EMRI/ Pinte kafen në Laç, tre persona të maskuar e bëjnë për spital. Çfarë dyshohet

Nov 14, 2018 | 21:17
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Tre persona me maska dhunojnë me mjete të forta 46-vjeçarin në Laç. Ngjarja ka ndodhur në një lokal, rreth orës 06:00 të mëngjesit të së martës në qendër të qytetit, ku pre e sulmit ka rënë Arjan Shtia.

komisariati-policia-lac1

46-vjeçari ishte duke pirë kafen e mëngjesit i vetëm në lokal, kur kanë hyrë tre persona të maskuar. Menjëherë, ata e kanë sulmuar Shtian, duke e goditur me grushte dhe shqelma dhe më pas kanë nisur që ta godasin me sende të forta. Pasi e kanë dhunuar barbarisht, agresorët janë larguar me një automjet, ndërsa objektivi i sulmit të tyre ka mbetur i plagosur.

Arjan Shtia ka marrë plagë në disa pjesë të trupit dhe është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë vetë i plagosuri, i cili ka njoftuar Policinë në lidhje me ngjarjen.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, forcat e Policisë kanë nisur punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, pasi janë kryer të gjitha veprimet hetimore, Policia ka bërë shoqërimin në ambientet e Policisë të disa personave, të cilët po merren në pyetje si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Mësohet se në momentin e sulmit ka pasur shumë pak persona brenda lokalit dhe nga deklarimet thuhet se nuk kanë mundur që t’i identifikojnë autorët e ngjarjes për faktin se kanë qenë të maskuar. Çështja ka kaluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

PUNA SI SHOFER

Arjan Shtia mësohet se punon si shofer furgoni, i cili kryente çdo ditë linjën Tiranë-Laç dhe nuk njihej si person problematik. Pista kryesore e hetimit është përqendruar te ndonjë konflikt që mund të ketë pasur 46-vjeçari gjatë kohëve të fundit dhe për të sqaruar këtë pritet marrja në pyetje e tij. Gjithashtu, po hetohet nëse dhunimi i tij ka ardhur për shkak të konkurrencës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura