Ermal Merdani: Ja pse kam zgjedhur të mbështes Erion Veliajn

May 15, 2015 | 15:48
SHPËRNDAJE

Ish-mister dhe pjesëmarrës në “Big Brother”, Ermali pohon: Jam pjesë e FRESSH, por më pëlqen që Grida Duma të fitojë Durrësin

Jam bashkuar me krahun e majtë politik dhe mbështes Erion Veliajn në këtë fushatë, pasi më pëlqen si person. Përveç kësaj, është i ri, ambicioz, kreativ dhe përkrah të rinjtë… Grida Duma është femër me kapacitet dhe elokuencë të admirueshme dhe më bëhet qejfi që ka marrë iniciativën për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit. I uroj suksese në këtë eksperience të re!

Para dy vitesh, kur Ermal Merdani i “BB5” hodhi hapin e parë të angazhimit të tij në politikë me marrjen e postit të kryetarit të Forumit Rinor Demokristian të Partisë së Nard Ndokës, tashmë ndryshon krejtësisht drejtim. Ai na shfaqet në krahun e majtë politik, pranë Erion Veliajt, në fushatën për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Ermali tregon se pse mbështet Veliajn në këtë fushatë
Të kemi parë në këtë fushatë pranë kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Cili është angazhimi yt konkret pranë tij?
Po angazhohem me organizatën e FRESSH-it, ku kemi krijuar organizatën e profesionistëve të rinj dhe do të merrem me fushatën pranë Njësisë Nr.7. Në fakt, jam bashkuar me krahun e majtë politik dhe mbështes Erion Veliajn në këtë fushatë, pasi më pëlqen si person. Përveç kësaj, është i ri, ambicioz, kreativ dhe përkrah të rinjtë.
Ku jeni njohur dhe pse e mbështet Erionin në këtë fushatë?
E kam ndjekur përmes ekranit dhe iu afrova unë për t’iu bashkuar në fushatë, sepse më pëlqen për idetë që ka si politikan, dhe më kryesorja që vjen nga jeta civile. Si figurë publike ai ka background, është shumë social, i ri dhe me perspektivë. Njerëz  të tillë që shohin para, i duhen shoqërisë sonë.
Të duket rival i fortë për Bashkinë e Tiranës kandidati i të djathtëve, Halim Kosova?
Mund të them vetëm që është njeri me integritet dhe profesor i nderuar.
Dhe, sipas teje, kush e fiton Bashkinë e Tiranës?
Pa diskutim që e fiton Erioni, sepse është një person që ka dhënë rezultat edhe kur ka qenë në jetën civile, po ashtu në këto dy vite politikë. Gjithashtu ka dhe koalicion më të fortë për këtë fitore.
Ti çfarë synimesh ke për veten, nëse Erioni del fitues nga këto zgjedhje? Pozicioni i punës që synon?
Bazuar në atë që kam përfituar nga studimet e larta dhe aktivitetet e ndryshme ku jam angazhuar, synoj të jem pjesë e administrimit të Tiranës nesër. Pozicioni i punës që synoj, është në fushën e menaxhimit.
Tashmë je vendosur majtas në politikë, edhe pse fillimet e tua i pate me demokristianët. Ke simpati për ndonjë nga kandidatët e tjerë të djathtë?
Grida Duma është femër me kapacitet dhe elokuencë të admirueshme dhe më bëhet qejfi që ka marrë iniciativën për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit. I uroj suksese në këtë eksperience të re!

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura