Erion, dy mufka nuk e bëjnë një fik të pjekur!

Jun 17, 2018 | 10:43
SHPËRNDAJE

bylykbashiOERD BYLYKBASHI

Dëgjova para dy ditësh një artist shkrues humori, që fliste tek artistët të cilët protestojnë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar nga shkatërrimi prej Edi Ramës dhe Erion Veliajt. U përpoq të barazonte ndërtimin e Xhamisë me tentativën për të ndërtuar Teatrin. Sipas tij, Basha deshi të ndërtonte Xhami me kullë siç po përpiqen Rama dhe Veliaj të ndërtojnë Teatër me kullë.

Duke qenë se respektoj në parim personin si artist e intelektual pa e njohur personalisht, mendoj që nuk e ka nga padija e fakteve. Ndaj uroj që të mos jetë një përpjekje tinëzare për të justifikuar Ramën dhe Veliajn. Komuniteti Mysliman, në kohën e qeverisjes së PD-së, mori leje ndërtimi për ndërtimin e Xhamisë së re në truallin e vet, por sipërfaqja e ndërtimit në pronësi të Komunitetit Mysliman ishte e pamjaftueshme për projektin. Familja tiranase, pronare e truallit bashkëngjitur, i dhuroi Komunitetit Mysliman një sipërfaqe të konsiderueshme trualli.

Në këmbim, bashkia do t’i jepte kësaj familjeje leje për të zhvilluar pjesën e pronës së vet të mbetur në pronësi private. Erdhi në pushtet Rama, prishi lejen e ndërtimit të privatit, ia shpronësoi pronën private me çmim shtetëror dhe jo të tregut të lirë. Në atë zonë u ndërtua vetëm Xhamia, ndërkohë pronarët jo vetëm nuk morën leje ndërtimi, por humbën edhe pronën. Teatrin Kombëtar, Rama ka që në vitin 2002 që kërkon ta shembë e në vend të tij të ndërtojë një kullë, ku një pjesë të jetë teatër. Idenë e tij e testoi fillimisht kur prishi Stadiumin Kombëtar dhe ndërtoi një kullë, që për ambient çlodhës nuk ka oborr, por stadium.

Banda e Ramës, që ka në përbërje edhe “mbrojtës” trashëgimie kulturore që lidheshin pas kangjellave të Presidencës si ato zonjat sufrazheta të fundit të 800-s që kërkonin të drejtën e votës, u kompletua me Erionin që erdhi në Tiranë dhe me duar e këmbë, shesin mufka dhe përpiqen t’i shpjegojnë ýKombit se nuk mund të jetë Bashkia e Tiranës e vetmja që ka një ferrishte nga prapa, ndaj interesi publik e do që të zhvillohet prona publike, duke ia dhënë privatit.

Për sqarim, Erioni, ferrishte konsideron trojet publike rreth Teatrit Kombëtar. Tipikisht siç ua thotë manuali i sharlatanit, demonizojnë e pikturojnë si diçka të shëmtuar një gjë qe duan ta prishin e ta zëvendësojnë me atë që kanë interes. Le ta analizojmë paralelizmin e pafat që bëri artisti shkrues i humorit:

1- Rama dhe Veliaj duan të prishin Teatrin Kombëtar me të gjithë hapësirat anekse të tij. Në rastin e Xhamisë nuk kishte asgjë “kombëtare” për të prishur. Edhe lulishtja që do zinte Xhamia e me lejen e kohës së PD është zënë njësoj siç e ka zënë Xhamia me lejen në kohën e PS-së, për më tepër, ishte pronë e Komunitetit Mysliman pjesa më e madhe e truallit, pra, ishin në të drejtën e tyre.

2- Privati, në këmbim të zhvillimit të pronës së tij, ia dhuroi një pjesë të pronës së vet ýnjë institucioni të rëndësishëm, pothuaj publik si Xhamia. Në rastin e Teatrit Kombëtar, po i dhurohet privatit nga shteti tokë publike, me mijëra metra katrore, që privati të zhvillojë pronën e vet.

3- Në rastin e Xhamisë, privati do të ndërtonte vetëm mbi një pjesë të pronës së vet private, brenda saj pa cenuar asnjë metër katror truall publik. Në rastin e Teatrit, privati do të ndërtojë për vete jo vetëm mbi tokën e vet, por edhe mbi atë që do marrë dhuratë nga shteti. Më pas, do ta shesë për llogari të vet me çmimet e tregut të qendrës së Tiranës. Çmimin për m2 gjejeni vetë dhe shumëzojeni me sipërfaqen ndërtimore që të dalë fitimi i privatit dhe njëkohësisht humbja e shtetit.

4- Ndokush do thotë, po ja, në njërin rast bëhemi me Xhami të re, në tjetrin bëhemi me Teatër të ri. As kjo nuk rri. Xhaminë e vjetër nuk e prishim, është monument kulture. Pse duhet prishur i vetmi Teatër Kombëtar?! Ta ruajmë dhe rikonstruktojmë jo vetëm si teatër tempull i kulturës kombëtare, por edhe si dëshmi e historikut arkitektonik të Tiranës që u bë kryeqytet vetëm në 1920. Pra, paralelet nuk e di ku i gjeti artisti i nderuar. Këto janë gjëra shumë më komplekse, serioze dhe të rënda se një skeç ngjyrë portokalli.

Ndaj, nuk i hidhet hi syve publikut, qoftë edhe pa dashje. Këto nuk janë drejtëza paralele, e pamundur të jenë. Madje, nuk janë as te kithëta e qe nuk priten me njëra-tjetrën. Këto janë vija te spërdredhura si shejtan që nuk ka Zot që i krahason! Nëse duhet të barazojmë ndopak të dy rastet, i bie qe për interes publik, e për të rritur hapësirat e Teatrit Kombëtar, të shpronësojmë truallin pronë private të këtij partnerit privat të Ramës dhe t’ia kalojmë Teatrit.

Si thoni? Gjithsesi, unë jam kundër shpronësimit të privatit pa kritere të ashpra, jam pro zhvillimit vetëm të truallit privat, ndërsa qeveria le të gjejë paratë për rikonstruksion të Teatrit Kombëtar dhe trualli publik i kompleksit të Teatrit të mbetet pronë publike dhe Teatri Kombëtar të mbetet tempulli i artit, pjesës më të ndriçuar të Kombit. Nuk më hyn në xhep sa miliona euro humbasin Rama dhe banda e tij me gjithë Veliaj e Tosum Bac, që shesin mufka për fiq të pjekur!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura