“Ëndrra e saj ishte të bëhej doktoreshë”- rrëfimi i familjares për 17-vjeçaren e vrarë gjatë sulmit në Deçan: Asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash tek linja e autobusit

Nov 27, 2021 | 9:47
SHPËRNDAJE

Vajza e hallës së 17-vjeçares Gentiana Mustafaj, e cila ndërroi jetë gjatë sulmit me armë ndaj autobusit të nxënësve në Gllogjan të Deçanit, tha për mediat kosovare se familja e tyre ndodhet në shok si pasojë e ngjarjes së rëndë të ndodhur.

Ajo shtoi se 17-vjeçarje ishte nxënëse e mjekësisë dhe kishte ëndërr të bëhej doktoreshë. Sulmi sipas saj ndodhi në orarin e përditshëm kur autobusi i nxënësve bënte transportimin e tyre nga shkolla drejt banesave.

“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthy çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen”, tregoi Kosumi për RTK.

Po si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e ditës së djeshme (26 nëntor) një person i armatosur sulmoi me armë një autobus që po transportonte nxënës. Si pasojë, mbetën të vrarë 3 persona ndërsa dy të tjerë të plagosur.

Ndërkohë zëvendëskomandant i Policisë në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se nuk ka arsye të besohet se të shtënat në Deçan, që morën jetën e tre personave, lidhen me ndonjë akt terrorist.

Nga Spitali i Pejës ai ka konfirmuar se tre persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave që kanë ndodhur rreth orës 19:00. Nga tre të vdekurit, dy janë nxënësit, Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj ndërsa i treti shofer i autobusit Gani Gjokaj. Shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy nxënësit më vonë, pasi s’kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura