Femra dhe e bukura udhëheqin zhvillimin

Sep 25, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

MYFTAR BARBULLUSHImyftar-barbullushi

Kur Darvini i famshëm argumentoi se Bukuria nuk është stoli, por ajo përçon jetë, duke argumentuar rëndësinë e së Bukurës dhe të zgjedhjes seksuale të pavarur të femrave në evolucionin e qenieve të gjalla , pati shumë reagime nga ndjekësit e teorisë së tij, pasi në opinionin e përgjithshëm përzgjedhja natyrale perceptohej si mbijetesa e dhëmbëve dhe thonjve të më të fortit dhe plazmohej nëpërmjet zgjedhjeve mashkullore dhe jo femërore. Viktorianët, kundërshtarë të tij, nxituan ta përbaltnin duke e quajtur hajdut intelektual, hipokondriak, i padëshirueshëm, i fryrë dhe ambicioz dhe ndoshta me i keqi nga të gjithë, pasi filozofia e tij sfidonte zakonet e ngurta seksuale, kryekëput maskiliste, të Anglisë viktoriane.

Sipas Darvinit, bota e kafshëve pasqyron e mëshiron qartësisht se si shija e femrave për të bukurën jo vetëm që ka modeluar zhvillimin, por është kthyer në një motor të tij. Mashkulli e tërheq femrën nëpërmjet një performance estetike të përpunuar e të bukur, ilustruar veçanërisht me pupla shumëngjyrëshe e rrezatuese, apo nga krifsha pompoze që kulmojnë me kokën madhështore të luanit, ndërsa femra zgjedh të çiftëzohet me atë që ajo e konsideron më tërheqës konform informacionit të saj ndijësor dhe estetik. Pikërisht përmes zgjedhjes preferenciale të femrave e ka fituar bukurinë e tij proverbiale përgjatë dekadave, më i bukuri ndër më të bukurit e shpendëve, palloi mashkull. Richard O. Prum, darvinisti i shekullit të 21-të, befason kur shpjegon qartë se si rosat femra kanë zhvilluar strategji kundër përdhunimit dhe se meshkujt maço në shume raste nuk arrijnë të marrin bashkëshorten që duan, pavarësisht dhunës që ushtrojnë.

Nëse preferencat estetike të femrave formësojnë trajektoret evolucionare në botën e zogjve, atëherë me siguri kjo gjë duhet të ndodhë edhe te njerëzit, duke u bërë promotorë të lulëzimit dhe hijeshisë së pemës e jetës. Duke zbatuar të njëjtën logjikë zhvillimi, bota jonë do të duhej të pajtohej me faktin që zgjedhja e pavarur dhe estetike e partnerit nga femra ka kushtëzuar si cilësitë sociale, ashtu edhe anatominë e meshkujve. Pikërisht në kërkim të saj, në kërkim të rolit të së bukurës në evolucion jo vetëm në kafshë, por edhe në njerëz, Darvini do t’i drejtohej artit. Ai do të kërkonte në pikturat dhe në skulpturat e mjeshtrave të mëdhenj ndonjë konfirmim të ideve të tij, ashtu siç ai kishte gjetur në udhëtimin e tij të gjatë në bordin e anijes Beagle. “Fatkeqësisht, në pikturat më të famshme në botë nuk kam gjetur asgjë që të më shërbejë”, – shprehet i zhgënjyer ai. Gjithsesi, deri në fund të jetës së tij ai ishte i bindur se e Bukura, preferencat estetike femërore dhe lufta për pavarësinë e zgjedhjes seksuale femërore kanë luajtur një rol kritik edhe në zhvillimin e njerëzimit.

Pikërisht në këtë filozofi evolucioniste merr një vlerë të pamatshme revolucioni seksual që formësoi shoqërinë moderne, i cili do të mëshironte një transformim seksual kritik në favor të lirisë seksuale dhe barazisë gjinore, i cili, i amalguar me rrymat më të thella intelektuale dhe shoqërore të kohës, do të shërbente e do të vazhdojë të shërbejë si një gjenerator i fuqishëm i transformimit të shoqërisë moderne. Që nga ajo kohë, historia e seksit do të konsiderohet si një preokupim publik qendror dhe angazhimi në mbrojtje të vlerave të tij do të jetë një detyrim i fuqishëm ligjor, pasi kushtëzon të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.

Në vend të mbylljes “

… Pa bukurinë, njerëzimi nuk do të kishte absolutisht asnjë lidhje me botën! Këtu është i gjithë sekreti, këtu është e gjithë historia! Shkenca nuk do të qëndronte asnjë minutë pa bukurinë, a e dini këtë ju që qeshni? Pa të ju nuk do të shpiknit as edhe një gozhdë!”, – shprehet Dostojevski nëpërmjet një personazhi të kryeveprës së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura