Erozioni përpin qindra ha në zonën turistike të Kune-Vain, Uldedaj: Duhet ndërhyrje urgjente

Jan 20, 2018 | 16:10
SHPËRNDAJE
LEZHE/ ELVIS HILA
Zona turistike e Kune-Vainit në Lezhë rrezikon ekzistencën e saj. Erozioni detar ka marrë përmasa të frikshme, fakt ky që dëshmohet dhe nga zhdukja e dhjetëra pishave si dhe bunkerëve, të cilët janë mbuluar tashmë nga uji. Sipërfaqja e rërës është zvogëluar aq shumë sa që deti i është afruar shumë rrugës së plazhit. Eksperti i Mjedisit në Lezhë, Jak Gjini, e konsideron situatën e krijuar si tejet alarmante.
Sipas tij, në dekadat e fundit janë zhdukur 300 hektarë, pasi deti përparon në drejtim të tokës nga dy deri në tre metra në vit. “Është një erozion vërtet agresiv kur kemi parasysh me çfarë ritmi po ecën. Po avancon deti në drejtim të tokës, mesatarisht 2 ose 3 metra në vit, natyrisht në zonën e ulët, që përfshin komplet bregdetin e KuneVainit. Po përpin territore të tëra, që janë zona të mbrojtura dhe që kanë vlera natyrore të pakrahasueshme.
tonin uldedaj
Po të llogarisim Kune-Vainin nga viti 1972 e në vazhdim, janë mbi 300 hektarë që janë zhdukur, si pa u ndierë vit pas viti. Zgjidhja e vetme është përveçse ndërtimin e dallgëkthyesve brenda në det dhe jo në bregun e detit. Pas kësaj duhet të bëhet mbushja e bregut dhe të formohen dunat artificiale”, shprehet eksperti i mjedisit, Jak Gjini. Në lidhje me këtë problematikë, kryetari i Njësisë Administrative të Shëngjinit, Tonin Uldedaj, shprehet se duhen investime të mëdha për mbrojtjen nga erozioni, ndaj, sipas tij, qeveria shqiptare duhet t’i kthejë sytë nga kjo zonë, që rrezikojmë ta humbim plotësisht.
“Ne e kemi vëzhguar disa herë. Situata është tejet alarmante, erozioni ka marrë përmasa të frikshme. Investimi për t’i bërë ballë këtij fenomeni kërkon fonde të mëdha dhe ne si bashki, nuk i disponojmë. Për këtë, kërkoj dhe i bëj thirrje qeverisë shqiptarë që t’i kthejë sytë nga kjo zonë. Nëse nuk do të ndërhyhet në një kohë të shpejtë, rrezikojmë ta humbim plotësisht këtë perlë të bregdetit të Adriatikut, siç është Kune-Vaini” shprehet Uldedaj. Situata e krijuar në KuneVain, pak javë më parë mori dhe vëmendjen e mediave franceze, të cilat vunë theksin te nevoja e ndërhyrjes pasi erozioni po zhduk një nga perlat e bregdetit të Adriatikut.
Alarmi për këtë situatë është dhënë prej shumë vitesh, por që nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga instancat qeveritare. Tashmë, deti po përpin avash-avash tokën në këtë zonë dhe nëse nuk merren masa, së shpejti uji do të përparojë me dhjetëra metra të tjera.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura