenshati, Shkodër etj.
Fjalët e fundit
Të ndodhur para togës së pushkatimit, ata e gjejnë forcën të falin. “I fali ata që më kanë bërë keq”, thotë patër Daniel Dajani në fjalën e tij të fundit. Ndër dokumentet që dëshmonin terrorin komunist ndaj klerit në Shqipëri, në ekspozitën “Besim”, ishte edhe procesverbali i mbajtur në ekzekutimin e klerikëve të dënuar me vdekje: Giovanni Fausti, Daniel Dajani, Qerim Sadiku, Mark Çuni, Padre Gjon Shllaku dhe Gjelosh Lulashi. Janë tronditëse fjalët e tyre të fundit. Dikush i bën të fala nënës, një tjetër i kërkon falje të atit që e ka mërzitur apo shokëve nëse ua ka thënë ndonjë rrenë, i shtrënguar prej zorit. Një tjetër ka ndonjë borxh e ikën me merakun se familja duhet t’i shlyejë edhe borxhet. Por të gjithë ikin me thirrjen: Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!

Vdekje fashizmit
Liri e Popullit
Procesverbal
I mbajturë me vullnetin e mbramë të dënuarve me vdekje: Giovanni Faustit, Daniel Dajanit, Qerim Sadikut, Mark Cunit, Padre Gjon Shllakut dhe Gjelosh Lulashit
Sot më datën 4 mars 946, ditën e hane ora pese para dreket, unë aspirant Tonin Miloti me cilësin si Zv. Prokuror i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, shkova në vendi ku do të ekzekutoheshin të dënimit me vdekje që shënohen më nalt, për të marrë fjalën e fundit të tyre dhe për t’u ndodhë prezent në kohën e ekzekutimit: të cilët mbasi u pyetën para se të ekzekutoheshin thanë këto:

1) Gjelosh Lulashi: Thoni Babës se e kam trazue. Të më falnë Shokët se no nji shpifje ua kam ba prej zorrit që kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vëllazënit. Borxhet që kam mbetë të mi paguajnë prindërit. I fali me zemër të gjithë që më kanë bër keq. Rroftë Shqipërija.
2) Pader Danjel Dajani: I fali ata që më kanë bërë keq. Jam kondend që po vdes i pafaj, ma mirë se fajtuar. (Ti japin prindrit (far e fisi) Dom Zef Shllakut pare për të thanë dy meshë.
3) Pader Giovanni Fausti: Jam kondent se vdekja po më vjen tue kerrye detyrën t’eme. Dërgoni shëndet Jezuitëve, Xhakojve, Apostolikëve dhe Arqipeshkvit. Rroftë Krishti Mbret!
4) Pader Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Franciskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rroftë Krishti Mbret dhe Rroftë Shqipërija.
5) Mark Cuni: I fali të gjithë ata që më kanë gjykuarë, dënuarë, si dhe ata që do të më ekzekutojnë. Ti thoni Nanës se i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguajë. Rroftë krishti Mbret-Rroftë Shqipërija.
6) Qerim Sadiku: I fal të gjithë ata që në cdo kohë mund të më kenë bër keq. I fali edhe ata që më kanë dënuarë me vdekje, edhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti Mbret-Rroftë Shqipërija.

P. Prokurorin e Gjyqit Ushtarak
Aspirant Tonin Miloti

Broshura e materiale kundër besimit
Porositë e Ramiz Alisë: Shtoni propagandën antifetare
“Feja është opium për popujt”. Diktatura e proletariatit kërkonte t’u mbushte mendjen shqiptarëve se besimi në Zot nuk ishte gjë tjetër veçse një kotësi, një zakon prapanik. Por kjo nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Udhëheqja komuniste dërgonte qarkore e urdhëresa nëpër komitetet e rretheve për intensifikimin e propagandës antifetare, duke përhapur literaturë që shërbente për këtë qëllim. Që nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, etj, ishin të angazhuar personalisht në këtë proces. Më poshtë një urdhëresë me porosi të Ramiz Alisë mbi “propagandën ateiste shkencore”.

Komitetit të Partisë së Rrethit
Me qëllim që të intensifikohet propaganda ateiste shkencore, po përgatiten dhe do t’u dërgohen dy broshura: “Klasikët e marksizëm-leninizmit kundër fesë” dhe materiale të partisë sonë kundër fesë.
Për këtë qëllim duhet shfrytëzuar edhe literatura e botuar. Një material i mirë është broshura “Feja është opium për popujt”, që është në qarkullim. Gjithashtu materiale interesante janë botuar në revistën “Shkenca dhe feja”, botim i Shtëpisë Qendrore të krijimtarisë popullore Tiranë. Të mbahet parasysh se ato janë botuar disa vjet më parë, gjë që kërkon një punë të kujdesshme për aktualizimin e tyre.
Propaganda ateiste shkencore të bëhet e diferencuar sipas fesë përkatëse, bazë zone, fshati etj. Duke shpjeguar kotësinë e besimeve e zakoneve fetare, të bëjmë demaskimin e thellë të tyre.
Bashkëngjitur ju rekomandojmë disa materiale të botuara në revistën “Shkenca dhe feja”.
Me porosi të Sekretarit të KQ të PPSH, Ramiz Alia
Dashnor Mamaqi

Letrat diktatorit: Mos na ktheni kishat në garnizone
Besimtarët dhe famullitarët e thjeshtë, në fshatra të thella të Shqipërisë, ende nuk e dinin se ishte vetë Enver Hoxha që kishte vulosur urdhëresat për luftën kundër fesë. Përmes letrash e telegramesh, herë të firmosura e herë anonime, herë me shkrim dore e herë të daktilografuara, ata kërkonin që udhëheqësi i partisë të ndërhynte që kishat e xhamitë të mos prisheshin, pasi partia e kishte lënë besimin të lirë.

Letër E. Hoxhës, ku pleqtë e Laknasit dhe Bërxullit pas fjalimit të tij, heqin dorë nga ato që i cilësojnë si zakone të vjetra
“Për zhdukjen e këtyne zakoneve prapanike dhe për ti vënë në jetë, vendimet që muereme do t’ua bajmë të njohura fshatarve tanë dhe të gjith rrethit tonë në besime se do të përkrahime për të zbatue deri në funde mesimete e urta të Partis që ju udhëhiqni”.
Nga mbledhja e 48 pleqve të Kooperativës Bujqësore të Bashkuarë “KINA E RE” Laknas.
Laknas më 22/II/967

Prokurori Nevzat Haznedari, shoqëruar me një thënie të At Zef Pllumit në ekspozitën “Besim”

Letrat dërguar udhëheqësit komunist nga shqiptarë e të huaj
Pakistanezi i shkruan Enver Hoxhës: Vëlla në Islam, ndërhy për ne te Kina
Pleqtë e kooperativës “Kina e re” heqin dorë nga besimi në 1965
Çdo tragjedi ka në vetvete edhe groteskun. Ndërsa në Shqipëri ekzekutoheshin klerikë, pleqtë e Laknasit e Bërxullit, që i takonin kooperativës së bashkuar “Kina e re”, pasi kishin dëgjuar një fjalim të Enver Hoxhës, me vendim të lirë hiqnin dorë nga besimi. Ndërsa një pakistanez i shkruan me urgjencë “vëllait në Islam”, vetë Enver Hoxhës, dhe i lutet që të ndërhyjë te kryeministri kinez Çu En Lai që të marrin vizën e të shkojnë në Kinë për të përhapur fjalën e profetit.

10.I. 1965

Urgjent
Presidentit Enver Hoxha
President i Shqipërisë
Tiranë-Shqipëri *Europë)

I dashur President Enver,
Para së gjithash ju urojmë juve dhe popullit tuaj që viti 1965 t’ju sjell të gjitha gëzimet dhe të festoni gëzuar Bajramin.

Allahu na ka urdhëruar neve që të jemi Mehdi, të marrim mesazhin e Islamit dhe vëllazërinë botërore gjithë njerëzimit. Këtë mesazh të vullnetit të mirë ne ia kemi përcjell 75 vendeve në këto 8 vjet e gjysëm të udhëtimeve tona. Tani ne kërkojmë të shkojmë në Kinë, porse akoma nuk e kemi marrë vizën nga Pekini.

Ju keni marrëdhënie të përzemërta me Kinën dhe ne ju bëjmë thirrje juve si një vëlla mysliman që të kërkoni nga Kina që të na lejojnë të vizitojmë Kinën në interes të paqes botërore. Ne jemi nga Pakistani dhe Kina ka miqësi me Pakistanin. Jam i sigurt se Kryeministri Çu En Lai do të jetë dakord në rast se ju do t’i thoni atij personalisht.

Le të marrim vesh se ç’mund të bëni në këtë drejtim.
Allahu ju bekoftë.
I juaji në Islam
Mohsin
Almzhdi

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura