Emrat/ “Lista e zezë” e Enver Hoxhës, nga ish-ministrja e Arsimit te Liri Gega. Pushkatimi kur ishte shtatzënë dhe llogaria që kërkoi Hrushovi

Oct 23, 2019 | 9:04
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Te tjere emra te njohur pjese e listës prej 100 emrash të personaliteteve, si themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në vitin 1941, drejtues të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si komandantë e komisarë, dhe më pas kuadro e funksionarë të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat u eleminuan ndër vite duke u akuzuar si “armiq të popullit dhe kriminelë” e u dënuan me vdekje, vdiqën në qelitë e hetuesivë dhe burgjeve, apo vuajtën me vite të gjata dënimet politike në burgjet dhe kampet e internimit të atij regjimi…

ENVER_HOXHA_DULLA_MEHMET_SH2

Përgjatë 50 viteve të ekzistencës së saj, Partia Komuniste e Shqiptare, e cila më pas u quajt Partia e Punës së Shqipërisë, eliminoi në mënyrë tragjike nga rradhët e saj pothuajse të gjithë eksponentët më të lartë dhe më në zë që e kishin themeluar, ose që kishin kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të saj. Të gjithë këta personazhe të cilët u goditën ose u eliminuan fizikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i kishin shërbyer me devotshmëri deri në momentin e fundit, pikërisht kësaj partie, dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, i cili me një të rënë të lapsit vendoste se cilët nga ata duhet të vazhdonin të jetonin, dhe cilët jo! Kontributi i këtyre personaliteteve të mëdha të komunizmit shqiptar, fillon që me themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor të 1941-it dhe vijon më pas me Luftën Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, për të përfunduar me periudhën e cila, rëndom në historiografinë e asaj kohe do të etiketohej edhe si “ndërtimi socialist i vëndit” në vitet 1944-1991. Në mënyrë ironike të 100 personazhet e kësaj liste, mund të quhen me plot gojën edhe si ajka drejtuese e regjimit komunist shqiptar (së paku, një pjesë e mirë prej tyre), të cilët ishin të mirë-arsimuar në shkollat dhe akademitë më të njohura të Lindjes apo dhe të Perëndimit që në viteve ‘30-’40-të të shekullit të kaluar e në vijim deri në vitin 1961 në vëndet e Lindjes Komuniste, apo siç quhej asokohe edhe nga propaganda zyrtare, si “Demokracitë Popullore”. Disa prej këtyre personazheve e kishin ndihmuar Enver Hoxhën në betejat për ardhjen në pushtet të Partisë që ai drejtonte në Shqipërinë e pllakosur nga lufta në vitet 1943-1944, ndërsa një pjesë tjetër e kishin ndihmuar atë të çimentonte rrënjët e pushtetit të tij absolut në hierarkinë e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ndërsa pjesa e tretë dhe e fundit do të ishte ajo më tragjikja e cila, e shoqëroi në mënyrë të zellshme diktatorin Hoxha në vazhdën e sundimit të tij të ashpër 45 vjeçar në vënd. Dhe pikërisht në fund, kjo pjesë, pa pritur ra pre e vetë krimeve monstruoze të tij! Akuzat për ta do të kurdiseshin në korridoret e errëta të ndërtesës më hije-rëndë që kishte asokohe jo vetëm Tirana por i gjithë vëndi atë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa zbatimi i tyre i ngarkohej Ministrisë së Punëve të Brendëshme me anë të dëgëve dhe drejtorive të shumta të saj, ku më kryesorja ishte ajo Sigurimit të Shtetit, që vetë Enveri e kishte konsideruar si “maja e mprehtë e shpatës së Diktaturës së Proletariatit”?!. Natyra paranojake e regjimit komunist shqiptar, do t’i etiketonte këta fatkeqë si “armiq të popullit”, “tradhtarë të atdheut”,“agjentë dhe poliagjentë të UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s amerikane” e lloj lloj epitetesh të tjera nga më të ndryshmet.

Enver

Por vetmi “faj” i tyre që ata do ta kuptonin vetëm atëherë kur do ta shihnin vetën në qelitë e errta të Hetuesive apo Sigurimit, kampeve dhe burgjeve politike apo fshatrave të largët në internime, ishte ajo që ata e kishin përkrahën dhe i shërbyen deri në atë moment pushtetit të Enver Hoxhës?! Shumë prej tyre i qëndruan luajal deri në atë pikë, saqë në momentet kur do të dënoheshin me vdekje dhe do të ekzekutoheshin, ata merrnin guximin dhe kurajon që t’i kërkonin falje atij, madje t’i shkruanin edhe letra nga burgu apo internimi ku do t’i deklaronin besnikërinë e përjetshme!

II-1

Po kështu një pjesë tjetër prej tyre, me skuadrën e pushkatimit mbi kokë do të thërrisnin emrin e tij deri në sekondat e fundit, duke pasur një lloj “shprese” se sunduesi i tyre mund t’i falte! Fatkeqësisht nuk do të ndodhte kështu. Sepse, modeli i fushtatës së s’pastrimeve dhe eliminimeve që Enver Hoxha do të kryente mbi shokët, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, ishte kopjuar në mënyrë identike nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe personalisht kreu i saj,Joseph Visarionovich Stalin. Kjo metodë i ishte importuar Tiranës zyrtare me mijëra kilometra larg saj, pikërisht nga Moska, ku brenda mureve të Kremlinit udhëheqjësit e saj “hanin” njëri tjetrin dhe ata që mbeteshin në krye të saj, “hanin” prenë e rradhës.

II-2

Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë është tragjikisht e ngjashme me homologen e saj sovjetike, një histori vuajtjejesh dhe spastrimesh, një histori elimimesh dhe vrasjesh misteriose të vetë themeluesve dhe pjestarëve kryesor të saj. Në mënyrë të frikshme, kjo metodë sundimi pas vitit 1945 u përhap në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes, ku sigurisht edhe Shqipëria e vogël do ta absorvonte dhe do ta përshtaste atë, me modelin e saj. Dhe kjo do të ndodhte pasi vetë personi që do ta eksportonte në botën komuniste këtë model, Joseph Visarionovich Stalin, njëkohësisht do të shërbente si udhë-rrëfyes dhe si idhull për diktatorin komunist shqiptar, Enver Hoxhën, ku lista spastrimeve të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, është me qindra. Në këtë shkrim, Memorie.al sjell 25 personazhet e dytë të kësaj liste prej 100 emrash.

ENVER_HOXHA_KOCI_XOXE_NISHALista e emrave dhe funksionet përkatëse e 100 personazheve dhe personaliteteve bashkëpunëtorë të ngushtë Enver Hoxhës, të eliminuar prej tij në vitet 1943-1985

Enver

26.Kristo Themelko, kapter i Monarkisë së Zogut, komunist i orëve të para me Grupin Komunist të Shkodrës, anëtar i mbledhjes themeluese të P.K.SH.-së, Komisar Politik i çetës së Pezës me Myslym Pezën, anëtar i Byrosë Politike, deputet në Kuvendin Popullor që në zgjedhjet e para të 1945-es, “Hero i Popullit”, gjeneral-major, Komandant i Korpusit të III-të në Berat dhe Drejtor i Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1949 pasi mbron Koci Xoxen, dënohet nga Enver Hoxha dhe caktohet të punojë si Kryetar i Kooperativave të Artizanatit në Tiranë dhe brigadier për berberët, këpucarët dhe rrobaqepësit. Vdes në 1990.

27.Nesti Kerenxhi, Në mesin e vitit 1939 u pranua në radhët e Grupit Komunist të Korçës, kësisoj ishte edhe anëtar i PKSH-së qysh në themelim të saj. Më 1942 u zgjodh sekretar politik i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste. Në mars 1943 ishte delegat i Korçës në Konferencën e Parë të PKSH-së. Me krijimin e brigadës së 4-t komuniste, caktohet përgjegjës i sektorit politik të saj. Në vitet 1944-’46 si i besuar i Koçi Xoxes, Kerenxhi është nëndrejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. Në prill 1946 – shkurt 1948 ishte drejtori i parë i Sigurimit të Shtetit duke qenë edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, më pas I’a la drejtimin e sigurimit zëvendësit Vaskë Koleci. Më 1947-’50 deputet i Shkodrës. Më 1948 (2 tetor – 22 nëntor) ministër i Punëve të Brendshme, anëtar i Byrosë Politike të PKSH-së, ministër pa portofol dhe president i Komisionit të Planit të Shtetit. Pas vitit 1950 arrestohet dhe më pas lirohet pas një burgimi të shkurtër. Internohet së bashku me gruan e tij Naxhije Dumen në Selenicë të Vlorës ku përfundon përgjejës në minierën e bitumit deri në vitin 1990.

28.Naxhije Dume, komuniste e orëve të para, deputete në Kuvendin Popullor, anëtare e Byrosë Politike dhe Ministre e Arsimit në qeverinë e parë të Enver Hoxhës në vitin 1945. Pas burgosjes së bashkëshortit, Nesti Kerenxhi, zv-Ministër i Brëndshëm në vitin 1950, fillon dhe denigrimi i saj. Pas lirimit të tij në vitet 50, Naxhije Dume jetoi së bashku me Nestin, në internim në Selenicë të Vlorës deri në vitin 1991.

29.Ymer Dishnica, Më 1943-1944 shërbeu si anëtar i sekretariatit të PKSH-së. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it. Më 1944 e deri më 1946 kreu funksionin e ministrit të Shëndetësisë, pas këtij funksioni shërbeu si kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946 e deri më 1950 u zgjodh deputet.Përjashtohet nga Partia Komuniste dhe filloi punën si mjek në spitalin e Tiranës. Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet së bashku me gruan e tij Flora Sata nga Tirana për në Berat ku punoi mjek patolog në spital dhe në ambulancën e qytetit. Më 13 janar 1956 dënohet me 6 vjet nga Gjykata e Lartë me akuzën e agjitacion-propagandës, se kishte lavdëruar demokracitë borgjeze të llojit të Francës. Burgoset më 27 qershor 1955 deri më 12 qershor 1956. Pas daljes nga burgu jetoi dhe punoi në Berat.

30.Hamit Keçi, ndërpret studimet në Akademinë Ushtarake të Napolit, në Itali ku ishte në një kurs me Mehmet Shehun dhe kthehet në Shqipëri për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste. Ai ishte, Komandant i Batalionit Krujë-Ishëm dhe i Brigadës së 23 Sulmuese. Deri në vitin 1949 shërben si Drejtor Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes me gradën e kolonelit dhe pas një konflikti me Enver Hoxhën, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg.Pas lirimit internohet për një kohë të gjatë.

 

31.Njazi Islami, komunist i orëve të para, në vitin 1945 zgjidhet deputet në Kuvendin Popullor dhe Ministër i Komunikacioneve. Pas arrestimit dhe dënimit të dy vëllezërve të bashkëshortes së tij, Hamit dhe Isuf Keçit, Enver Hoxha e thërret në zyrë dhe i bën presion të ndajë gruan dhe të dëshmojë mbi veprimtarinë “armiqësore” të vëllezërve Keçi. Nuk pranon dhe pas pak ditëve gjëndet i vrarë me plumb pistolete në vilën e tij në vitin 1950. Version zyrtar vetëvrasje. Bashkëshortja, e tij, pas viteve ’90-të, ka dëshmuar publikisht në shtyp se i pa vrasësit e Njaziut tek qëlluan nga dritarja.

 

32.Abedin Shehu, komunist i orëve të para dhe partizan me funksione politike drejtuese, komisar i Brigadës XXIV-Sulmuese, deputet i Qarkut të Kukësit në Kuvëndin Popullor që në zgjedhjet e para të 1945-ës, anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, deri në vitin 1950, kur u akuzua për veprimtari armiqësore dhe u përjashtua nga të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake. Vuajti shumë vite burg dhe internim.

 

33.Shyqyri Këllezi, komunist i orëve të para, guerilas dhe shoqërues personal i Enver Hoxhës gjatë Luftës duke e kthyer shtëpinë e tij në bazën kryesore të udhëheqjes komuniste, Drejtor i Hekurudhave të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, në vitin 1950 përjashtohet nga rradhët e partisë. Deri në këtë kohë i denigruar. Arrestohet në vitin 1980 duke u akuzuar si pjestar i një grupi armiqësor ku bënin pjesë dhe disa funksionarë të tjerë të lartë dhe dënohet me 10 vjet burg.

 

34.Isuf Keçi, komunist i orëve të para në qarkorin e Tiranës, Komisar Politik i Divizionit të VI-të Sulmues. Pas luftës emërohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës në vitet 1950-51. Në vitin 1951 pas arrestimit të vëllait, Hamitit, dënohet me 10 vjet burg dhe internim të gjatë.

 

 

35.Sali Ormëni, partizan i orëve të para me funksione drejtuese në zonën e Vlorës dhe Kurveleshit, shef i Shtabit të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Deputet në Kuvendin Popullor, zv/ ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Në vitin 1951, në mbledhjen e kolegjumit të Ministrisë së Brendëshme, kundërshton Mehmet Shehun duke e akuzuar se bomba në ambasadën sovjetike, ishte lojë e Sigurimit. E shtrojnë me detyrim në psiqiatri dhe pas disa ditësh gjendet i vdekur në pyjet e Elbasanit më një plumb pistolete në kokë. Versioni zyrtar; vetëvrasje. Të nesërmen, në mbledhjen e Byrosë Politike, Enver Hoxha e shpalli armik dhe tradhëtar që kishte dashur të arratisej.

 

36.Beqir Ndou, komunist i orëve të para dhe partizan me funksione drejtuese në zonën e Tropojës, pjesmarrës në Konferencën e Bujanit, kolonel, zv / ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Sigurimit të shtetit. Arrestohet në vitin 1950 duke u akuzuar për veprimtari armiqësore dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kolonel Sali Ormenit. Dënohet me 4 vjet burg, dhe pas lirimit, internohet në Vlorë. Më pas rikthehet në Durrës ku survejohet nga Sigurimi dhe në 1980 ri-arrestohet duke u dënuar me 10 vjet. Bën vetëm dy vjet dhe lirohet më pas.

 

37.Zef Mala, i diplomuar në Austri dhe Itali, Kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës, burgoset nga Mbreti Zog dhe internohet nga italianët në ishullin e Ventotenës. Në vitin 1946, pas kthimit në Shqipëri, kur punonte në bibliotekën kombëtare, arrestohet papritur dhe dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit: “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste Jugosllave”. Kryen dy vjet dënim, lirohet më 19 janar të vitit 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koci Xoxes. Më 1950 përgatiti një dispencë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924, e cila më vonë do të konfiskohet dhe do të humbasë. Në vitin 1955, arrestohet e dënohet me 5 vjet burg; motivacioni “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim”. Në vitet 196l- 1964, internohet në Zvërnec të Vlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me Kasem Trebeshinën. Këtu do të shkruante dhe një traktat filozofik me rreth 140 faqe,i cili gjithashtu do të zhdukej. Pas lirimit do të internohet sërisht prej Enver Hoxhës në vitin 1977 në Labovë të Gjirokastrës.Aty më 15 korrik 1978, shkruan një Promemorje Emblematike, drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu. Në po këtë vit ai nuk pranon të marrë pjesë në votime dhe për këtë arsye e dënojnë me 10 vjet burg në Ballsh, ku dhe u verbua plotësisht. Më 26 dhjetor 1979, ndërroi jetë në Tiranë.

38.Mark Ndoja, Komisar Politik i Qarkorit të Shkodrës, deputet i Shkodrës në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e 1945-ës, shkrimtar i njohur, Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më pas Drejtor i Gjimnazit Qemal Stafa. Në vitin 1953 fillon rrënimi i tij pasi pushohet nga puna, arrestohet dhe dënohet me 6 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Pas lirimit, internohet në Zvërnec të Vlorës ku sëmuret rëndë nga jetesa atje. Vdes në Tiranë në 1972.

39.Tuk Jakova, anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së, komisar politik i Brigadës së Parë partizane me Mehmet Shehun. Gjithashtu komandant dhe i Divizionit të Parë, gjeneral-leitnant, “Hero i Popullit”, deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e para. Antar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qëndror të PKSh-së, zv / kryeministër dhe President i Sindikatave të Shqipërisë. Në vitin 1955 goditet nga Enver Hoxha me preteksin e zbutjes së luftës ndaj Klerit Katolik dhe vdes në rrethana të dyshimta (mendohet i helmuar) në 1959, teksa vuante dënimin në spitalin e burgut të Tiranës.

40.Bedri Spahiu, komunist që në periudhën e Monarkisë së Zogut ku shërbente si ushtarak, sekretar politik i Qarkorit të Gjirokastrës, nuk pranon të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH-së për shkak të konflikteve me Enver Hoxhën. Në 1945-ën, deputet në Kuvendin Popullor, Prokuror i Përgjithshëm me gradën gjeneral-kolonel, “Hero i Popullit”. Sekretar i Komitetit Qëndror të PKSH-së dhe Ministër i Arsimit. Arrestohet në vitin 1955 pasi kundërshton Enver Hoxhën në një mbledhje pleniumi dhe vuan burg në Burrel e internim në Selenicë, deri në vitin 1991.

41.Shemsi Totozani, komunist dhe partizan me funksione drejtuese në zonën e Gjirokastrës. Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe Bullgari deri në vitin 1955, kur u godit baxhanaku i tij, Bedri Spahiu dhe ai u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Vuajti 10 vjet burg në Burrel, dhe më pas internohet familjarisht në Belsh të Elbasanit. Vdes në vitin 1991 pas lirimit nga internimi.

42.Hulusi Spahiu, oficer i Monarkisë së Zogut, luftëtar i brigadave internacionaliste në Spanjë me Mehmet Shehun, komunist dhe partizan i orëve të para me funksione drejtuese, Komandant i Brigadës së III-të Sulmuese, gjeneral-major. Deputet në Kuvendin Popullor, dhe Komandant i Artilerisë në Ushtirnë Shqiptare. Në vitin 1956 goditet në Konferencën e Tiranës dhe pasi ç’mobilizohet nga ushtria përfundon i dënuar me 8 vjet burg. Më pas internohet në zonën e Lushnjës ku vdes në mjerim në vitin 1973.

43.Pajo Islamaj, komunist dhe partizan në krahinën e Vlorës, pas luftës kreu disa detyra shtetërore deri zv / ministër i Industri Minierave. Në vitin 1956, në Konferencën e Tiranës, ai kritikoi privilegjet e Bllokut dhe për këtë gjë u shpall person antiparti. Nuk pranoi të bënte autokritikë dhe të hidhte poshtë ato që kishte thënë në Konferencë dhe si rezultat, u arrestua e vuajti në burgje dhe internime deri në vitin 1991.

 

44.Nesti Zoto, partizan në UNÇSH, dhe më pas efektiv me post drejtues në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit. Pas lirimit nga kjo detyrë, ai do të shërbente si zv-Ministër i Jashtëm. Në vitet 1952-1956, Zoto emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Kinostudio-s. Gjithashtu ai do të ishte një nga pjestarët më të dalluar në Konferencën e Tiranës në 1956, ku vetë Zoto do të sulmonte prvilegjet e Bllokut, dhe karakterin Stalinist të Enver Hoxhës. Pas kësaj konference, ai u shkarkua nga të gjitha postet drejtuese, dhe u internua familjarisht, ku edhe vdiq në kushte të mjerueshme.

45.Iljaz Ahmeti, Ushtarak i lartë. Lindi më 10 janar të vitit 1915, në fshatin Tatzat të Delvinës. Studimete e larta ekonomike i kreu në Kozencë të Italisë. Gjatë luftës ishte një nga udhëheqësit ushtarakë kryesorë për rrethin e Gjirokastrës. Më 1942 u zgjodh anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas debateve që zhvilloi me Enver Hoxhën në Konferencën e Tiranës (14-19 prillit 1956), u përjashtua nga Partia si armik. U arrestua më 15 qershor të vitit 1973. Dy muaj më vonë, më 17 gusht të po atij viti, Gjykata e Rrethit të Lushnjës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme për “agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor, duke përhapur disa ide kundër revolucionare në persona të veçantë”. Pas lirimit, u internua në Lushnjë. Vdiq më 21 maj të vitit 1996.

46.Muhamer Spahiu, komunist i orvë të para dhe partizan me funksione drejtuese politike, ndihmës i Nako Spiros në Komisionin e Planit të Shtetit dhe funksionar i lartë në Rininë Komuniste. Sekretar i Përgjithshëm i Këshilit të Ministrave, arrestohet në mesin e viteve 50, dhe deri në vitin 1991 vuajti në burgje dhe internime. Ramiz Alia, shoku i tij i bankës në vitet e gjimnazit, nuk u interesua kurrë për të.

 

47.Dali Ndreu, komunist që në periudhën e Monarkise së Zogut ku shërbente si ushtarak, zv / shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, komandant i Korp-Armatës së Parë me graden gjeneral-major dhe deputet në Kuvëndin Popullor në zgjedhjet e para. Në vitin 1947 pasi fillon goditja ndaj fisit të tij, Ndreve të famshem të Dibrës, e çmobilizojnë dhe pasi punon për pak kohë si Ministër Ndërtimi. Në 1956-ën, arrestohet, dhe pas një gjykimi të shpejtë, ekzekutohet me pushkatim së bashku me bashkëshorten Liri Gega dhe Peto Bullatin në Linzë të Tiranës.

 

48.Liri Gega, komuniste e orëve të para, anëtare e Byrosë Politike të PKSH-së, zv / komisare e Brigadës dhe Divizionit të Parë Sulmues. Gjithashtu Gega, ka mbajtur funksione të rëndësishme në Organizatën e grave të Shqipërisë. Në vitin 1956 arrestohet së bashku me bashkëshortin, gjeneral-major, Dali Ndreun, duke u akuzuar se donin të arratiseshin nga Shqipëria. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet me pushkatim, në fund të po atj viti. Disa muaj më vonë, Hrushovi i kërkoi llogari Enver Hoxhës, se perse kishte pushkatuar Liri Gegën, kur ajo kishte qenë shtatëzenë.

49.Petro Bullati, eksponent i vjetër i Luftës Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, për qarkun e Shkodrës. Kunati i Vasil Shantos. Pas çlirimit, mban funksione të larta në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, duke u emëruar si komisar i njërit prej tre divizioneve. Gjithashtu në vitet 50 ai gradohet Kolonel, i Ministrisë së Punëve të Brëndshme, ku drejton fillimisht sektorin e kufirit dhe më pas atë të prapavijës. Arrestohet së bashku me Dali Ndreun dhe Liri Gegën, dhe pas një gjyqi me dyer të mbyllura, akuzohet si agjent i jugosllavëve dhe dënohet me vdekje. Pushkatohet në fund të vitit 1956 së bashku me Ndreun dhe Gegën në Linzë. Familja i internohet në zonën e Fierit.

50.Panajot Plaku, ish partizan dhe eksponent i vjetër i UNÇSH-së në zonën e Korçës dhe Devollit. Pas lufte, kryen funskione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, konkretish në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit. Në fillimin e viteve 50-të, Panajot Plaku shërben si Ministër pa Portofol dhe antar i Byrosë Politike në kabinetin e Enver Hoxhës. Në vitet 1954-1957 ai është zv-Ministër i Brëndshëm për sektorin e Kufirit. Gjatë një inspektimi rutinë në Maj të vitit 1957 ai, arratiset për në Jugosllavi. Panajot Plaku, jeton atje deri në vitin 1966 duke u kthyer në një nga kundërshtarët më të ashpër në mërgim, të Tiranës zyrtare. Vdes në një hotel të Beogradit në vitin 1966. Versioni zyrtar, atak kardiak. Vlen për tu përmëndur që të gjithë vëllezërit e tij u eliminuan, Mikhail Plaku (Drejtor i Fermës së Sukthit), i dyshuar për një helmim të mundshëm në 1956, Koço Plaku (krye-inxhinier i naftës) burgoset me të ashtuquajturin Grupin Armiqësor të Naftës në vitin 1975, dhe pushkatohet një vit më pas. Nipi i Panajotit, Jorgo vdes nga një aksident i dyshimtë mbi lumin Drin në vitin 1980. / Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura