Elhaida Dani: S’ka rëndësi vendi, mjaft që shkuam në finale

May 21, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

“Në ato momente ti nuk e pret, por kur dëgjon emrin e vendit tënd të thirret i pari, është me të vërtetë e paimagjinueshme, çmenduri”.

Kështu është shprehur në konferencën për shtyp, mbajtur menjëherë pas natës së parë gjysmëfinale të Festivalit Europian, Elhaida Dani. Me gjithë pasiguritë që Elhaida tregoi gjatë interpretimit, një lëvizje në intonacion dhe një lodhje vokale, “I’m alive” me tekst të Sokol Marsit dhe muzikë të “Zzap and Chriss”, arriti të kualifikohet për natën finale.

Ndërsa një pjesë e mirë e konkurrentëve të këtij festivali luajnë me performancën skenike, me veshje shumëngjyrëshe, koreografi e zhurmë, paraqitja e Shqipërisë mbështetet thuajse vetëm në interpretimin vokal të këngëtares, ndaj edhe vëmendja është e fokusuar vetëm aty.

“Kisha një përgjegjësi shumë të madhe në përfaqësimin e vendit tim. Të shkosh në finale është e mrekullueshme. Tanimë rezultati nuk ka rëndësi, thjesht të qenët atje është mjaftueshëm. Jam krenare për vendin tim”, ka thënë Elhaida, së cilës i është dashur sërish t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve të huaj për ndërrimin e këngës përfaqësuese në “Eurosong”. “E dua këngën ‘I’m alive’”, ka thënë ajo.

Po mbrëmë ajo ka tërhequr edhe shortin për natën finale dhe i bie të këndojë në pjesën e dytë të spektaklit. Një ditë pas finales kanë zier komentet në rrjetet sociale. Të gjithë janë me Shqipërinë, por nuk mund të fshehin se Elhaida kishte probleme në interpretim, çka shpresojnë që ta tejkalojë në natën finale, që do të zhvillohet ditën e shtunë.

 Sipas “The mirror.co.uk”, Elhaida Dani është vokalistja më e fuqishme e garës “edhe pse kënga nuk është veçanërisht eksituese, e megjithatë të lë diçka që rritet në ty”.

Madje “The Mirror” i ka quajtur të marrë të gjithë ata që nuk do të votonin për të. “Mirë se erdhe në ‘Eurovizion’ Shqipëri! Më në fund je në garë”, shkruhet në të, teksa bën edhe një panoramë të historisë shqiptare në “Eurosong”, e cila “nuk mund të quhet e suksesshme”: me 6 hyrje në finale dhe me rezultatin më të lartë këngën “Suus”, kënduar nga Rona Nishliu, e cila u rendit në vend të pestë.

I ka quajtur një dështim të vërtetë këngët e Bledar Sejko-Adrian Lulgjurajt dhe atë pasuese të Hersi Matmujës, ndërsa shprehet me superlativa për Elhaida Danin që ka “impresionuar gjysmën e Europës”. Kritika më të plota rreth performancës shqiptare dhe aktivitetit në përgjithësi priten në ditët në vijim. Ndërsa ende nuk janë publikuar pikët që kanë marrë konkurrentët e edicionit të 60-të të Festivalit Europian të Këngës, që këtë vit zhvillohet në Vjenë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura