“Ernest Koliqi informator i agjenturave të huaja”- Bashkim Kopliku përgjigje për Auron Taren: Punë prej amatori. Dokumentet mund të jenë lënë qëllimisht të manipuluara që…

Jul 8, 2020 | 11:28
SHPËRNDAJE

Ish-ministri, Bashkim Kopliku, ka reaguar pas shkrimit të publikuar në “Peizazhe të fjalës”, nga studiuesi Auron Tare, i cili pretendon se dy shkrimtarët, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, kanë qenë të përfshirë në agjenci të huaja spiunazhi si UDB (Camaj), CIA, SIM etj.

Me një shënim në facebook, Kopliku e konsideron hulumtimin e Tares “punë prej amatori”, ndërsa shton se duhet shumë kujdes në shqyrtimin, e interpretimin e këtyre dokumenteve, sidomos kur ato vijnë nga arshivat komuniste.

pjimage

Sipas tij, ato dokumente mund të jenë lënë qëllimisht të manipuluara në formë të tillë, që kur të hapen, të vazhdojnë të shërbejnë si shpifje ndaj “armiqve të Partisë”.

Ernest Koliqi ishte një shqiptar i madh, që mundohej të gjente mënyrat më të mira, të kohës, për ta bërë Shqipërinë sa më të fortë ndaj rreziqeve që e kërcënonin. E trimi i mirë, me shokë shumë, e prandaj duhet të bënte aleanca me ata që mund të ishin të dobishëm për Shqipërinë. Gjërat duhen shqyrtuar sot, në kontekstin e kohës që jetoi Koliqi”, shkruan mes të tjerash Kopliku.

Postimi i plotë:

Ernest Koliqi, shqiptar i madh, pavarësisht taktikave që përdori

Shoh komente në face book, dhe më se fundi te Provokacija e abc, z. Auron Tare, specialist i turizmit.

Paska gërmuar në ca arshiva tashmë të hapura, z. Tare (person në këtë rast hobist, krejtësisht jashtë specialitetit të tij), dhe paska gjetur ca të dhëna, për bashkëpunimin e Ernest Koliqit, me italianët, amerikanët, gjermanët etj. Po u publikuakan dokumente komuniste etj., të hapura, pas kalimit të kohës së detyrimit ligjor që të mbeteshin sekret. Punë krejtësisht prej amatori!

Natyrisht që duhet shumë kujdes në shqyrtimin, e aq më tepër interpretimin e këtyre dokumenteve, sidomos kur ato vijnë nga arshivat komuniste. Ato dokumente mund të jenë lënë qëllimisht të manipuluara në formë të tillë, që kur të hapen, të vazhdojnë të shërbejnë si shpifje ndaj “armiqve të Partisë”, një dënim ky, pas vdekjes, i patriotëve antikomunistë, por edhe një fshehje e tradhtarëve të vërtetë, e atyre që shitën Shqipërinë.

Nuk më çuditë ajo që qenka “zbuluar”, e që me siguri janë gjëra që stërdiheshin, që në vitin 1945, nga zbulimet e Amerikës, Anglisë, Italisë, Gjermanisë, pra të aleatëve tanë aktualë perëndimore, e që, në përgjithësi, janë ditur nga të gjithë, se Koliqi ka qenënë ministër, kur dërgonte në Kosovë dhjetra arsimtar nga Shqipëria…

Ernest Koliqi ishte një shqiptar i madh, që mundohej të gjente mënyrat më të mira, të kohës, për ta bërë Shqipërinë sa më të fortë ndaj rreziqeve që e kërcënonin. E trimi i mirë, me shokë shumë, e prandaj duhet të bënte aleanca me ata që mund të ishin të dobishëm për Shqipërinë. Gjërat duhen shqyrtuar sot, në kontekstin e kohës që jetoi Koliqi.

Për të kuptuar sa më lehtë kontekstin kur ndodhnin ngjarjet, po bëj një analogji. Sot, 2020, jemi aleatë me Naton, me ShBA (Amerikën) dhe BE (Evropën); ata na çliruan Kosovën nga robëria e Serbisë. Koliqi do të kishte qenë aleati nr. 1 i Natos, për lirinë e Kosovës, po të ishte bashkëkohës me ne. Por në 1939, apo 1941, nuk ishte Nato këtej pari, por ishin Italia fashiste e Gjermania naziste, Koliqi u bë aleat me Italinë e Gjermaninë, se ata dhe e çliruan Kosovën nga Serbia dhe e bashkuan me Shqipërinë për disa vjet, 1941 deri 1944. Ishte Komunizmi që tradhtoi Shqipërinë, duke ia kthye Kosovën Serbisë, fill pas Luftës, në 1945, pa mbajtur premtimin e bërë nga vetë komunistët, në Shqipëri e në Jugosllavi, se për kthimin e Kosovës do të vendosej me një referendum.

Edhe sot, ka shqiptarë që “marrin rrogën” te “Nato”, e që për ndokënd mund të quhen tradhtarë, kur dihet mirë se janë patriotë e aspak tradhtarë!!! Edhe Koliqi ishte qenie njerëzore, e duhet të jetonte, të ushqehesh, prandaj dhe të merrte, si nëpunës i aleancës përkatëse, rrogën përkatëse, si çdo zyrtar.

Këto janë faktet, ky është realiteti i thënë shkurt, larg lavazhit komunist të trurit, që na është bërë, me dogmat e mësuara përmendsh, për 45 vjet me radhë.

Natyrisht, kur gjykojmë sot, del se ka gabuar Koliqi në taktikat e tij, se ai duhet të bëhej aleat me amerikanët, me anglezët etj. Por, po të shkojmë me mend në vitin 1939-44, çdo person me bonsens e kupton se Koliqi pak shanse kishte të “mos bënte gabimin taktik”, që për të ndihmuar Shqipërinë, nuk u lidh me amerikanët, me aleatët, që fituan pastaj luftë! Ishte e vështirë që ai, Koliqi, të kontaktonte me Aleatët, në situatën konkrete të asaj kohe, apo jo!

Kini parasysh edhe faktin se deri në 22 qershor 1941, kur Gjermania sulmoi papritmas Bashkimin Sovjetik, të gjithë komunistët tanë shqiptarë, ishin me italianët e gjermanët, se Hitleri me Stalinin ishin aleatë: së bashku e ndanë Poloninë, që e sulmoi Gjermania në 1 shtator 1939, gjë që ishte shkëndia e plasjes së luftës së dytë botërore. Ishin të dy, nga një anë Hitleri, e nga ana tjetër Stalini, që përlanë e shkatërruan Poloninë. Komunistët tanë atëherë ishin, shumë prej tyre, anëtarë të Partisë Fashiste Italo-Shqiptare, kurse Koliqi, ministër arsimi. E solla këtë fakt, sepse konstatoj në gjithë këtë sulm të soçëm kundër Koliqit, zhurmën propagandistike të komunizmit, kundër kundërshtarëve të tij politikë, kur nuk arrinte t’i vriste apo burgoste, siç bëri 45 vjet me radhë.

Fakti që Koliqi, edhe pas luftës, pas 1944, për 30 vjet me radhë, vazhdoi të zhvillojë aktivitetin e tij letrar e politik në një vend përparimtar si Italia e mbas luftës së dytë botërore, është një provë shumë më e sigurt sesa letrat e nakatosura që sillen këto ditë për të njollosur një patriot. Fakti i punës 30-vjeçare të Koliqit pas 1945, është një provë se amerikanët e aleatët e tyre perëndimorë, e dinin mirë se cilat kanë qenë motivet e Koliqit me taktikat e tija politike: e mira e Shqipërisë!

Duhet t’i ruajmë figurat si Koliqi, se nuk është se kemi aq shumë si ata, mos të ngutemi të biem në konkluzione naive, amatore por dhe antishqiptare.

Lexo edhe:

Auron Tare: Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, “të pazbuluar” si informatorë të agjenturave të huaja: 250 dollarë në muaj…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura