Enver Robelli vs. Halil Matoshi & Ben Blushi

Aug 26, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

nexhmedin spahiuNGA NEXHMEDIN SPAHIU

1. INTELEKTUALI E POLITIKANI Robelli e huq që me  titull: “E vërteta mund të ketë efekt vetëm kur marrësi është i pjekur për të”. Ky gjykim u adresohet politikanëve dhe jo intelektualëve. Politikanit i nevojitet përkrahja e shumicës së një komuniteti që të ketë efekt ideja e tij, prandaj jo çdo e vërtetë shkon në dobi të tij. Nëse të vërtetat e tij nuk kuptohen nga shumica, ato mund të kenë kundërefekt.

Puna qëndron ndryshe me intelektualin. Intelektuali gjithmonë duhet ta thotë të vërtetën, sepse misioni i tij është përhapja e dritës, ndriçimi i shtigjeve të pazbuluara, dhe këtu nuk është e thënë ta kuptojnë shumica. Madje, qoftë edhe askush nga brezi i tij, mjafton ta kuptojë ndokush nga brezat e ardhshëm. Nëse intelektuali ka thënë një të vërtetë, ajo mund të kryejë funksionin e vet, ndoshta pas 1000 vitesh.

A mos ishin të pjekur ta pranonin elitat apo popujt europianë kur Xhordano Bruno tha se “Toka rrotullohet rreth Diellit”? Por sot, i tërë planeti i është mirënjohës Xhordano Brunos. Ne që diskutojmë për kombin kosovar, nuk flasim vetëm për brezin tonë, por edhe për brezat që vijnë më pas.

2. KOMBI KOSOVAR TASHMË ËSHTË REALITET E JO VETËM IDE Robelli thotë se nuk e mohon mundësinë e krijimit të kombit kosovar, por kritikon Halil Matoshin pse “i godet të tjerët si me çekan në kokë se jeni patjetër pjesëtarë të kombit kosovar”.

E vërteta është se kombi kosovar ishte ide e imja e para 25 viteve, e shprehur në replikat e mia me Fatos Lubonjën në shtypin e Tiranës, dhe që u fuqizua politikisht vite më vonë, kur këtë ide timen e përkrahën Halil Matoshi e Fatos Lubonja dhe, më pas, edhe vetë Presidenti Ibrahim Rugova. Por tani, për kombin kosovar më nuk mund të flitet si për një ide, sepse ai tashmë është një realitet politik i njohur nga 112 kombe të botës.

Fakti se shqiptarët e Kosovës e quajnë veten shqiptarë e jo kosovarë, nuk është mohim i kombit kosovar. Kur deklarohen si shqiptarë ata deklarojnë identitetin e tyre etnik që mbetet i pandryshueshëm.

Natyrisht, luftën e bënë si shqiptarë etnikë, sepse në kohën e luftës kombi ishte vetëm ide dhe akoma jo një realitet. U desht ndihma e fuqishme e aleatëve perëndimorë që të krijoheshim si komb. Pra, komb kosovar që për momentin është monoetnik (sepse përbehet vetëm nga komuniteti shqiptar i Kosovës) dhe multifetar, ashtu siç është edhe vetë kombi shqiptar.

Madje jo vetëm Ahtisaari, me të cilin e kam biseduar gjerë e gjatë idenë e kombit kosovar, po edhe Kushtetuta e Kosovës, përcakton se Kosova është shtet i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Pra i përcakton shqiptarët e Kosovës si komb.

Fakti se as Ahtisaari e as Kushtetuta e Kosovës nuk i cilësojnë komunitetet e tjera si minoritete, vjen nga konotacioni pezhorativ që ka marrë fjala “minoritet” në të kaluarën, por kjo nuk zhbën faktin se komunitetet e tjera janë minoritare në Kosovë.

Tani në Amerikë nuk përdoren më termat “black people” apo “negros”, por termi afro-amerikan. Natyrisht, termi i ri nuk ua ndryshon ngjyrën e lëkurës këtyre njerëzve, kështu edhe përdorimi i fjalës komunitet nuk ua ndryshon statusin e minoritetit etnik joshqiptarëve në Kosovë.

3. HISTORIA E FLAMURIT KOMBËTAR TË KOSOVËS. Në shtator të vitit 1999, pata botuar idenë që Himni Kombëtar i Kosovës të jetë kompozimi i Rexho Mulliqit “Kur ra kushtrimi në Kosovë”, dhe Flamuri Kombëtar i Kosovës të jetë harta e Kosovës ngjyrë ari në sfondin e kaltër, ose një i ngjashëm me atë shqiptar.

Në ndërkohë, si kryetar i Kuvendit të OJQ-ve të Kosovës, trup përfaqësues i shoqërisë civile të Kosovës, i krijuar nga OSBE, arrita ta bind Dan Evertsin, që simbol i shoqërisë civile kosovare të jetë harta e Kosovës ngjyrë ari në sfond të kaltër. Në takimin me kryeadministratorin e UNMIK-ut, Hans Hakerup, arrita ta bind atë që logoja e institucioneve të përkohshme të Kosovës të jetë harta e Kosovës ngjyrë ari në sfond të kaltër.

Ai u pajtua, por tha se për këtë duhet të shpallet një konkurs ku do të konturohej kjo ide. Ironia është se konkursin e fitoi dikush tjetër, ngaqë e kishte punuar idenë time grafikisht më mirë. Tri vite më vonë, më 28 Nëntor 2002, Presidenti Rugova doli me një propozim flamur kombëtar për Kosovën, dhe me himnin që kisha propozuar unë në shtator 1999. Rugova, me një maturi që e karakterizonte, promovoi gradualisht këto simbole.

Në prill të vitit 2007, ambasadorja amerikane Tina Kaidanou erdhi në zyrën time, ku e diskutuam edhe çështjen e simboleve kombëtare kosovare. Unë i sugjerova që këto të jenë simbolet që ka propozuar Presidenti Rugova, të cilat kishin fituar një legjitimitet tashmë 4- vjeçar, por ajo nuk ishte e interesuar ta hidhëronte Hashim Thaçin e gjallë, lider të ardhshëm të Kosovës, për Ibrahim Rugovën e vdekur.

Ia dhashë propozimin tim të printuar për flamur (hartën e Kosovës ngjyrë ari në sfond të kaltër) e i tregova historinë me Dan Evertsin e Hans Hakerupin. Më tha se kjo paskësh më shumë legjitimitet. Megjithëkëtë, kishte drojën se Hashim Thaçit mund të mos i pëlqente që ndonjë personalitet i njohur të jetë autor i Flamurit Kombëtar. Kur u shpall Pavarësia e Kosovës, pashë që propozimit tim i kishin shtuar 6 yje koti, vetëm e vetëm të shmangej autorësia ime.

U gjenden edhe ca idiotë që të thoshin nëpër televizione, për t’u mburrur se dinë diçka, se me demek, 6 yjet paraqesin komunitetet etnike në Kosovë. Por këta idiotë harronin se me Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës njihen 8 komunitete. Komuniteti shqiptar si komb kosovar, dhe 7 komunitete të tjera si minoritete: serbët, boshnjakët, goranët, turqit, ashkalinjtë, romët dhe egjiptasit. Në fund të fundit, estetika e simboleve kombëtare nuk luan aspak rol, është vetë kombi që i bën ato të vlefshme apo të pavlefshme. Një komb mund t’i ndryshojë kur të dojë simbolet e veta kombëtare. Mjafton që ideja të përkrahet nga 2/3-at e deputetëve në Parlament.

4. SHKRIMI I BEN BLUSHIT PËR RAPORTET SHQIPËRI-KOSOVË. Robelli e quan sipërfaqësor shkrimin e Ben Blushit. E vërteta është se ky shkrim është shkrimi më edukativ që ka bërë Blushi në jetën e vet. Me një shkrim ai ka edukuar përnjëherësh edhe Kosovën, edhe Shqipërinë. Prandaj ky shkrim u përkrah nga Halil Matoshi. Deri më tani ishin Fatos Lubonja, Edison Ypi e Mero Baze ata që nga Tirana edukonin kosovarët.

Këtyre iu shtua së fundmi edhe Ben Blushi. Derisa për Shqipërinë ky shkrim i Blushit ishte një kritikë Fishtiane apo Koniciane, se ku po ngelim si komb kur edhe një komb i posalindur, madje i gjakut tonë, po na tejkalon.

Kosovën e edukoi duke i treguar se ne jemi të një gjaku, e një gjuhe, por jemi dy kombe të ndryshme, ndaj hecni rrugës suaj.

5. BOTA KOMUNIKON ME FJALOR TË OXFORD-IT DHE JO ME ATË TË ANDROKLI KOSTALLARIT Me çdo fjalor anglisht-shqip apo shqipanglisht, fjala “nation” përkthehet “komb” dhe anasjelltas. Por nëse lexoni kuptimin e kësaj fjale në fjalorin e Oxford-it dhe atë të Kostallarit, dallimi është thelbësor. Në fjalorin e Oxford-it thuhet se komb konsiderohet një komunitet i madh njerëzish që i bashkon origjina, historia, kultura, gjuha e përbashkët që qeveriset nga një qeveri. Kjo do të thotë jo domosdoshmërisht të gjithë qytetarët që qeverisen nga ajo qeveri, por vetëm ata që i bashkon origjina, historia, kultura, gjuha e përbashkët.

Kjo i bie që, komb shqiptar mund të konsiderohet vetëm komuniteti i shqiptarëve etnikë të Shqipërisë dhe jo edhe pakicat e tjera etnike të paintegruara që jetojnë në Shqipëri e as edhe shqiptarët etnikë që nuk kanë shtetësinë e Shqipërisë. Në fjalorin e Kostallarit (shokut Enver Hoxha) mungojnë fjalët “nën një qeveri”. Kjo i bën disa apo shumicën, e sidomos ata jashtë Shqipërisë, të mendojnë se i gjithë etnikumi shqiptar në Ballkan përbëjnë kombin shqiptar! Shpesh përdorin termin “komb i ndarë”. Harrojnë se komb i ndarë do të thotë dy kombe, sepse kombi është INTEGRUM, pra është i pandashëm.

Nëse ndahet, më nuk është një komb. Bota komunikon me fjalor të Oxford-it e jo me fjalor të Kostallarit. Shqiptarët më të ditur që kanë teoretizuar për kombin si Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Sami Frashëri, Vaso Pasha, Nebil Çika etj., nuk kanë komunikuar me fjalor të shokut Enver, por me fjalor që e kupton bota.

6. PSE DUHET TË FLASIM HAPUR? Atë çfarë po bëjmë unë, Halil Matoshi, Fatos Lubonja, Blerim Gashani, Bardhyl Meta, Vesat Ademi, Hazbi Gashi, Ertan Munoglli, e shumë e shumë të tjerë, është që po u themi shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri që duhet të komunikojmë me fjalorin e Oxford-it që të na kuptojë bota, d.m.th. me gjuhën e Fishtës e të Merxhanit e Vangjel Koçes, e jo me gjuhën e shokut Enver Hoxha. Gjuha e shokut Enver Hoxha me pompa bashkimi na çon në perspektivë konflikti të ardhshëm mes Prishtinës e Tiranës.

Gjuha e Fishtës e Merxhanit sjell harmoni e bashkërendim mes vete. U themi shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, e Luginë të Preshevës se jeni shqiptarë, në mos më të mirë se prishtinasit e tiranasit, të paktën jo më të këqij, por nuk jeni komb, jeni pakicë etnike. Kultivoni marrëdhëniet vëllazërore me Prishtinën e Tiranën, por në radhë të parë shikoni interesin tuaj. Krijoni raporte miqësore me komunitetet e tjera etnike në vendet ku jetoni dhe avancojeni pozitën tuaj. Mos u armiqësoni me kombet me të cilat bashkëjetoni se qeveritë në Prishtinë e Tiranë ju tradhtojnë. Kërkoni ndihmë nga Prishtina e Tirana, por mos prisni shumë nga ato.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura