Fatos Lubonja: Rama po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm, t’i vërë gishtin kokës

Oct 26, 2017 | 15:54
SHPËRNDAJE

Akuzat dhe fyerjet e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve kanë ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. Një bojkot i përgjithshëm për të ndalur arrogancën e kryeministrit është propozimi i parë i Fatos Lubonja.

auto_Fatos_Lubonja1477810771

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”-n, shfaqjen e Ramës me gazetarëve, Lubonja e ka cilësuar një të shëmtuar. Ai u sugjeron mediave që të mos bashkëpunojnë me të për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike apo financiare, por kërkon prej tyre të ndërgjegjësohen, pasi, sipas tij Rama, është armik i drejtësisë dhe i mediave që rrezikon dhe ekonominë e tyre. Ndërsa gazetarëve Lubonja u thotë t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe dinjitetit të tyre, por njëkohësisht dhe të ardhmes së tyre profesionale. “Dakord që kemi gazetarë që shërbejnë, por deri në këtë shkallë sa të pranojnë të poshtërohen kështu, kjo nuk pranohet”, tha ai.

Z. Lubonja, kryeministri Edi Rama në një dalje para mediave ka fyer gazetarët duke i quajtur idiotë, injorantë, të paaftë profesionalisht. Pranohet që një kryeministër për gjatë gjithë konferencës të merret me pyetjet e gazetarëve, pra t’i japë “leksione” gazetarëve madje duke i poshtëruar?

E kam shprehur edhe më parë që pushtetit mediatik i duhet kthyer dinjiteti dhe pavarësia që i kanë nëpërkëmbur deri në këtë shkallë pronarët e mediave dhe kryeministri, ashtu siç ky i fundit ka nëpërkëmbur dhe drejtësinë me këtë që bën në parlament. Pa media të pavarura nga pushteti ekzekutiv siç kërkon kryeministri nuk ka demokraci. Ky ishte një akt i turpshëm i kryeministrit.

Në gjykimin tuaj, cili duhet të jetë reagimi i gazetarëve. Është paralajmëruar një bojkot. Mjafton apo duhet diçka më shumë?

Duhet më shumë. Duhet që më në fund dhe ata pronarë televizionesh t’i thërrasin mendjen që të mos shkojnë në humnerë bashkë me kryeministrin. Të mos bashkëpunojnë me të për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike apo financiare, por të ndërgjegjësohen se ky armik i drejtësisë dhe i mediave rrezikon dhe ekonominë e tyre. Ndërsa gazetarët duhet t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe dinjitetit të tyre njerëzor, por njëkohësisht dhe të ardhmes së tyre profesionale. Dakord që kemi gazetarë që shërbejnë, por deri në këtë shkallë sa të pranojnë të poshtërohen kështu, kjo nuk pranohet.

Sa të kënaqur jeni ju z.Lubonja me nivelin kulturor dhe profesional të gazetarëve?

Që gazetaria ka një mijë probleme kjo dihet. Dhe që gazetarët kanë nevojë për më shumë profesionalizëm, më shumë dinjitet dhe koherencë, po ashtu dihet. Por, unë mendoj se shkaktari numër një i situatës së rëndë të medias është ky kryeministër, i cili me një mendjeshkurtësi dhe injorancë, po përdor fjalën që përdori ai, mendon se në një demokraci mund të ecët pa media të pavarur dhe gazetarë. Është ai i pari që ka bërë politika me kastrimin e mediave, nëpërmjet korruptimit të tyre përmes pushtetit ekzekutiv. I ka pasur në dorë dhe kur ka qenë në bashki. Gjëja e parë që duhet të bëjë kryeministri është t’i vërë gishtin kokës, por ai në vend që t’i vejë gishtin kokës po ia vë të tjerëve dhe ka tentativa që ta bëjë këtë në mënyrë gjithnjë e më syçjerrët. Pra, po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm.

Sulmi ndaj gazetarëve me fjalor rrugësh mendoni se mund të jetë bërë nga z. Rama për të larguar vëmendjen nga skandali “Tahiri”?

Krimi sjell krimin. D.m.th. mbulimi i krimit, siç po tenton të bëjë Rama me rastin e krimit të Tahirit sjell krime të tjera. Kjo e medias është një prej krimeve që vjen si rrjedhojë e tentimit për të fshehur një krim. Këta njerëz, që arrijnë deri këtu, mund të shkojnë edhe më tej për të mbrojtur pushtetin e tyre që u jep garancinë se provat që i inkriminojnë nuk do të dalin në dritë. Historia jonë na e ka provuar këtë më shumë se një herë. Ja përse ata i bien refrenit nuk ka prova: Sepse pushtetin e kanë kriminelët, edhe mbi Policinë, edhe mbi Prokurorinë, edhe mbi Gjyqësorin. Dhe ky është absurdi në këtë histori. Kriminelët na thonë: ok, ju e dini që ne jemi kriminelë, edhe ne e dimë që jemi të tillë, por s’keni prova të na e vërtetoni. Që t’ua provosh duhet t’u marrësh pushtetin, por që t’u marrësh pushtetin, duhet të kesh paratë e tyre të pafundme që i sigurojnë nga krimi. Përndryshe, po të guxosh t’u nxjerrësh ndonjë provë, të bëjnë qindin, të thonë gënjen, maskara, kjo nuk është provë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura