“Është kthyer në barsoletë, por më mirë se sa në tragjedi”- Dorëheqjet masive të drejtorëve të Kadastrës së Vlorës, Artan Lame prezanton kreun e ri: Do ketë reformë të thellë në…

Jul 13, 2020 | 12:56
SHPËRNDAJE

Vetëm tre ditë pas dorëheqjes së drejtorit të 7-të, Artan Lame, kreu i Agjencisë se kadastrës ka prezantuar, Andi Binaj, drejtorin e ri të Kadastrës së Vlorës.

Gjatë një konferencë për mediat, Artan Lame u shpreh se çështja e drejtorit të Kadastrës së Vlorës është kthyer në një barsoletë, por u premtoi qytetarëve se shumë shpejt do shohin ndryshime.

“Është kthyer në barsoletë kjo çështja e drejtorit të Kadastrës së Vlorës. Por më mirë në barsoletë sesa në tragjedi. Megjithatë në shumë raste është kthyer në tragjedi për familjarët. Jo çështja e ndërrimit të drejtorëve por çështja e zvarritjes me problematikat e pronave.

Në një moment të dytë do vij me rezultatet edhe për ta thënë që po drejtor kishe të drejtë në ndryshimin që u bë. Kemi qenë në gjendje të vëmë në vijë edhe çështje më të vështira. Qytetarët do ta shohin shumë shpejt ndryshimin në Vlorë.

Në këto 6 muaj, 8 muaj apo vitin e fundit, Vlora po vuan gjithë kalvarin e vjetër. Nuk është krijuar tani kjo situatë. Është kalvar 30-vjeçar.

Sot ne patëm kurajën ta hapim e të themi këto janë problemet e Vlorës,”- tha Artan Lame.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës u shpreh se së shpejt do të ketë reformim të thellë brenda institucionit të Kadastrës Vlorë dhe u bëri thirrje të rinjve vlonjatë të aplikojnë për punësim.

“Brenda Kadastrës së Vlorës do të ketë një reformë të thellë edhe për personelin e brendshëm. Si skemë është përgatitur dhe do fillojë së shpejti. Edhe aktualisht ka mangësi personeli. I drejtohem të rinjve dhe të rejave vlonjatë, që janë topografë, inxhinierë ndërtimi, arkitektë, ne kemi mangësi, ju lutem paraqituni për tu punësuar pranë Kadastrës së Vlorës. Duam njerëz të rinj që të jenë sa më pak peng i pengjeve të vjetra të problematikave të Vlorës,”- shtoi Artan Lame.

Gjatë prezantimit drejtori i ri Kadastrës së Vlorës, Andi Binaj u shpreh: “Jam i lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës, me eksperiencë pune në sektorin privat dhe publik. Kam arsim të lartë në Drejtësi. Një pjesë e madhe e problematikave të qytetarëve kanë të bëjnë me pronat. Duke parë gjendjen aktuale të Kadastrës së Vlorës, me lejoni ta përcjell me një fjali: Le të flasin faktet dhe jo fjalimet për punën e Kadastrës së Vlorës. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e investimeve të reja.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura