Fevziu rrëfen momentet më të vështira në 20 vite me “Opinion”: Ofertat politike që kam refuzuar

Sep 7, 2017 | 17:20
SHPËRNDAJE

E duam apo nuk e duam Fevziun, është e pamundur që telekomandën të mos e çosh tek “Opinioni”.

fevzo

Edhe sikur të ftuarit të mos ju pëlqejnë, edhe sikur debati të mos arrijë pritshmëritë, edhe pse ndonjëherë kakofonia është e padurueshme, nuk i shpëton dot “Opinionit”. Kurioziteti të çon sërish aty. Dhe kjo, sepse për 20 vjet “Opinion” është kthyer në një refren televiziv dhe arenën më të rëndë- sishme të debatit në Shqipëri.

U bënë plot 20 vjet që nga dita e parë që “Opinion” u shfaq si një sfidë, për t’u kthyer në një traditë. Dhe për këtë 20-vjetor, TV “Klan” dhe ideatori e drejtuesi i këtij emisioni, gazetari Blendi Fevziu, kanë menduar një program maratonë, që do të nisë nga ora 14:00 e do të përfundojë në orët e para të mëngjesit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Fevziu tregon për programin maratonë, por edhe eksperiencën e tij 20-vjeçare në krye të “Opinionit”. Që nga raporti me të ftuarit, momentet më të vështira e më të këndshme, deri tek ofertat për poste politike.

“Opinion” në shesh, si festë kombëtare. Pse e keni ideuar kështu dhe cili mendoni se është impakti më i madh i emisionit tuaj në këta 20 vjet, që ka ndryshuar diçka për mirë në këtë vend?

Nuk ka asnjë festë në shesh! Dhe nuk ka asnjë festë. Ka një grumbullim të personazheve që kanë qetë të ftuar ndër vite në “Opinion”, një pjesë e tyre, në ballkonin e Universitetit Politeknik të Tiranës. Zgjodhëm korpusin se ka më shumë lidhje me elitën shqiptare, që është diplomuar aty; është një vend tejet i bukur dhe, mbi të gjitha, është në mes të njerëzve. Mund të ishim në ndonjë prej hoteleve ose sallave luksoze, por zgjodhëm të jemi në rrugë. Dhe nuk është një festë, por një pjesë e një transmetimi prej afro 20 orësh që do të kemi, me rastin e 20-vjetorit të “Opinionit”. Transmetimi nis në 14:00 dhe mbaron në orët e mëngjesit të ditës pasardhëse. A ka ndryshuar diçka për mirë “Opinioni”? Këtë as di ta them dhe as e mas dot. Do të ishte delir të të jepja një përgjigje për këtë.

auto_rama-fevizu1471296683

Edhe pse “Opinioni”, prej disa vitesh, e ka zgjeruar tematikën përtej politikës, pesha a tij qëndron tek aktualiteti politik dhe personazhet e tij. Në këndvështrimin tuaj, në këto 20 vite, ka ndryshuar për mirë apo për keq politikëbërja në Shqipëri?

Është një politikë shumë ndryshe. Siç shoqëria është ndryshe. Nuk di të them më e mirë apo më e keqe, por e them me siguri që është 100 për qind ndryshe!

Nga Ramiz Alia, te Berisha, Nano e Rama, si i keni menaxhuar marrëdhëniet me figurat politike të tranzicionit? Mbahet mend afërsia juaj me Berishën dhe më pas ftohja e tij me “Opinionin”. A keni ndonjë peng?

Raportet me personat politikë nuk ka qenë gjëja më e vështirë këto 20 vite. Ruajtja e ritmit të kohës dhe përshtatja me të, ka qenë dhe mbetet më e vështira. Ndryshimi nga politika klasike e përballjes 2 me 2 te tema e ditës. Personat e fuqishëm kanë qenë fragmente po kaq të rëndësishme brenda emisionit dhe shumë prej tyre tani mbeten pjesë e historisë së tij.

Është përfolur shpesh në këto 20 vite, që ju keni pasur oferta politike nga të dy krahët për poste. Nëse po, pse i keni refuzuar duke i qëndruar besnik formatit tuaj televiziv?

Po, kam pasur dhe ka qenë gjëja më e mirë që kam bërë. Mua më pëlqen shumë puna që bëj dhe një gjë që e do, nuk e braktis dot kollaj.

A keni bërë një bilanc cili ka qenë momenti juaj më i vështirë gjatë një debati në “Opinion”, por dhe momenti kur jeni ndierë më i realizuar?

Momenti më i keq ka qenë një debat i ashpër me Artan Lamen, në maj 2013. Më i vështiri ka qenë fushata e zgjedhjeve të 2013-s. Më i miri besoj se mbetet debati Nano – Berisha në 2002-shin. Ndoshta më i njohuri, sepse thellë- thellë disa intervista që për shumë vetë janë të panjohura, për mua mbeten magjike. Një me Mbretëreshën Geraldinë, me Jusuf Vrionin, apo disa me Ismail Kadarenë.

lame

Ndërkohë në “Opinion” po promovoni debatin me analistë si më të shëndetshëm dhe utilitarë për publikun. Por a mendoni se edhe ata janë po aq të përfshirë në tregun e politikës sa vetë politikanët?

Për fat të keq, po. Madje, disa prej tyre më shumë se të përfshirë, janë bërë shtesa të liderëve politikë. Kjo e dëmton debatin dhe ata vetë. Po ka shumë të tjerë që kanë mendimet e tyre indipendente.

Nëse do të ishit ju i ftuar në “Opinion”, do të preferonit të bënit opozitarin apo avokatin e pushtetit? Do të ndërtonit një strategji paraprake, duke krijuar një personazh televiziv dhe, nëse po, sa larg apo afër nga Fevziu i vërtetë do të ishte ky personazh?

Unë mendoj që vështrimi kritik dhe njëlloj mbështetjeje e tezave opozitare e nderon gazetarin. Por nuk di të them ç’do bëja. Sepse njeriu mban qëndrim në bazë të rrethanave, ngjarjeve dhe bindjeve që krijon për to.

Nëse moderatori nuk ju jep mundësinë të artikulonit gjithë idetë tuaja, mund ta merrnit guximin të linit emisionin në mes dhe të largoheshit, siç edhe ka ndodhur?

Nuk është një skenar i pamundur. Por një gjë, s’ka asnjë moderator në botë që të të ndalojë të shprehësh apo artikulosh idetë e tua.

Pasi të mbarojë “dasma” e “Opinionit”, çfarë risie do t’i servirë publikut këtë sezon?

Unë nuk kam bërë dasmë as për vete, e jo më për “Opinionin”. Pasi të mbarojë transmetimi i gjatë, thuajse 20 orësh, që besoj se është një risi në Shqipëri, do vijojmë me axhendën e temës së ditës. A, duhet t’ju them që transmetimi ynë maratonë është live edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni.

A parashikoni një sezon të nxehtë politik pas zgjedhjeve të 25 qershorit, apo mendoni se “flirti” Rama-Basha do të vazhdojë?

Jo, besoj se politika do të ketë përplasje të forta.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura