Elia Zaharia e tregon si ngjarje të zakonshme vizitën e stilistes së famshme: Coco Chanel veshi Geraldinën nuse, ka qenë në Tiranë dhe Pogradec

May 21, 2015 | 14:36
SHPËRNDAJE

Mbretëresha Geraldinë në ditën e dasmës me fustanin “Chanel”
Stilistja legjendare Coco Chanel jo vetëm që ka veshur posaçërisht Geraldinën nuse, por më pas edhe ka vizituar Tiranën dhe Pogradecin. Duke pasur parasysh se dasma mbretërore shqiptare është bërë në vitin 1938, del se Chanel ka ardhur në Shqipëri në kulmin e famës së vet. Kështu të paktën rezulton nga një intervistë e Elia Zaharias, e fejuara e princit Leka Zogu, e cila këtë vit është shkëputur nga teatri dhe po merret me retushimin e fotove dhe dorëshkrimeve historike të familjes mbretërore. Duke folur për revistën “Class” rreth evenimentit me rastin e 77-vjetorit të dasmës së Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldinë, Elia Zaharia mendon se gjyshet janë veshur më mirë sesa ne.
Stilistja Coco Chanel
Dhe për “provë”, ajo ka pasur të ekspozuar fotografitë e zonjave shqiptare të viteve ’30, ku spikasnin kapelet. Madje, në një nga këto foto është edhe ajo e gjyshes së Rovena Dilos, që ka qenë shoqe e ngushtë me një nga motrat e Zogut, Princeshë Myzejenin dhe bashkëshortja e veterinerit më të njohur të kohës, Naim Vretos. Dhe duke komentuar këto zonja, Elia Zaharia zbulon vizitën e rrallë të Coco Chanel-it në Shqipëri, edhe pse e trajton këtë ngjarje si diçka krejt të zakonshme, vetëm me një fjali. “Dhe kur i sheh (fotot e ekspozitës), kupton që gjyshet tona janë veshur më mirë sesa ne. Në atë kohë, në familje të ndryshme shqiptare, vinin katalogët e “Chanel”, vetë Coco Chanel ka ardhur në Tiranë, në Pogradec, në familje aristokrate, sepse këto familje ishin në të njëjtin hap me aristokracinë e kohës”.
Elia Zaharia dhe Princ Leka
E pyetur më pas për fustanin e nusërisë së Mbretëreshës Geraldinë, e fejuara e princ Lekës konfirmon se ishte gjithashtu “Chanel”, ndërsa jep detajet: “Chanel i qëndisur me motive të veshjeve tradicionale shqiptare. Pra, ishte një fustan shumë i veçantë. Në të vërtetë dasma ishte një ngjarje e rëndësishme për jetën e vendit. Ishte dasma e parë europiane dhe ndryshoi traditën e dasmës në vend. Për herë të parë u panë shoqërueset e nuses. Shpesh njerëzit pyesin pse shoqërueset e nuses, që ishin kushërira të Mbretëreshës Geraldinë ose motrat e Zogut, ishin të veshura me të bardha. Disa thonë që mund t’ia kenë bërë për inat sepse sot asnjë nga shoqërueset nuk duhet të vishet me të bardha, por në fakt kjo është një traditë, që sot ka humbur. Në atë kohë mendohej që shoqërueset duhet të visheshin njëlloj si nusja për ta ngatërruar djallin që ai të mos e gjente dhe të mos e merrte mësysh nusen. Pra ishte një dasmë që solli për herë të parë elemente europiane të ndërthurura me ato tradicionale vendëse. Për mua është një pikë takimi kulturash. Dhe për t’iu kthyer fustanit, mund të them që më pas Chanel ka organizuar një sfilatë të quajtur ‘Matinee Albanaise’, me një koleksion që ishte frymëzuar nga veshjet shqiptare”. Ja pra, Chanel paska qenë shpesh “midis nesh” dhe ne nuk e paskemi ditur. Edhe tani që e dimë, e themi vetëm kalimthi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura