Ekzekutimi i 33-vjeçarit afër shtëpisë/ Ngrihet pistë e re hetimesh, para ngjarjes viktima…

Sep 17, 2020 | 16:55
SHPËRNDAJE

Ekzekutimi i Klevis (Bledar) Kapllanit dy ditë më parë në Rrogozhinë dyshohet të ketë lidhje me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit.

Viktima Klevis Kapllani
Viktima Klevis Kapllani

Sipas informacioneve të dhëna nga uniformat blu, mësohet se përveç të shkuarës me precedentë në Itali, Policia dyshon se Kapllani ka qenë i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.

Disa ditë para se të ndodhte vrasja e tij, në 12 shtator viktima ka pasur kontakt me disa persona ende të paidentifikuar nga Policia dhe u ka dhënë në përdorim makinën e tij tip “Audi A6” deri në datën 14 shtator.

Por makina nuk është kthyer dhe mëngjesin e datës 15 shtator Kapllani u gjet i vrarë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri dhe 17 fishekë, ku një fishek ishte në fole të armës, 14 gëzhoja metalike me kapsolla të goditur, mjeti tip “Fiat” me targë “AB 483 AK” dhe dy telefona celular tip “Iphone” dhe “Samsung”, të cilët janë çuar në laborator.

EKZEKUTIMI

Burime nga grupi i hetimit thanë se 33-vjeçari është qëlluar nga një distancë shumë e afërt dhe me disa plumba. Sipas hetuesve, Kapllani ka qenë duke konsumuar një kafe te lokali i fshatit, ndërsa rreth mesnatës është nisur drejt banesës së tij, e cila ndodhet 100 metër nga vendi ku u qëllua për vdekje.

Pranë vendit të ngjarjes dhe konkretisht para makinës së tij ndodheshin grumbuj shkurresh. Kjo ka bërë që 33-vjeçari të ulte shpejtësinë dhe në këtë moment autorët janë afruar për ta qëlluar. Autorët, që sipas Policisë kanë qenë dy persona, e kishin mirëmenduar ekzekutimin e 33-vjeçarit.

Ata fillimisht i kanë zënë rrugën me këto shkurre për të penguar kalimin e tij, ndërsa më pas janë fshehur pas një godine për disa minuta, duke e qëlluar më pas me të paktën 10 plumba.

“Dyshojmë që në këtë krim të kenë marrë pjesë dy apo më shumë persona, pasi mënyra se si e kishin organizuar lë të dyshosh se kemi të bëjmë me vrasje me paramendim. Para makinës gjetëm shkurre, çka do të thotë se ata i kanë vendosur një pritë që ai të mos kalonte ose të ulte shpejtësinë me qëllim që t’i afroheshin. Pranë vendit të ngjarjes gjetëm një pistoletë, e cila rezulton se nuk ka qëlluar dhe dyshohet se mund t’u ketë rënë autorëve”, thanë burime nga grupi hetimit. Pista kryesore që Policia po heton është e shkuara e 33- vjeçarit, i cili rezulton me precedentë penalë, pasi ka shlyer dënimin me burg për trafik të lëndëve narkotike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura