Finalja e madhe e Superkupës së Europës, Ançeloti është gati: Do të tentojmë 6 trofe, s’ka si Benzema

Aug 10, 2022 | 9:11
SHPËRNDAJE

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Anç eloti, ka folur para mediave në prag të finales së Superkupës së Europës përballë Frankfurtit sonte në mbrëmje ora 21:00. Ndryshe nga herët e tjera, kur italiani gjithnjë ka qenë më i rezervuar në deklarata, këtë herë ai ka qenë shumë i qartë. Ançeloti ka deklaruar se Reali ndodhet në Helsinki vetëm për të fituar, ndërkohë ka shfaqur qartë dhe objektivin e Realit në këtë sezon, ku “Los Blancos” do të kërkojnë t’i fitojnë të gjithë trofetë (6), siç bënte dikur Barcelona e Pep Guardiolës.

anceloti benzema

FRANKFURTI – “E kam parë ndeshjen e tyre të parë në Bundesligë kundër Bajernit (1-6), por nuk mund të gënjehemi nga ajo ndeshje. Ata janë fitues të Ligës së Europës, e kanë bërë me meritë dhe meritojnë të gjithë respektin e duhur. Janë një skuadër që luajnë një futboll të mirë dhe nëse duam t’i mundim duhet të luajmë ndeshjen tonë më të mirë. Unë besoj se skuadra është gati, i kemi të gjitha kapacitetet për të fituar këtë trofe. Fitimi i Ligës së Kampioneve na ka shtuar edhe më shumë urinë dhe duam ta vijojmë me këtë frymë”.

GJASHTË TROFETË – “Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për t’i fituar të gjithë trofetë. Nëse do t’ia dalim do të ishte e mrekullueshme. Nuk e di nëse do t’ia arrijmë, sepse është shumë e ndërlikuar, por përbërja e skuadrës më lejon të besoj”.

SEZONI MË I MIRË – “Po mund ta them me bindje se sezoni i kaluar ka qenë më i miri për mua. Asnjëherë nuk kisha fituar një kampionat dhe Ligën e Kampioneve në të njëjtin sezon. Por skuadra që kam ishte një kombinim i talentit, shpirtit luftarak, zemrës, cilësisë, eksperiencës dhe vrullit të rinisë. Besoj se janë arsye të mjaftueshme për të kuptuar për se fituam gjithçka”.

SKUADRA – “Unë mendoj se kemi bërë një merkato të vlefshme, kemi afruar lojtarë të rëndësishëm dhe shumë cilësorë. Pastaj kemi një gërshetim mjaft të mirë të veteranëve dhe të rinjve.

NJË REAL PA BENZEMANË? – “Unë mendoj se kam mjaftueshëm sulmues në skuadër. Këtu janë Benzema, Mariano, Hazard, Asensio, Rodrigo… Natyrisht që kur mungon sulmuesi më i mirë në botë, kjo ndikon në skuadër. Por të gjesh zëvendësues për Benzemanë në këtë moment është një mision i pamundur, nuk ka tjetër në botë. Di të them se ne kemi alternativa e zgjidhje të ndryshme. Ne do të përshtatemi edhe pa të”.

FORMACIONI – “Nëse jemi këtu, kjo i detyrohet punës që kanë bërë ata lojtarë që ishin në fushë në finalen e Ligës së Kampioneve. Natyrisht që Ligën e Kampioneve nuk e kemi fituar me 11 lojtarë dhe ka të tjerë që mund të ishin titullarë ndaj Frankfurtit. Por unë dua të hedh në fushë skuadrën e finales së Parisit, ndoshta me një apo dy ndryshime”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura