Enver Hoxha: Si shembull, ekzekutoni njerëz me ndikim

Nov 2, 2012 | 12:13
SHPËRNDAJE
Kopertina e librit “100 vjet” nga Blendi Fevziu

Vendosja e diktaturës komuniste në librin e Blendi Fevziut.

Arrestimet dhe vrasjet në ditët e para të vendosjes së pushtetit popullor.

“Masa represive, pa marrë parasysh ligjet në fuqi”

Mehmet Shehu: Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë.

“Sasia e arit të sekuestruar nga tregtarët nga 1 dhjetor 1944 deri në  31 dhjetor 1990 ishte 3 tonë”

Shekulli i 20-të do të ishte vendimtar për shqiptarët. Do të shpallej pavarësia, vendi do të kalonte vite kaosi dhe do të përjetonte padrejtësinë e copëtimit të trojeve nga Fuqitë e Mëdha në favor të fqinjëve, do të bëhej me një Princ, pastaj Republikë, pastaj Monarki… Por 45 vitet e ardhshme do të vendoseshin nga shfaqja në skenën politike të kohës të Enver Hoxhës. Pas krijimit të Partisë Komuniste, më 8 nëntor 1941, ai do të bëhej një nga figurat qendrore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse politika e tij e eliminimit të kundërshtarëve kishte filluar qyshkur, ajo do të merrte përmasa shumë më të mëdha dhe madje do të legjitimohej pas çlirimit të vendit dhe hyrjes së tij në Tiranë. Këtë moment dhe atë çka pasoi na e risjell në vëmendje gazetari Blendi Fevziu në librin e tij historik “100 vjet (1912 – 2012)- Një ekskursion 100-vjeçar në politikën shqiptare”, botim i “UET Press” dhe “Klan”. Ku u vendos kreu i shtetit të sapoçliruar, cilat ishin problemet që kërkonin zgjidhje emergjente dhe kabllogramet që urdhëronin arrestimet, pushkatimet e “kundërshtarëve” apo kolaboracionistëve dhe ngritjen e “fushave të përqendrimit”. Jo më pak i ashpër paraqitet Mehmet Shehu, i cili për rastin e bombës në Ambasadën Sovjetike shprehet se është e nevojshme shkelja e ligjeve në fuqi, për të eliminuar sa më shumë kundërshtarë.                           al.mi

Enver hoxha ne podiumin e “fitores” ne 28 nentor 1944

Shqipëria komuniste, 1944 – 1989
Rreth orës 10:00 të datës 28 Nëntor 1944, komandanti i Tiranës, Mehmet Shehu, shqoi që larg tymin që ngrinte autokolona e makinave që vinte nga Elbasani. I vendosur mbi kodrën e Saukut, ai kishte dalë të priste Qeverinë e Përkohshme të Beratit që po hynte në Tiranë. Qeveria ishte nisur një ditë më parë, më 27 nëntor dhe pasi kishte kaluar Shkumbinin në afërsi të Rrogozhinës, kishte ndërruar drejtim. Nuk kishte marrë rrugën e rrezikshme, vende-vende të minuar dhe me mungesë urash të drejtimit Kavajë – Durrës – Tiranë, por ishte kthyer për Peqin dhe që këtu në Elbasan. Atë natë qenë vendosur në hotel “Moderno”, hoteli më i mirë i qytetit dhe në derën e Enver Hoxhës e poshtë ballkonit të tij qenë vendosur roje të armatosur. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Hoxha, kish dalë mëngjesin e datës 28 Nëntor në ballkon për të parë turmën entuziaste që ishte mbledhur aty spontanisht.
Në orën 10:00 të datës 28 Nëntor 1944, Kryeministri Enver Hoxha, Qeveria e Përkohshme dhe një numër i madh rojesh dhe zyrtarësh që e shoqëronin hynë në Tiranë. Autokolona ndaloi pak kohë në Pallatin e Luogotenentit, ku qe vendosur shtabi partizan i qytetit dhe zbriti poshtë. Nëpër Rrugën e Elbasanit ajo arriti tek ish-selia e regjencës (godina aktuale e të përndjekurve politikë). Makinat ndaluan aty dhe Hoxha, Koçi Xoxe, Myslym Peza dhe gjithë grupi vijoi në këmbë drejt sheshit “Skënderbej”; prej këtej përballë hotel “Dajtit”, aty ku ishte ngritur Tribuna e paradës së fitores.
Parada e trupave partizane atë ditë, përballë komandantit të Përgjithshëm dhe misioneve aleate, ishte shenja e parë e triumfit të komunistëve. Atyre që kishin rezistuar më shumë dhe që tashmë po merrnin mbrapsht shpërblimin e sakrificës së tyre. Njëherazi parada po provokonte një mijë dilema. Çfarë regjimi do të instalohej në Shqipëri? A do t’i jepte vendi fund praktikave të qeverisjes autoritariste dhe a do të instalohej një qeverisje demokratike? A do të ishte Shqipëria një vend i lirë, sipas modeleve perëndimore apo jo? Enver Hoxha vetë i shmangej shumicës së pyetjeve që po atë ditë vinin nga misionet aleate, por edhe nga personalitete të paangazhuara që ishin ftuar të merrnin pjesë në paradë.
Mbasditen e 28 Nëntorit 1944, qeveria e re organizoi një ballo të madhe në hotel “Dajti”, në ambientet e të cilit qenë vendosur anëtarët e qeverisë. Enver Hoxha qëndronte në Suitën nr.5, në katin e dytë, me një dhomë ndenjjeje dhe dhomën e gjumit. Ai qëndroi atje ende për pak kohë derisa gjeti një shtëpi në qendër të qytetit, pronë e inxhinier Bellotit, ku edhe u vendos. Por derisa shtëpia të bëhej gati, ai banoi në Pallatin e Luogotenentit, duke zënë apartamentin dhe zyrën e tij. Hoxha qëndroi atje fare pak kohë dhe nuk u kthye thuajse më kurrë. Nuk  dihet pse ai refuzoi të qëndronte atje edhe në momente të vështira si ato të viteve ’70, kur shtëpinë e kishte në rikonstruksion dhe vetë ishte i goditur nga infarkti. Nga ana tjetër ai porositi që askush të mos prekte dhe modifikonte në të. Në dhjetor 1944 urdhëroi Rita Markon që nëse ndonjë partizan vidhte objekte prej aty, të pushkatohej. Pallati u ruajt në një mënyrë të tillë, sa sot, edhe librat e Francesko Jakomonit, janë ende të vendosura në bibliotekën e zyrës së tij. Siç e la ai vetë në mars 1943.
Më 13 dhjetor 1944, Zeqi Agolli, një militant i rinisë komuniste që ishte caktuar nga vetë Enver Hoxha si sekretar i tij, ishte duke pritur Kryeministrin:

Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha

“Po rrija në trotuar pranë Kryeministrisë, e cila ishte aty ku sot është Ministria e Ekonomisë. Saktësisht në orën tetë pashë që vjen makina e Enver Hoxhës, duke u ndalur përballë derës kryesore anash trotuarit. Enveri në atë kohë kishte një makinë “Alfa Romeo”. Ishte makinë e paraqitshme dhe e re, që drejtohej prej shoferit të tij, Isuf Çoba. Ajo ishte pronë e Lika Toptanit. Nuk e di si e mori shteti i ri, por duhet të ketë qenë sekuestrim”.
Enver Hoxha hynte atë ditë për herë të parë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë. Në po atë zyrë që ishte lënë e lirë më 22 tetor nga ish-kryeministri Ibrahim Biçakçiu. Zeqi Agolli kujton sërish:
“Ndërkaq, hymë brenda ku na orientuan në zyrat përkatëse. Ishin në katin e parë. Në zyrën që duhej të punonte në Kryeministri, hyri për herë të parë pikërisht në atë moment. Deri atë ditë kishte qenë i pozicionuar te zyra që kishte si sekretar i Partisë në selinë e caktuar për Komitetin Qendror të saj. Zyrat tona ishin në katin e parë të godinës, ku sot është Ministria e Ekonomisë. Në fillim majtas ishte zyra ime, pra e para majtas. Ngjitur me mua ishte ajo e zëvendëskryeministrit Myslym Peza. Përballë Myslym Pezës ishte zyra e Alqi Kondit, i cili u caktua sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, pastaj vinte një sallon bosh dhe paradhoma ngjitur me të ishte zyra e Enver Hoxhës. Karshi zyrës së Enver Hoxhës ishte salla e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave”.
Kryeministri i ri kishte së paku dy çështje që kërkonin masa energjike për të konsoliduar pushtetin. E para ishte eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe kontrolli i plotë i pushtetit në vend. E dyta ishte njohja ndërkombëtare e qeverisë së re dhe zgjidhja e problemit me anglo – amerikanët.
E para ishte një çështje që do të mbante pezull gjithë filozofinë politike të regjimit komunist. Për vite me radhë eliminimi i kundërshtarëve dhe krijimi i një fryme dhune dhe kontrolli dominoi sjelljen e regjimit të Hoxhës. Eliminimet e para që kishin filluar që gjatë luftës u bënë më masive me marrjen e pushtetit:
“Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të naltë dhe bashkëpunim të hapët. Të mos ketë mëshirë ndaj tyre që kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe të ekzekutohen në vend. Të gjithë robërit të mblidhen në fushën e përqendrimit, të mos bëhen arrestime në masë, sepse veprime të tilla trembin popullin. Bëni kujdes. Kapni, arrestoni dhe ekzekutoni njerëz me ndikim, që të bëhen shembull për të tjerët. Këta bëjnë përshtypje në popull”.
Ky radiogram i dërguar më 17 nëntor 1944 nga Kryeministri, gjeneral kolonel Enver Hoxha për gjeneral Dali Ndreun që po merrej me spastrimet në Veri, përcakton në një farë mënyre vijën politike të regjimit të ri. Një regjim që ishte i vendosur të ndëshkonte këdo që ishte kundër tij, këdo që ishte skeptik, por me një logjikë të ftohtë dhe të kalkuluar, edhe ata persona me ndikim që mund shpreheshin dyshues ndaj tij.
Pak ditë më parë, më 10 nëntor 1944, Hoxha i kish dërguar një urdhëresë Mehmet Shehut, komandantit që po drejtonte luftimet për çlirimin e Tiranës dhe që mbante të rrethuar qytetin. Kabllogrami me shkrimin e Hoxhës, numër 44, për atë ditë thotë:
“Qëndrimi karshi tradhtarëve dhe kriminelëve që kapen ose dorëzohen të jetë i ashpër dhe aspak familjar. Ata duhet ta ndjejnë menjëherësh se janë në dorën e gjyqit. Ndalohet rreptësisht qëndrimi i tyre i lirë nëpër qytet dhe bisedimet me këdo. Ata duhet të burgosen dhe të ruhen me roje”.
Por ndëshkimet vijuan edhe më të ashpra. Ato filluan me ekzekutimet e para në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kryeqytetit dhe vijuan me dënimet në gjithë zonat e Shqipërisë. Me dhjetëra vetë u dënuan pa gjyq, thuajse 2000 vetë u ekzekutuan. Brenda pak kohësh, tregtarët dhe njerëzit e pasur u ngarkuan me gjoba marramendëse nën atë që quhej tatimi i jashtëzakonshme i luftës. Kush nuk i paguante ose nuk kish për t’i paguar arrestohej. Shumica vdiqën në burg. U shtetëzuan gjithë makinat, shtëpitë dhe pothuaj gjithë malli i tregtarëve. Pronarët e tokave u shpronësuan nën justifikimin e reformës agrare që u shpall me shumë bujë, por brenda një viti filloi “bashkimi vullnetar” i tokave në ato që u quajtën kooperativat bujqësore. Një imitim direkt dhe pa asnjë ndryshim i kolkozeve sovjetike. Bashkimi që në fillim u shpall si vullnetar, u bë shpejt i detyruar dhe i dhunshëm.
Ligji i tatimit të jashtëzakonshëm i dalë më 13 janar 1945 ishte i frikshëm dhe një ligj me forcë prapavepruese. Të gjithë personat që kishin ushtruar aktivitet tregtar nga data 7 prill 1939 deri më 31 dhjetor 1944, pavarësisht se kishin paguar taksat e kohës, duhej të deklaronin brenda 10 ditësh fitimet e tyre për këto 5 vite. Nëse nuk i deklaronin, një komision i përbërë nga 3 vetë, një delegat i Ushtrisë, një i rinisë dhe një njohës i tregut, vendosnin vetë taksën. Taksa tatonte deri në 80 % të fitimit. Kur dikush gënjente për fitimin, pasuria e tij, e gjitha, sekuestrohej. Floriri që u mblodh me këtë rast ka qenë gjithnjë një mister. Sipas një shkrimi të një reviste të MPB ,të cituar nga gazetari Teodor Keko në vitin 1991, deri në fund të vitit 1948 ishin zbuluar: “43816682 monedha ari” pa llogaritur stolitë e çmuara. Por një Komision parlamentar, i ngritur në vitin 1991 pas shumë hetimesh, njoftoi se sasia e arit të hyrë në thesar nga sekuestrimet nga 1 dhjetori 1944 deri më 31 dhjetor 1990 ishte 3.029 kg, pra 3 tonë.
Dhuna ndaj kundërshtarëve politikë, ose atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë, ishte e frikshme. Në 46 vitet e sundimit të tij, regjimi krijoi një bilanc tragjik: 5037 burra dhe 450 gra u ekzekutuan. 16788 burra dhe 7367 gra u dënuan me burgime nga 3 deri në 35 vjet. Shpeshherë dënimet shtoheshin përmes ridënimit brenda në burg. 70 mijë vetë u internuan. 354 shtetas të huaj u pushkatuan, ndër ta 95 shqiptarë të Kosovës. Në vend u ngritën 40 burgje, shumica e të cilëve shfrytëzonte punën pa pagesë të të dënuarve në miniera.
Pak kohë pasi qeveria u instalua në Tiranë, u arrestuan 15 vetë të një grupimi që quhej grupi “Bashkimi shqiptar”, kryesisht pjesëtarë të klerit katolik ose të lidhur me ta. 8 vetë u dënuan me vdekje, midis të cilëve 3 priftërinj dhe të tjerë me dënime të rënda. Më 11 janar u arrestuan anëtarët e grupit socialdemokrat. Ishte iniciativa e një numri intelektualësh, kryesisht të majtë, që kishin vendosur të krijonin një parti socialdemokrate, me të cilën do të paraqiteshin në zgjedhjet e radhës. Grupi u quajt i nxitur nga reaksioni. 9 vetë u dënuan me vdekje. 7 të tjerë me dënime të rënda deri në 30 vjet burg. Midis tyre edhe një grua, Musine Kokalari.
Në fundin e vitit 1946 e në vitin 1947 u arrestua grupi i deputetëve dhe mbështetës të tyre. Rreth 30 vetë, shumica anëtarë të Kuvendit Popullor, me bindje komuniste apo neutrale. Pas heqjes së imunitetit u arrestuan 16 deputetë. U krijuan dy grupe gjykimi. Grupi kish tentuar të krijonte në Parlament një opozitë që t’i kundërvihej vendimeve të qeverisë, ose së paku ky qe shkaku i dënimit. 17 vetë u dënuan me vdekje, midis tyre edhe tre emra shumë të njohur, Shefqet Beja, Riza Dani dhe Selahudin Toto. Në listën e 17 të dënuarve ishte edhe Enver Zazani, një mik i vjetër shkolle i Enver Hoxhës, ndoshta miku më i afërt i tij; Kolë Kuqali, babai i dy dëshmorëve të rënë në luftë me fashistët; Sheh Karbunara, një militant i vjetër anti-zogist dhe Syrja Selfo, miku më i afërt i Enver Hoxhës, njeriu që e kishte strehuar gjatë luftës bashkë me familjen dhe që e kishte mbajtur me para. 35 vjet pas kësaj ngjarjeje, Selfo u bë personi i vetëm për vrasjen e të cilit Hoxha shprehu keqardhje. Ai deklaroi se kish dhënë urdhër për vrasjen e tij kur kish parë firmën që pranonte pjesëmarrjen në komplot, por firma ishte marrë nën torturë. Selfo kish qenë krejtësisht i pafajshëm.
Rasti më flagrant i dënimeve është ai i të pushkatuarve të Ambasadës Sovjetike. Në shkurt 1951-shit, një shpërthim dëmtoi derën e garazhit të Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Byroja Politike mori vendimin që të arrestohen 100 vetë, siç dëshmon fjala e ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, marrë nga procesverbali i saj:
“… është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj., sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët… Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord veprojmë që sonte.”
108 veta u arrestuan sipas një liste të parapërgatitur dhe 23 prej tyre u pushkatuan pa gjyq. Vendimi i pushkatimit u mor 3 ditë pasi kish ndodhur ekzekutimi. 7 ditë pasi ata qenë varrosur, u vra në një pritë nga policia autori i vërtetë i hedhjes së bombës. Midis të pushkatuarve ishte edhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë e Shqipërisë, shoqe klase e Enver Hoxhës. Deri në vitin 1948, regjimi ishte thuajse tërësisht i konsoliduar dhe ai kishte instaluar tashmë një regjim represiv.
Problemi i dytë, ai i njohjes nga aleatët e në radhë të parë nga anglo–amerikanët, nuk ishte aq i lehtë. Më 28 Nëntor 1944, koloneli Palmer, kreu i misionit britanik në Shqipëri dhe mbështetës i Hoxhës, ishte i vendosur në tribunë në krah të tij. Po ashtu si një misionar amerikan me origjinë shqiptare nga Korça, Tomas Stefan. Në ballon e mbrëmjes, misioni britanik, i veshur me uniformat e paradës, ishte më i dukshmi dhe më eleganti. Shqipëria dukej se do të vijonte raportet normale, por problemet mes Hoxhës dhe britanikëve nisëm menjëherë. Hoxha kishte ndërmend të instalonte një regjim identik me atë sovjetik të Stalinit, ndërsa britanikët shpresonin ende se ai do të organizonte zgjedhje të lira dhe një sistem shumë partiak. Amerikanët po ashtu. Ata mbështeteshin edhe në një element tjetër. Në një raport të vitit 1945, i dalë nga arkivat e Uashingtonit për botim vetëm në vitin 2011, ata i raportojnë nga Tirana qeverisë së tyre:
“Në Shqipëri ka pa diskutim një përqindje më të lartë të njerëzve pro-amerikanë se sa në çdo vend tjetër të Ballkanit… Gjithsesi, kjo ndjenjë pro-amerikane ka qenë kryesisht nga njëri drejtim, meqenëse populli amerikan nuk ka bërë kurrë ndonjë përpjekje për ta shfrytëzuar këtë situatë…”.
Raporti sqaron më poshtë se shqiptarët kanë paragjykime ndaj Lindjes, se nuk i preferojnë sllavët dhe se një drejtim apo miqësi me ta, si me Jugosllavinë, ashtu edhe me Bashkimin Sovjetik, do të gjente rezistencë në një Shqipëri pro-perëndimore.

BLENDI FEVZIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura