Favorizuan 10 biznese, u zbuluan nga përgjimet. Gjykata cakton masat e sigurisë për tatimorët e arrestuar

Apr 20, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

Gjykata ka caktuar sot masat e sigurisë për tatimorët e arrestuar me akuzën e favorizimit të bizneseve. Seancën e sotme, trupi gjykues ka caktuar arrest me burg për Kreshnik Kasaj, Petrit Ahmetaj, Jani Berukas, Trëndafil Tarja.

Gjate operacionit ‘Fund marrezise’

Për të arrestuarin Mensur Hoxha ka caktuar “detyrim paraqitje”.  Arrest në shtëpi, gjykata ka caktuar për Ilir Rama, Naltan Jacaj, Valentin Loka. Sa për tre personat e shpallur në kërkim mësohet se ata nuk kanë dalë ende nga Shqipëria.  

Tatimorët e arrestuar, ja si favorizuan 10 biznese

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka zbardhur në mënyrë të detajuar, abuzimet e 11 inspektorëve të Tatimeve
dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, tetë nga të cilët, të arrestuar tri ditë më parë në Tiranë. Hetimi ndaj të akuzuarve ka nisur në nëntor të vitit 2014, kohë kur Prokuroria mori informacione se punonjësit e Tatimeve dhe Lojërave të Fatit njoftuan disa biznese që t’i shmangeshin aksionit “Fund Marrëzisë”.

Ndërkohë, përgjimet e kryera nga Prokuroria kanë zbardhur në detaje raste të tjera abuzimi. Sipas organit të akuzës, në një rast në Tiranë, inspektorët e Lojërave të Fatit i kanë sugjeruar menaxherit të një pike lojërash të fatit që ta mbyllë lokalin (të cilin e kishte të palicencuar). Ata i kanë kërkuar biznesmenit të mos binte në sy te të tjerët, por të shtirej se po e mbyllte, pasi kishte problem me dritat. Nga ana tjetër, nga hetimi konstatohen raste kur inspektorët e Lojërave të Fatit kryenin kontrolle, nuk plotësonin formularët përkatës në momentin e konstatimit, por i plotësonin më vonë, pasi të komunikonin me “sekserin”, Petrit Ahmetaj dhe më pas ta plotësonin sipas direktivës së tij.

DEKONSPIRIMI Grupi prej 11 personash të akuzuar nga Tatimet e Lojërat e Fatit, nga të cilët tetë janë arrestuar, ka dekonspiruar në vazhdimësi kontrollet që kryheshin ndaj bizneseve. Sipas Prokurorisë, grupet e inspektimit të Lojërave të Fatit njoftonin rregullisht disa persona “sekserë” mbi planet e kontrollit të pikave të basteve dhe lojërave të fatit dhe merrnin “sugjerime” prej tyre se ku duhet të ndaleshin për kontroll, dhe ku duhet të toleronin. Në një rast tjetër, inspektori i tatimeve i komunikon “sekserit” se mbeti “shumë i surprizuar, aq sa nuk i shkonte në mendje” nga “respektimi” që i kishte bërë pronari i një biznesi, në këmbim të një kontrolli fiktiv. Hetimi ka zbardhur një rast tjetër, kur inspektorët e Tatimeve diskutojnë me njëritjetrin, duke shpresuar që të mos u caktohet për kontroll rruga e autostradës, pasi “atje po punohet dhe nuk del gjë”. Prokuroria ka bërë me dije se në një rast, inspektorët e Tatimeve kërkojnë nga “sekseri” që të mbarojnë punë atë ditë (e premte), pasi e meritonin fundjavën pushim jashtë Tiranës me familjen.

PËRGJIMET
Përgjimi ndaj zyrtarëve të dyshuar për abuzime dhe korrupsion ka zbardhur një rast flagrant në Tiranë. Një subjekt tatimor ka rreth 10 milionë lekë (të rinj) detyrime dhe kërkon ndihmën e një prej inspektorëve të arrestuar në dt.17 Prill 2015. Sipas bisedës, inspektori ia bën të qartë “sekserit” se “subjekti e ka situatën shumë të vështirë, pasi i duhet mbyllur lokali, por jo të pamundur po të dijë të sillet”. Nga hetimet ka rezultuar se pas kontrollit, ai lokal ka vijuar të qëndrojë i hapur, pavarësisht se detyrimin nuk e ka shlyer. Më tej mësohet se grupet e Kontrollit Tatimor kanë konstatuar disa karburante të tjera pa dokumentacionin përkatës në rrugën Shkodër-Lezhë, por nuk kanë kryer procedurën e kontrollit në moment, por iu jepnin hapësirë dhe këshilla subjekteve që të rregullojnë dokumentacionin. Në një karburant në Malësinë e Madhe, akt-konstatimi shënon se “karburanti ka qenë i mbyllur”, por ky rast ka qenë nën hetim dhe ka rezultuar se pika e karburantit në asnjë rast nuk ka qenë i mbyllur. Rast tjetër abuzimi është ai në një fabrikë në Tiranë, ku inspektorët e kontrollit nuk kanë shkuar në ambientet e subjektit të madh për kontroll (magazine), por e kanë plotësuar aktin e kontrollit nën shoqërinë e administratorit të kompanisë, në një lokal në periferi të Tiranës. Trazhgim Sokolaj 

TË ARRESTUARIT

1.Jani Berukas, 39 vjeç, përgjegjës Grupi në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit;
2. Valentin Loka, 34 vjeç, specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit;
3. I.R, 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë me specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit;
4. Trëndafil Tarja, 36 vjeç, specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve;
5. Mensur Hoxha, 37 vjeç, përgjegjës grupi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve;
6. Petrit Ahmetaj, 48 vjeç, specialist në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, në Bashkinë e Tiranës;
7. Maltan Jacaj, 41 vjeç, specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit;
8. Kreshnik Kasaj,27 vjeç, menaxher i një kompanie bastesh.
Shpallen në kërkim tre shtetasit me inicialet A.M, K.D dhe X.B.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura