Eurosong, Aurela Gaçe kërkon votën e Kosovës

Apr 7, 2011 | 11:06
SHPËRNDAJE

Këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, Aurela Gaçe, ka promovuar edhe në Prishtinë këngën “Feel the pasion”. Në një konferencë për shtyp, dhënë në Prishtinë, Gaçe është shprehur se në Eurosong po shkon me një këngë me motive shqiptare dhe për këtë gjë është më se e lumtur. Gaçe ka treguar detajet për paraqitje skenike, duke thënë se do të shoqërohet nga tre vokalistë, një kitarist, por nuk do të ketë asnjë shoqërim koreografik. Ndonëse flitet për “lobingje” në votimin e këngëve, këngëtarja u shpreh se nuk i intereson aq shumë pozicioni që do të zërë në listë, se sa paraqitja dinjitoze e Shqipërisë. Gaçe ka shfrytëzuar rastin për të kërkuar votën e kosovarëve, duke qenë e bindur se edhe ata do të mund të votojnë. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, i cili u shpreh optimist për një paraqitje dinjitoze të përfaqësueses së Shqipërisë. Aurela Gaçe do të prezantohet në skenën e “Eurosong 2011”, që këtë vit zhvillohet në Gjermani me këngën “Feel The Passion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura